26 Aug Lëvizja Rinore për Integrim starton Akademinë Verore për Politikën në bregdetin e Jalës
Ashtu siç është bërë tashmë traditë, Lëvizja Rinore për Integrim ka organizuar për të pestin vit radhazi një aktivitet në bregdetin e bukur të Jalës në Vlorë. Qindra të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë zbarkuar tashmë në këtë kamp rinor ku aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese janë të gërshetuara mjaft mirë dhe do të jenë në fokusin e 6 ditëve të ardhshme të qëndrimit në bregdetin përrallor jonian. I pranishëm në këtë kamping do të jetë edhe Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta.
Nuk bëhet fjalë thjesht për disa ditë pushime në fakt, pasi drejtuesit e LRI-së kanë përpiluar një program tejet të detajuar dhe të mbushur me aktivitete të ndryshme si seminare, trajnime, debate e ku do të marrin pjesë emrat më të spikatur në nivele drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Madje, të pranishëm në këtë kamping ishte i pranishwm edhe Ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Alexander Arvizu si edhe ai i Bashkimit Evropian, z. Ettore Sequi. Sigurisht, axhenda është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të rinjtë të kenë edhe hapësira për t’u argëtuar mes njërit aktivitet dhe tjetrit.
Në ceremoninë hapëse të këtij aktiviteti ka marrë fjalën edhe Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta i cili ka shprehur kënaqësinë që merr pjesë në kampingut e pestë të LRI-së në Jalë. Ai tha se ndryshe nga vitet e tjera ka një atmosferë edhe më pozitive dhe më optimiste që vjen pas një ndryshimi të rëndësishëm, që ka ndodhur në Shqipëri më 23 qershor në të gjithë vendin dhe kjo sipas tij falë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, të cilët demonstruan si askush tjetër dëshirën për të ndryshim dhe për të ecur më shpejt.
“Jam tepër krenar për të gjithë ju dhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e LRI-së në të gjithë vendin, sepse ne kemi një LRI të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme dhe unë si kryetari i LSI-së, por besoj se edhe të gjithë drejtuesit e tjerë të LSI-së, u janë shumë mirënjohës në radhë të parë juve dhe të gjithë bashkëmoshatarëve tuaj për atë punë, për atë angazhim dhe për atë shpirt fitoreje që keni treguar për 23 qershorin, u shpreh Kryetari i LSI-së. E kam të vështirë të falënderoj më shumë LRI-në e këtij qarku apo të atij qarku, sepse ju keni qenë të mrekullueshëm kudo në të gjithë vendin dhe ne kemi arritur të kemi një përfaqësim të shkëlqyer në nivel kombëtar. Por unë në mënyrë të veçantë do të falënderoja të rinjtë dhe të rejat e Kukësit, të Tropojës dhe të Hasit, që kanë punuar në kushtet më të vështira, që nuk ka arsye përse të përmenden këtu dhe të jeni të sigurt se ne deputetin e morëm në Kukës, por e humbëm në Lundër. Por nuk ka problem se kemi mjaft deputetë dhe kjo nuk do ta pengojë që t’i përfaqësojmë të gjithë ata votues të shumtë në Qarkun e Kukësit me shumë dinjitet t’i përkrahim në mënyrë të jashtëzakonshme”, vijoi ai.
Z. Meta shprehu bindjen se fitorja e LSI-së është kontributi më i mirë që jepet në mënyrë që vendi të ecë më shpejt për të forcuar stabilitetin, por edhe për të ecur në rrugën e ndryshimit.
“Ne do të vazhdojmë të ecim më shpejt pikërisht duke u mbështetur akoma më shumë tek ju dhe tek të gjithë të rinjtë dhe të rejat në të gjithë vendin. Sepse pa një përfshirje më të gjerë të rinisë nuk mund të ketë transformime më të shpejta dhe më efikase, nuk mund të ketë atë ritëm modernizimi, e gjithë shoqëria jonë, e gjithë ekonomia jonë, i gjithë sistemi ynë institucional, shtoi ai. Sepse të rinjtë për shkak të ëndrrave të tyre, për shkak të energjisë së pashtershme, i kanë të gjitha mundësitë për të qenë shtysa më e fuqishme edhe në të ardhmen
Ne kemi arsye si LSI të jemi krenarë për shumë gjëra, por unë jam shumë krenar që ne si LSI kemi punuar shumë me të rinjtë dhe të rejat që nga fillimi i LSI-së, madje të rinjtë dhe të rejat kanë qenë bashkëthemelues të LSI”, deklaroi Kryetari i LSI-së.
