L.Rama : Reforma në drejtësi dhe ajo territoriale administrative janë prioritete për Shqipërinë

L.Rama : Reforma në drejtësi dhe ajo territoriale administrative janë prioritete për Shqipërinë

LuanRama.13.05.2014

Luan Rama pritet në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Drejtori për Çështjet e Europës Juglindore, z. Jonathan Moore.

L.Rama : Reforma në drejtësi dhe ajo territoriale administrative janë prioritete për Shqipërinë

Anëtari i Komisionit të Sigurisë, z. Luan Rama pritet në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Drejtori për Çështjet e Europës Juglindore, z. Jonathan Moore.

Gjatë qëndrimit në Washington DC, ku gjendet me ftesë të Komunitetit Hebraik Amerikan (AJC) për të marrë pjesë në Forumin Global për çështjet e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik, anëtari i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë, z. Luan Rama u prit në një takim të veçantë në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve nga Drejtori për Europën Juglindore, z. Jonathan Moore.

Deputeti Luan Rama iu përgjigj interesimit të z. Moore për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe ecurinë e reformave. Një vend të veçantë gjatë bisedimit zuri edhe rëndësia që merr dialogu dhe partneriteti politik për suksesin e këtyre reformave.

Z. Rama theksoi se reforma në drejtësi dhe ajo territoriale administrative janë prioritete për Shqipërinë, të cilat realisht kanë nevojë për konsensus politik dhe për bashkëpunimin e opozitës, por nuk mund të pengohen për interesa parciale.

Gjithashtu z. Luan Rama nënvizoi rëndësinë e veçantë që merr forcimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me SHBA, si partnere strategjike dhe fondamentale për Shqipërinë.

Z. Luan Rama vuri në dukje gjithashtu se “është e rëndësishme që reformat në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes të zhvillohen në konsultë dhe partneritet të ngushtë me NATO-n dhe SHBA”.

Nga ana e tij, z. Jonathan Moore, pasi e falenderoi z. Rama për vizitën dhe shpjegimet që dha, theksoi se SHBA do të vazhdojë t’a mbështesë Shqipërinë në rrugën e reformave në interes të forcimit të rolit të Shqipërisë në rajon, si vend anëtar i NATO-s.

Gjatë qëndrimit në Washington, përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti z.Luan Rama dhe Këshilltari i Kryetarit të Kuvendit për Politikën e Jashtme, z. Ralf Gjoni, u pritën gjithashtu në Kongres dhe u takuan me përfaqësues të Komisionit Amerikan të Helsinkit, Fondacionit Open Society dhe Institutit Demokratik Amerikan NDI.