02 Sep Lëvizja Socialiste për Integrim mbledh Grupin Parlamentar dhe ministrat
Me rastin e nisjes së Sesionit të ri Parlamentar, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një mbledhje të Grupit Parlamentar dhe të përfaqësuesve në kabinetin qeverisës.
I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht Kryetar i Kuvendit, Ilir Meta.
Në këtë mbledhje u diskutua mbi sfidat dhe prioritet në këtë sesion të ri parlamentar i cili do të jetë një sesion intensiv përsa i përket nismave dhe projektligjeve për reformat e rëndësishëm në vend.
Fjala e kryetarit të Grupit Parlamentar, Petrit Vasili:
I nderuar z. Kryetar, të nderuar kolegë, të nderuar zonjë dhe zotërinj ministra. Është mbledhja e parë e grupit pas pushimeve.
Uroj që të gjithë të kenë pasur pushimet që kanë dëshiruar. Sigurisht që kemi përpara një sesion, i cili ashtu siç e demonstrojnë edhe të gjithë materialet e depozituara deri tani në Kuvend parathotë një sesion shumë të rëndësishëm parlamentar.
Siç të gjithë ju e mbani mend, pushimet pasuan një sesion shumë intensiv parlamentar, ai i mëparshmi, ku ligje të shumta dhe mjaft iniciativa që lidheshin me reformat u miratuan.
Sa i takon sesionit të ri, ne sigurisht që jemi këtu për të rikonfirmuar atë sjellje politike tonën që i ka shërbyer shumë, ndoshta si askush tjetër konstruktivitetit.
Në mënyrë të veçantë dialogut në komisionet parlamentare por edhe në sallën e Kuvendit, në mënyrë që debati konstruktiv të zgjidhë çështjet dhe të çojë përpara legjislacionin, sidomos cilësinë e tij.
Njëkohësisht kemi eksploruar të gjitha hapësirat të cilat krijojnë mundësi reciproke që zgjedhjet më të mira të ecin përpara dhe Grupi Parlamentar në të gjithë veprimtarinë e tij ju e dini që i ka shërbyer dhe procesit të përmirësimit në rrugë e sipër të të gjitha nismave ligjore, ku mjaft nisma të rëndësishme kanë qenë në sytë e publikut dhe kanë pasur një përfundim shumë pozitiv sepse mjaft prej tyre edhe në sallën e Kuvendit, në kuadër të gjithë mazhorancës, kanë gjetur zhvillim dhe ka ecur përpara si të tilla.
Ndaj, në këtë frymë të kultivimit të një parlamentarizmi të shëndoshë dhe që prodhon edhe ide por edhe të gjithë qetësinë e duhur tek qytetarët se reformat e duhura ecin përpara nëpërmjet Parlamentit dhe kësaj mazhorance ,sigurisht që në këtë shenjë grupi do të ecë edhe në këtë sesion të ri i cili që ka përgjegjësi të madhe lidhur me stimujt e ri që reformat duhet të marrin në vend.
Fjala e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta: Në radhë të parë do të doja të vlerësoja angazhimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë sesionit që lamë pas, i cili ishte mjaft i qartë, si një rol tepër konstruktiv, si një rol tërësisht në profilin e kësaj force të përgjegjshme politike, e cila synon të çojë përpara reforma të rëndësishme në interes të të gjithë vendit, në interes të qytetarëve dhe në interes të publikut.
Nuk është vendi këtu për të përmendur reforma dhe ligje mjaft të rëndësishme që janë miratuar gjatë muajve të fundit, por vendosmëria për të çuar përpara disa reforma kyçe dhe vendimtare për të ardhmen e vendit, si reforma Administrativo-Territoriale, reforma në drejtësi dhe bashkë me të edhe gjithë reformat e tjera dhe prioritetet kyçe të dialogut tonë me Bashkimin Europian, tregojnë qartë orientimin mjaft pozitiv dhe strategjik të LSI-së por edhe të mazhorancës në përgjithësi.
Sa i takon Grupit Parlamentar të LSI-së unë do të vlerësoja shumë angazhimin e vazhdueshëm dhe për një kohë të gjatë për evidentimin e gjithë problemeve të sipërmarrjes fason dhe njëkohësisht edhe miratimin e një pakete, e cila padyshim që ka qenë mëse e merituar, sepse po të vëmë re, edhe në volumin e eksporteve shqiptare, rritja më e madhe e eksporteve vjen nga kjo sipërmarrje, ashtu sikurse edhe numri më i madh i vendeve të punës.
Me këtë shembull jo vetëm duhet ndjekur zbatimi i paketës së miratuar dhe masave të marra, sepse ato duhet të gjejnë zbatim të plotë në terren, por njëkohësisht edhe duhet vazhduar me këtë frymë pozitive për të menduar për të gjithë ato nisma që ndihmojnë sipërmarrjen, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e prodhimit dhe të eksporteve, sepse këto janë bazat kryesore ku duhet të mbështetet zhvillimi i vendit, mirëqenia e qytetarëve tanë.
Dhe ne jemi të bindur që ky do të jetë një angazhim i pandërprerë i LSI-së dhe Grupit të saj Parlamentar në këtë sesion të ri. Për më tepër që do të diskutohet dhe do të miratohet edhe buxheti i vitit të ardhshëm, pra gjatë sesionit që fillojmë sot, dhe që është një mundësi e mirë për të çuar përpara sa më shumë politika të cilat ndihmojnë në realizimin e atyre angazhimeve e premtimeve që forca jonë politike por edhe kjo mazhorancë kanë bërë përpara qytetarëve tanë një vit më parë.
Natyrisht ne do të donim që gjatë sesionit të kaluar të kishim një frymë më bashkëpunuese në raportet me opozitën, dhe përsëri shpresojmë dhe dëshirojmë që me hapjen e këtij sesioni mungesa e dëshiruar e bashkëpunimit dhe e dialogut që ishte evidente sidomos në fund të sesionit të kaluar të zëvendësohet nga një klimë më mirëkuptuese, më bashkëpunuese duke filluar që nga etika në sallën e Parlamentit, në komisione dhe në gjithë aktivitetin parlamentar dhe publik. Për këtë qëllim unë do të falënderoja edhe OSBE-në për një punë shumë të mirë që ka bërë për përgatitjen e Kodit të Etikës dhe për bashkëpunimin me të gjitha grupet parlamentare dhe besoj që edhe në emrin tuaj do të uroja që ky Kod Etike të miratohej sa më shpejt nga të gjitha forcat politike dhe natyrisht ky sesion i ri të nisë me një etikë të re dhe me një përgjegjshmëri më të lartë të të gjithë aktorëve parlamentarë pasi kjo është e domosdoshme për të evituar protagonizmat absurde, të cilat shmangin vëmendjen nga fokusi i vërtetë që duhet përqendruar tek problemet e qytetarëve tanë, të ekonomisë sonë kombëtare, te problemet sociale dhe reformat sociale të cilat garantojnë një gjithëpërfshirje dhe një mbrojtje sociale sa më të mirë për të gjithë ata të cilët besojnë dhe shpresojnë tek një ardhme më e mirë në vendin e tyre.
Shpresoj që grupi parlamentar i LSI-së do të punojë për të qenë gjithmonë një faktor pozitiv, bashkëpunues në Kuvendin e Shqipërisë dhe reformues, të vazhdojë dialogu me të gjitha grupet e interesit dhe të vijojë me nisma të reja që janë në profilin politik të kësaj force e cila nuk duhet që pas pak ditësh bën 10 vjet. Ju uroj të gjithëve mbarësi dhe suksese në këtë sesion të ri.