Më tej, z. Meta deklaroi se është krenar që vetë rritja e LSI-së ka të bëjë me vetë rritjen dhe fuqizimin e LRI-së dhe kështu do të vazhdojë i gjithë ky proces, ashtu sikurse është shprehur krenar që LSI-ja do të ketë ministren më të re në qeverinë e re.
“Absolutisht që unë kam qenë personalisht i bindur se pavarësisht nga vështirësitë dhe pavarësisht se procesi i integrimit nuk varet thjesht nga kjo ministri apo nga ministrja e ardhshme, LSI-ja nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për të kontribuuar në mënyrë të veçantë për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë. Kjo është një sfidë që ne do ta përballojmë të gjithë së bashku jo thjesht si LSI, jo thjesht si një mazhorancë e re, por në bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe qytetarët shqiptarë, të cilat e duan Shqipërinë të integrohet më shpejt në Evropë dhe të zërë vendin që i takon dhe e meriton. Dhe në radhë të parë këtë e kërkojnë të rinjtë”, tha Lideri i LSI-së, i cili shtoi se ndihet shumë krenar që forca politike e drejtuar prej tij do të ketë deputeten më të re të parlamentit që vje
n.
“Unë jam i sigurt se kur të flasë Kejdi në Kuvendin e Shqipërisë të gjithë ju do të ndiheni krenarë dhe do të ndiheni të përfaqësuar, sepse Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për zërin e të rinjve dhe të rejave dhe kjo do të jetë një gjë shumë e mirë. Sepse për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë do të hyjë dikush që ka lindur pas dhjetorit ‘90. Sepse në këto 23 vjet rreth 80% e diskutimeve që janë bërë në parlamentin e Shqipërisë i referohen çështjeve, që kanë të bëjnë me të kaluarën, para viteve ‘90. Kështu që për ne është shumë e rëndësishme angazhimi i të gjithëve dhe sidomos i atyre që kanë lindur pas 1990-s për t’iu thënë që ne nuk duam të jetojmë me të kaluarën, në duam të jetojmë me të ardhmen dhe ne kemi vizionin se si kjo e ardhme mund të ndërtohet më mirë dhe më shpejt”, deklaroi z. Meta.
Ndërkaq, kryetari i LSI-së tha se çelësi i suksesit në zgjedhjet e 23 qershorit ka qenë se ka qëndruar me këmbë në tokë dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë arrogance.
“Unë besoj se suksesi ynë ka qenë gjithmonë se kemi qenë një forcë politike gjithnjë me këmbë në tokë. Është shumë ë rëndësishme dhe pas këtij suksesi të vazhdojmë të qëndrojmë fort me këmbë në tokë që do të thotë se arroganca, siç u konfirmua edhe nga zgjedhjet e 23 qershorit nuk është forcë, por është dobësi, sidomos e atij që mendon se është në pushtet dhe që ka pushtet ndaj të tjerëve. Për ne është e domosdoshme të tregojmë vizionin tonë, përgjegjshmërinë tonë, sepse vendi ka shumë probleme dhe nuk ka nevojë për arrogancë dhe për frymë përjashtimi, por ka nevojë për modesti, për përgjegjshmëri dhe për gjithëpërfshirje”, u shpreh z. Meta.
