Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta mori pjesë në takimin e strukturave të PS-së dhe LSI-së në Libohovë, ku u bë edhe prezantimi i kandidates së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Libohovës, znj. Luiza Mandi

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta mori pjesë në takimin e strukturave të PS-së dhe LSI-së në Libohovë, ku u bë edhe prezantimi i kandidates së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Libohovës, znj. Luiza Mandi

Libohove.25.04.2015

Ilir Meta: Jam i bindur në fitoren e padiskutueshme jo vetëm në Libohovë, jo vetëm në Gjirokastër jo vetëm në Tiranë por edhe në gjithë Shqipërinë

Meta: Ne nuk jemi një alternativë perfekte, por jemi pa asnjë diskutim alternativa, jo vetëm më e mirë, por edhe e vendosur për t’u përmirësuar çdo ditë

Meta: Ne momentin më të vështirë e kemi lënë pas dhe tani jemi duke ecur drejt përmirësimit të qëndrueshëm dhe të sigurt të ekonomisë së vendit

Meta: Kandidatja jonë në Bashkinë e Libohovës do të ketë mbështetjen tonë gjatë 4 viteve në mënyrë të vazhdueshme që të realizojë një transformim të këtij komuniteti dhe të kësaj bashkie të re

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në takimin e përbashkët mes strukturat e PS-së dhe LSI-së në Libohovë, ku u bë edhe prezantimi i kandidates së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Libohovës, znj. Luiza Mandi.

Në këtë takim përveç morën pjesë edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, Prefektja e Gjirokastrës, znj. Zamira Rami si edhe deputeti i LSI-së, z. Vangjel Tavo.

Në fjalën e tij përshëndetëse Lideri i LSI-së shprehu kënaqësinë që nisja e këtij turi prezantimesh u bë pikërisht nga Qarku i Gjirokastrës dhe pikërisht nga Libohova.

Z. Meta vlerësoi kandidaten e koalicionit qeverisës për këtë bashki dhe shprehu bindjen se znj. Mandi përkushtimin që ka treguar si mjeke do ta tregojë pas 21 qershorit si kryetare e Bashkisë së Libohovës, duke merituar plotësisht mbështetjen dhe besimin e qytetarëve.
“Do të meritojë edhe mbështetjen dhe besimin tonë si Aleancë për Shqipërinë Europiane.

Unë jam i bindur në fitoren e padiskutueshme jo vetëm në Libohovë, jo vetëm në Gjirokastër jo vetëm në Tiranë por edhe në gjithë Shqipërinë. Do të jetë një rikonfirmim edhe më i fuqishëm se sa zgjedhjet e 23 qershorit. Mund të shikoni koalicionin tonë dhe mund të shikoni edhe koalicionin e opozitës.

Është një diferencë e jashtëzakonshme që tregon qartë se ne nuk jemi një alternativë perfekte, por jemi pa asnjë diskutim alternativa, jo vetëm më e mirë, por edhe e vendosur për t’u përmirësuar çdo ditë, për të reflektuar çdo ditë, për të patur në qendër të vëmendjes edhe shqetësime të cilat ende nuk kanë marrë zgjidhje”, – tha z. Meta.

Kryetari i LSI-së e vuri theksin te reformat e rëndësishme që ka ndërmarrë mazhoranca, mes të cilave edhe reforma administrative-territoriale, që sipas tij do të kenë një impakt afatgjatë dhe të prekshëm për qytetarët.

“Mazhoranca është e angazhuar në disa reforma shumë të mëdha që do të kenë një impakt afatgjatë për zhvillimin ekonomik edhe social të vendit dhe një nga këto reforma është edhe vetë ajo e pushtetit vendor e ndarjes administrative–territoriale që nuk ka qenë një reformë e lehtë për t’u realizuar.

Dhe tani do të kemi një Bashki të re të Libohovës, me një hapësirë të re, me resurse më të mëdha se sa deri tani që ka nevojë për politika zhvillimi që edhe të ripërtërijnë traditat e njohura të Libohovës por edhe njëkohësisht të garantojnë një perspektivë për të gjithë banorët këtu për të ardhmen”, – vijoi z. Meta, duke shpjeguar se kjo reformë administrative territoriale që u realizua nuk ishte thjesht për të reduktuar numrin e jashtëzakonshëm të bashkive e të komunave dhe fragmentarizimin e jashtëzakonshëm të pushtetit vendor.

“Reforma ishte për të sjellë një model të ri të pushtetit vendor me hapësirat e duhura, me resurset e duhura me kapacitetet e duhura për t’u shërbyer realisht qytetarëve, për të krijuar të ardhura për të bërë investime dhe politika zhvillimi që krijojnë perspektivë që krijojnë vende të reja pune në mënyrë të qëndrueshme.

Dhe kjo është një sfidë e jona si mazhorancë që ndërmorëm këtë reformë, kjo është edhe një sfidë edhe e kryetareve që do të zgjidhen duke filluar nga Luiza Mandi këtu dhe kryetareve në të gjithë vendin.

