Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për kryetar të Bashkisë e Selenicës, z. Kasem Cenaj

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për kryetar të Bashkisë e Selenicës, z. Kasem Cenaj

Selenice.09.05.2015

Ilir Meta: Kemi shumë arsye për të festuar më 9 maj, ditën e fitores mbi fashizmin, veçanërisht populli i Vlorës dhe i Labërisë
Meta: Na vjen keq që PD-ja na ka vënë përpara në Selenicë një kandidat nga Balli Kombëtar më 21 qershor
Meta: Jemi këtu për të treguar se PS-LSI jemi një fuqi e përbashkët, e cila nuk kërkon thjesht të fitojë në Vlorë e Selenicë, por në të gjithë Shqipërinë
Meta: Të gjitha votat për kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe të majtës së bashkuar Kasem Cenaj
Meta: Cenaj është një figurë e njohur, është një djalë i kësaj zone, dhe kandidon në emër të një ndryshimi për Bashkinë e Selenicës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për kryetar të Bashkisë e Selenicës, z. Kasem Cenaj.
Lideri i LSI-së ishte i shoqëruar në këtë aktivitet nga deputeti i LSI-së në Vlorë, z. Shkëlqim Selami, deputeti i PS-së, z. Fatmir Toçi dhe Kryetari aktual i Bashkisë Selenicë, z. Ferdinand Aligjoni.

Duke iu referuar ditës së 9 majit që shënon fitoren mbi fashizmin, kryetari i LSI-së tha se krahina e Selenicës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin e Shqipërisë dhe në luftën Antifashiste-Nacional Çlirimtare.
“Gëzuar 9 Majin ditën e fitores mbi fashizmin.

Ne kemi shumë arsye për të festuar më 9 maj, veçanërisht populli i Vlorës dhe i Labërisë, sepse sot feston e gjithë Europa, por ne kemi arsye më shumë të festojmë sesa shtetet e tjera të Europës, sepse gjyshërit tanë nisën luftën kundër fashizmit, përpara se të luftonte Bashkimi Sovjetik dhe Britania dhe përpara se të hynte në luftë edhe Amerika.

Ndaj dhe ne sot më 9 maj një nderim të veçantë për të gjithë kontributin e popullit të Vlorës dhe veçanërisht të Labërisë.

Na vjen keq që Partia Demokratike na ka vënë përpara një kandidat nga Balli Kombëtar më 21 qershor, megjithatë kjo është një e drejtë e tyre, s’ka asnjë problem”, – tha z. Meta duke folur para komunitetit të Selenicës.

Më tej, Lideri i LSI-së falënderoi kontributin e Kryetarit aktual të bashkisë, z. Aligjoni dhe shprehu besimin se projektet do të vazhdojnë dhe mbështetja e mazhorancës do të jetë maksimale. Z. Meta theksoi se LSI-PS janë një fuqi e përbashkët që nuk do të fitojë vetëm në Selenicë dhe Vlorë, por në gjithë Shqipërinë.

“Dua të falënderoj Ferdinandin për përpjekjet dhe angazhimin që ka bërë gjatë këtyre 4 viteve nën drejtimin e Bashkisë së Selenicës. Dua të shpreh besimin tim se të gjitha projektet do të vazhdojnë dhe do të ketë mbështetjen e madhe për bashkinë e Selenicës, një bashki shumë e madhe me resurse të jashtëzakonshme, për Aleancën e Shqipërisë Europiane dhe për fitoren shumë të madhe që do të marrim në bashkinë e Selenicës më 21 qershor. Ndaj jemi këtu me deputetin Fatmir Toçi, me drejtuesit e LSI dhe PS për të treguar se PS-LSI jemi një fuqi e përbashkët, e cila nuk kërkon thjesht të fitojë në Vlorë dhe Selenicë që nuk diskutohet, por këtu kërkohet një fitore shembullore për një shërbim më të mirë ndaj njerëzve dhe qytetarëve, por kërkohet një fitore shembullore edhe në Shkodër edhe në Kukës por edhe në të gjithë Shqipërinë”, – vijoi z. Meta.

Sipas Kryetarit të LSI-së, mazhoranca kërkon të zgjidhë hallet e qytetarëve dhe problemet e tyre të përditshme, ndërsa PD kërkon bashkitë që t’i përdore për luftë politike kundër qeverisë. Z. Meta vlerësoi edhe kandidaturën e Kasem Cenajt për Kryetar të Bashkisë së Selenicës.

“Ndërsa ne kërkojmë të zgjidhim problemet të cilat deri tani nuk janë zgjidhur dot nga pushteti vendor. Prandaj të gjitha votat për kandidatin e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ dhe të majtës së bashkuar Kasem Cenaj.