Sipas tij, vendi ka shumë probleme, por ai asnjëherë nuk ka bërë pjesë tek ata politikanë dembelë, të cilët nuk durojnë dot të punojnë çdo ditë në mënyrë që të vijë rezultati pas gjashtë muajsh, pas një viti apo pas katër vjetësh. “Por ndryshimi do të ndodhë duke punuar të gjithë çdo ditë. Ndryshimet e përditshme, qofshin edhe të vogla, sjellin ndryshime të mëdha në një kohë të caktuar, prandaj edhe ne duhet të punojmë çdo ditë, jo vetëm për përgjegjësitë që ne do të kemi në qeverisjen e vendit, por edhe në angazhimin tonë si LSI për të mbajtur premtimet tona dhe për të ruajtur dhe zgjeruar lidhjet me anëtarë dhe simpatizantët tanë në të gjithë vendin dhe për të reflektuar problemet dhe shqetësimet e tyre në qeverisjen e vendit. Kjo është shumë e rëndësishme”, theksoi Lideri i LSI-së.
Duke folur për eksperiencën e tij politike, z. Meta nënvizoi edhe një herë besimin tek të rinjtë dhe të rejat, sepse ai vetë e ka nisur politikën në moshë shumë të re dhe është ndeshur gjithmonë me skepticizmin e më të rriturve e njëkohësisht ka qenë dëshmitar i atyre hapave të mëdha që ka pësuar Shqipëria falë guximit të të rinjve.
“Nuk ndodhte kurrë dhjetori i viti ‘90 pa guximin dhe pa kurajën e të rinjve dhe të rejave studentë të asaj kohe. Pavarësisht se e gjithë shoqëria ishte e bindur dhe e ndërgjegjshme se nuk mund të vazhdohej më në këtë mënyrë. Edhe sot Shqipëria nuk mund të ecë më shpejt absolutisht pa një angazhim më të madh të të rinjve dhe te rejave. Prandaj dhe ne jemi mjaft të impenjuar për ta rritur këtë angazhim, për të rritur përfaqësimin tuaj, sepse në këtë mënyrë shumëfishojmë energjitë pozitive të politikës shqiptare por edhe të gjithë shoqërisë sonë”, tha Lideri i LSI-së.
“Dhe një gjë tjetër na mësoi kjo fushatë, që nuk fitohen më vota në Shqipëri përmes politikave agresive dhe konfliktuale dhe ky ishte një mesazh shumë i rëndësishëm që dhanë qytetarët, të rinjtë dhe të rejat tona. Ne ishim shembulli më i mirë i një fushate qytetare konstruktive pozitive, i mesazheve të qarta të cilat kanë të bëjnë me interesin e përditshëm të qytetarëve tanë, të rinjve dhe të rejave tona dhe asnjëherë nuk i kushtuam vëmendje konflikteve apo polemikave edhe kur të tjerët na provokonin. Ne duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë të jemi një forcë pozitive. Sepse vendi dhe qytetarët janë të lodhur nga politikat e konflikteve dhe të akuzave bajate”, vijoi z. Meta, i cili i kujtoi të pranishmëve se ai asnjëherë nuk kishte lëvizur nga bindja te fitorja e 80 mandateve nga ana e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në zgjedhje.
“Besimi ka qenë i bazuar tek leximi i një dëshire për ndryshim, tek dëshira për t’i thënë jo një politike që trysnon çdo ditë qytetarët, tek dëshira për t’i thënë jo një politike ku qeveria synon të bëjë lajme sa më shumë dhe jo të sjellë rezultate sa më shumë. Edhe në politikë si edhe në fusha të tjera, ato që flasin në fund janë veprat dhe nuk janë fjalët. Prandaj tani është koha për veprim që të ecim më shpejt”, theksoi ai.
Gjithashtu, Kryetari i LSI-së u zotua se do të sjellë në Kuvendin e Shqipërisë një frymë pozitive dhe bashkëpunimi larg konflikteve dhe provokimeve.
“Unë shpresoj të zgjidhem Kryetar i Kuvendit të ri dhe të përpiqemi bashkë edhe me Kejdin si deputeten më të re dhe me shumë të tjerë të sjellim një frymë pozitive, një frymë bashkëpunimi larg atyre konflikteve sistematike, larg atij protagonizmi arkaik, që ndërtohet vetëm mbi tensionin dhe provokimin e palës tjetër. Unë jam i bindur se kjo frymë pozitive që ne kemi sjellë dhe do ta shtojmë më tej do të reflektojë edhe në të gjithë politikën shqiptare dhe kjo falë jush, falë të rinjve dhe të rejave. Jam i bindur se në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë të sjellim risi, do të vazhdojmë të sjellim
ndryshime të rëndësishme”, theksoi z. Meta.