Është një përgjegjësi edhe e vetë qytetarëve që do të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe që do të thonë fjalën e tyre”, – deklaroi Kryetari i LSI-së.

Kryetari i LSI-së në vijim të fjalës së tij u shpreh se qëllimi përbashkët i aleancës është të stabilizojë vendin dhe ta zhvillojë atë në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.

Gjithashtu, z. Meta pohoi se momenti më i vështirë i ekonomisë shqiptare ka kaluar dhe se vendi po ecën drejt përmirësimit të qëndrueshëm.

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë qytetarët.

T’i mbështesim ata për të përballuar vështirësitë dhe sfidat e vazhdueshme, nuk mendojmë që gjërat janë perfekte, përkundrazi vështirësitë janë të mëdha.

Ju e shikoni që edhe Greqia ka vështirësitë e saj të jashtëzakonshme, edhe Italia edhe shumë vende të tjera megjithatë absolutisht që ne momentin më të vështirë e kemi lënë pas dhe tani jemi duke ecur drejt përmirësimit të qëndrueshëm dhe të sigurt të ekonomisë së vendit.

Dhe shumë politika dhe reforma që janë ndërmarrë do të japin rezultatet e tyre në mënyrë të padiskutueshme”, – shtoi z. Meta.

Në fund, Lideri i LSI-së theksoi se sfida e përbashkët është për të demonstruar vendosmërinë e aleancës që këto zgjedhje t’i fitojë në mënyrë jo vetëm bindëse, por t’i fitojë në mënyrë që vërtetë të ndihet një ndryshim cilësor i raportit të bashkive me qytetarët.

“Dhe ne jemi plot optimizëm sepse kandidatja që ne si aleanca sjellim në Bashkinë e Libohovës, edhe pse ajo është nga Libohova dhe është e juaja, absolutisht që meriton vlerësimin tonë dhe do të ketë mbështetjen tonë gjatë katër viteve në mënyrë të vazhdueshme që të realizojë një transformim të këtij komuniteti dhe të kësaj bashkie të re.

Është një reformë që do të japë shumë shpejt frutet e saj dje do të sjelli progres edhe këtu në Libohovë”, – tha gjatë fjalës së tij Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta .

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, duke marrë fjalën në këtë u shpreh i bindur për fitoren e koalicionit qeverisës në bashkinë e Libohovës, ndërkohë që theksoi se PS-LSI do të funksionojnë si një forcë e vetme në këto zgjedhje.

“Unë jam i bindur se në darkën e 21 qershorit Luiza Mandi do të jetë kryetarja e re e Bashkisë së Libohovës.

Ajo është propozuar nga ju, jo vetëm nga qyteti i Libohovës, por edhe nga komunat përreth.

Ajo është një mjeke shumë e zonja dhe do të jetë një përfaqësuese e shkëlqyer e mazhorancës në këtë bashki.

Është shumë e rëndësishme që ne të funksionojmë si PS-LSI, ne jemi një forcë që qeverisim dhe do të quhet që edhe këtë betejë ta bëjmë po ashtu siç e bëmë në 2013-n, së bashku.

E di që tani ka nisur puna për fushatën, por nuk ka dy shtabe, ka vetëm një shtab të përbashkët PS-LSI patjetër edhe aleatët e tjerë, nuk ka asnjë dallim.

Ky bashkëpunim është kyç për fitoren e Bashkisë së Libohovës”, deklaroi ndër të tjera, z. Ahmetaj.

Kandidatja për Bashkinë e Libohovës, znj. Luiza Mandi pasi falënderoi PS-në dhe LSI-së për mbështetjen që i dhanë, premtoi se duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat do të udhëheqë një fushatë pozitiviste dhe u shpreh besimplotë në fitore.

“Shpresoj që së bashku me ju dhe me mbështetjen e qeverisë unë të jem kryetarja e ardhs
hme e Bashkisë së Libohovës, do mundohem së bashku me ju të bëjë më të mirën për të gjithë komunitetin.

Kërkoj një bashkëpunim të plotë nga të gjitha strukturat e partive pjesë të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane dhe të bëjmë një fushatë korrekte e të tregojmë denjësisht se kush jemi ne.

Dhe vërtetë të shpresojmë se do të sjellim ndryshim dhe do të kemi një rrugë të re drejt zhvillimit”, – deklaroi znj. Mandi.

Ndërsa deputeti i LSI-së, z. Vangjel Tavo vlerësoi kandidaten për Bashkinë e Libohovës dhe theksoi se mesazhi i fitores do të vijë pikërisht nga ky qytet.

“Në Libohovë vijmë me kandidaten më të mirë të mundshme. Luiza do të jetë kryetare e Bashkisë së Libohovës falë kontributit tuaj falë kontributit të gjithë këtij komuniteti.

Mesazhi i fitores që koalicionit të majtë do të vijë nga Libohova dhe do të zbres në Gjirokastër dhe do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë dhe këtë e them vërtetë me bindje”, – tha z. Tavo.