Kasemi është një figurë e njohur, është një djalë i kësaj zone, dhe kandidon në emër të një ndryshimi për bashkinë e Selenicës e cila është disa herë më e madhe se bashkia ekzistuese dhe ka disa herë më shumë sfida në administrimin e saj, por ka dhe shumë mundësi dhe resurse, sepse me bitumin e Selenicës janë shtruar rrugët e botës dhe është turp që ne t’i kemi rrugët në këtë situatë”, – theksoi z. Meta, duke shtuar se përmirësimi i infrastrukturës do të jetë një prioritet emergjent dhe se shumë shpejt të gjithë do të kenë mundësi të shohin se çfarë transformimi i jashtëzakonshëm do të ndodhë në këtë zonë.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së foli edhe për investimet në infrastrukturë që do t’i japin një zhvillim të madh Selenicës.

“Rruga e re e standardeve evropiane, ku Selenica do të jetë një qendër e rëndësishme do të jetë një rrugë shumë e rëndësishme që do të lidhë këtë krahinë me Qeparonë dhe Bregun, do të sjellë një zhvillim të veçantë të kësaj zone, do sjellë një fluks lëvizje të jashtëzakonshëm, ashtu sikurse lidhja me Vlorën dhe by-pass-in e ri te Vlorës, dhe me Levan–Fierin, absolutisht do t’i japë një frymëmarrje të gjithë kësaj krahine.

Ndërkohë që mbështetja jonë do të jetë për të zhvilluar bujqësinë, blegtorinë, agro-turizmin, sepse potencialet janë të jashtëzakonshme dhe mbështetja jone e tillë do të jetë, e jashtëzakonshme”, – vijoi z. Meta.

Në fund, Lideri i LSI-së tha se Shqipëria, Vlora dhe Selenica do të jenë në drejtimin e duhur, atë të progresit, të zhvillimit dhe të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe të vëmendjes për rritjen e punësimit.

“Ne do të vijmë vazhdimisht këtu në Selenicë për të ndjekur realizimin e premtimeve të kryetarit të ardhshëm të bashkisë Kasem Cenaj, dhe te Aleancës sonë për Shqipërinë Europiane.

Do vijmë të dëgjojmë shqetësimet tuaja dhe t’i zgjidhim ato. Nuk mendojmë se qeveria ka qenë perfekte, por vështirësitë kanë qenë të gjithanshme dhe ju e dini shumë mirë, por një gjithë është e sigurt, Shqipëria është në drejtimin e duhur, Vlora është në drejtimin e duhur, edhe Selenica do të jetë në drejtimin e duhur, të progresit, të zhvillimit dhe të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe të vëmendjes për rritjen e punësimit, ndaj fitore Kasem Cenaj, fitore të Aleancës Europiane më 21 qershor, fitore në Selenicë dhe në të gjithë Shqipërinë”, – deklaroi ndër të tjerash, Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.

Ndërsa, deputeti i PS-së, z. Fatmir Toçi pasi falënderoi komunitetin e Selenicës për pritjen e ngrohtë, tha se kjo krahina është lënë në harresë ndër vite nga qeveria e mëparshme, duke e lënë jashtë vëmendjes së investimeve dhe të papunë.

“Padyshim dy vjet janë shumë pak për të mbyllur një plagë, por ne kemi nisur një rrugë të mbarë, ne jemi pjesë e atij programi që kemi premtuar dhe kërkojmë vetëm një mirëkuptim nga të gjithë banorët e kësaj zone që të mos e ulin kurrë besimin te kjo forcë qeverisë, pasi çdo gjë që është premtuar do të realizohet një më një për të ndryshuar jetën e banorëve dhe përfundimisht faqen e kësaj krahine, ashtu siç e ka merituar dhe e meriton”, – tha z. Toçi.

Deputeti i LSI-së, Shkëlqim Selami u shpreh gjatë fjalës së tij se populli vlonjate i Selenicës nuk ka nevojë për fjalë, por për punë. “Nuk mund të vinim këtu për të kërkuar votat tuaja nëse do t’iu siguronim infrastrukturën, ujin, mbështetje për bujqësinë. Prandaj Kasem Cenaj e di shumë mirë dhe kjo zonë kërkon që të përveshësh mëngët dhe t’i futesh punës, pasi është lënë
në harresë”, – tha z. Selami.

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë së Selenicës, z. Kasem Cenaj u zotua se do të bëjë maksimumin për të sjellë ndryshimin e kërkuar në Selenicë, që të kthehet në një shembull të mirëqenies.

“Rruga e të ardhmes për të rinjtë tanë të jetë e ligjshme dhe e qëndrueshme. Plaga jonë më e madhe, infrastruktura e munguar, i ka bërë njerëzit e kësaj krahinë të mos arrijnë të sigurojnë mirëqenien që iu takon.

Infrastruktura nuk është luks, por është parakusht për mirëqenie dhe zhvillim. Jam i bindur se me punën tonë të përbashkët dhe me mbështetjen e qeverisë, bashkia e re do të jetë transformuar rrënjësisht. Ndiem krenar për kontributin që më duhet të jap në këto zgjedhje për fitoren tonë”, – tha z. Cenaj.