Kryetarja e LGI-së, znj. Klajda Gjosha mori pjesë në një takim me të rinjtë në qytetin e Pogradecit bashkë me kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit, znj. Diana Mile

Kryetarja e LGI-së, znj. Klajda Gjosha mori pjesë në një takim me të rinjtë në qytetin e Pogradecit bashkë me kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit, znj. Diana Mile

KlajdaGjosha.01.05.2015

Gjosha: Jam e bindur që znj. Mile ka gjithë vizionin për të sjellë ndryshimin në këtë qytet kaq të bukur

Gjosha: Duke transformuar Pogradecin do të mund të transformohet jeta e qytetarëve, do të ketë një ekonomi më të zhvilluar e më shumë punësim

Gjosha: Unë jam krenare që ne po mbështesim sot një kandidate grua, duke sjellë një energji të re, një shpirt të ri në këto zgjedhje

Mile: Bashkë do të zgjedhim projektet për të zhvilluar Pogradecin, bashkë do t’i zbatojmë dhe po bashkë do të shijojmë frytet e kësaj pune

Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, znj. Klajda Gjosha mori pjesë në një takim me të rinjtë dhe të rejat në qytetin e Pogradecit, së bashku me kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit, znj. Diana Mile.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetë të Qarku Pogradec dhe drejtues të FRESH-it dhe LRI-së së këtij qyteti.

Në falën e saj para pjesëmarrësve, kandidatja për kryetare e Bashkisë Pogradec, znj. Diana Mile siguroi të rinjtë se projektet për të zhvilluar qytetin e do të zgjidhen dhe do të zbatohen bashkërisht me komunitetin. Znj. Mile falënderoi qytetarët pogradecarë për besimin ndaj këtij angazhimi që ajo ka ndërmarrë për të garuar për postin e kryetares së bashkisë.

“Bashkë do të zgjedhim projektet për të zhvilluar qytetin e Pogradecit, bashkë do t’i zbatojmë dhe po bashkë do të shijojmë frytet e kësaj pune.

Unë ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë takim, që tregon besimin tuaj ndaj këtij angazhimi që unë kam ndërmarrë për të garuar për postin e kryetares së bashkisë”, – tha znj.Mile.

Gjithashtu, kandidatja e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” deklaroi se objektivi kryesor në alternativën dhe platformën e saj është që qyteti i Pogradecit t’u rikthehet të rinjve.

“Të mos lejojmë më që djemtë tanë të çohen në mëngjes me dëshirën për të ikur nga ky qytet. Duhet t’u ofrojmë mundësitë e një jete më të mirë këtu në Pogradec”, – shtoi znj. Mile ndër të tjerash.

Ndërsa, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe njëkohësisht e deleguara e LSI-së për qytetin e Pogradecit, znj. Klajda Gjosha, u shpreh gjatë fjalës së saj se zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë zgjedhjet e qytetarëve, ndaj edhe energjia e të rinjve sipas znj. Gjosha është e domosdoshme që kjo votë të shkojë për alternativën më të mirë.

“Unë jam e bindur që znj. Mile ka gjithë vizionin për të sjellë ndryshimin në këtë qytet kaq të bukur, që natyra i ka falur gjithçka dhe që mund të ofrojë mundësi të jashtëzakonshme për turizmin.

Duke transformuar Pogradecin do të mund të transformohet jeta e qytetarëve dhe do të ketë rrjedhimisht një ekonomi më të zhvilluar, e më shumë mundësi punësim”, – tha znj. Gjosha.

Më tej, znj. Gjosha theksoi se vota për një kandidate grua do të jetë vota për një zë më të fortë bashkëpunimi, teksa shtoi se ndihet krenare që pogradecarët mbështesin një kandidate si znj. Mile, e cila sjell një energji të re dhe një shpirt të ri në këto zgjedhje.

“Askush më mirë sesa një grua nuk kupton sfidat që një familje ka, që nga rritja e fëmijëve, edukimi i tyre e kujdesi për gjithçka. Ndaj unë jam krenare që ne po mbështesim sot një kandidate grua, duke sjellë një energji të re, një shpirt të ri në këto zgjedhje”, – u shpreh Kryetarja e LGI-së, znj. Klajda Gjosha.