Sipas tij, LRI-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë shembulli më i mirë në të gjithë politikën shqiptare të barazisë gjinore dhe ky shembull mjaft pozitiv që ka qenë te LRI-ja tani është përqafuar edhe nga LSI. Z. Meta shprehu bindjen se LSI-ja do të vazhdojë të sjellë energji të reja, ide të reja, sepse është një forcë e cila është e ndërtuar në radhë të parë në besimin tek të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. Mes të tjerave Lideri i LSI-së ka falënderuar Ambasadorin e SHBA-së, z. Alexander Arvizu dhe Ambasadorin e BE-së, z. Ettore Sequi, të cilët iu përgjigjën pozitivisht ftesës për të komunikuar me të rinjtë e LRI-së. Gjithashtu, ai ka falënderuar edhe Kryetarin e Bashkisë së Himarës, z. Gjergji Goro, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij kampingu.
Ndërkaq, edhe Ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu ka përshëndetur shkurtimisht të rinjtë e LRI-së dhe i ka përgëzuar për punën e mirë që kanë bërë në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Dua t’ju përgëzoj të gjithëve për një performancë të jashtëzakonshme gjatë zgjedhjeve. Dhe duket qartë se çfarë organizimi është dashur për të krijuar këtë natë sot. Ky është një shembull shumë i mirë i dedikimit dhe i punës së palodhur që keni bërë ju të gjithë gjatë kësaj fushate. Dhe siç e thatë edhe ju, është një festë e madhe, ka arsye për të festuar, por është gjithashtu një detyrë e madhe. Dhe në qoftë se ju i përgjigjeni sfidave që ka vendi me të njëjtin pozitivitet, me të njëjtin seriozitet atëherë ju do të keni sukses. Dhe gjëja e fundit, kur shikoj energjinë që projektohet nga gjysma e njerëzimit, pra njerëz si Klajda, si Erisa, si Kejdi, të gjitha vajzat, kjo tregon vizionin që ju keni për të ardhmen”, tha Ambasadori i SHBA-së, Arvizu.
Edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dha një mesazh për të rinjtë e të rejat e LRI-së. Ai theksoi se shpreson dhe beson se me energjinë e treguar, të rinjtë dhe të rejat do të jenë në gjendje që të kontribuojnë për ndërtimin e një Evrope më të mirë.
“Jam shumë i kënaqur dhe i prekur që ndodhem mes jush. Unë e pashë energjinë pozitive tek ju, tek mënyra sesi e organizuat këtë kamp. Jam i sigurt që këtë energji ju do ta përdorni edhe për të ndërtuar vendin sepse në fund të fundit ju jeni lidershipi që do të udhëhiqni të ardhmen e këtij vendi. Jam shumë i gëzuar që do të flasim për Bashkimin Evropian. Integrimi në Evropë ka të bëjë shumë me transformimin. Kam shumë shpresë dhe besim që me këtë energji që ne shohim, ju do të jeni në gjendje që të kontribuoni për ndërtimin e një Evrope më të mirë. Mua më pëlqejnë shumë të rinjtë shqiptarë për këtë energji që ata zotërojnë. Jam plotësisht i bindur se Evropa ka nevojë për një injeksion të kësaj energjie pozitive. Jam i sigurt që ju do të jeni një kontribut i madh në këtë drejtim sepse ne kemi nevojë për energjinë tuaj”, deklaroi diplomati i Bashkimit Evropian.
Pas akomodimit në ditën e parë të rinjtë janë njohur fillimisht me rregulloren e partive politike për të vazhduar me trajnime të ndryshme në ditën e dytë të kampingut. Ai që ka ngritur siparin ka qenë pikërisht ambasadori i BE në Tiranë, z. Ettore Sequi, i cili ka referuar në seminarin me temë “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”.