06 May Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta merr pjesë në prezantimin e kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako
Ilir Meta: Jam i bindur se ky koalicion do të realizojë një fitore shumë domethënëse në të gjithë Shqipërinë dhe pa asnjë diskutim edhe në Bashkinë e re të Durrësit
Meta: Shpreh keqardhjen më të thellë për PD-në që synon bashkitë e qytetarëve për t’i përdorur për luftë politike kundër qeverisë
Meta: Jam i bindur se ky bashkëpunim midis qeverisë dhe Bashkisë së Durrësit ekzistueses, ka dhënë frytet e veta gjatë këtyre 18 muajve
Meta: Konflikti politik është i dëmshëm, aq më tepër kur bëhet fjala për raporte midis bashkive që zgjidhin problemet e përditshme të qytetarëve dhe të qeverisë
Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako. Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i PS-së, Edi Rama si dhe shumë deputetë të LSI-së dhe PS-së të Qarkut Durrës.
Duke iu drejtuar qytetarëve durrsakë, z. Meta shprehu bindjen se ky koalicion do të realizojë një fitore shumë domethënëse në të gjithë Shqipërinë dhe pa asnjë diskutim edhe në bashkinë e re të Durrësit.
“Kjo është një bashki e cila me rastin e reformës administrative-territoriale, e cila hyn në fuqi dhe do të zbatohet për herë të parë në zgjedhjet e 21 qershorit, fiton mundësi të reja për zhvillim, fiton hapësira të reja për zhvillim, projekte pa fund kanë nisur dhe do të nisin. Unë do të doja të përmendja vetëm një prej tyre. Zonën e lirë ekonomike që pritet shumë shpejt të realizohet në Spitallë, ku do të krijohet mundësia jo vetëm për të punësuar të gjithë ata njerëz punëdashës të Durrësit që duan të punojnë, por që do të kërkojë fuqi punëtore edhe jashtë Bashkisë së Durrësit”, – tha z. Meta.
Kryetari i LSI-së shtoi se janë gati shumë projekte, të cilat do të bëjnë të mundur që të zbuten me shpejtësi shumë shqetësime dhe plagë të shoqërisë sonë që ende janë prezente sikurse është papunësia, apo varfëria.
Sipas tij, kjo gjë bëhet vetëm me punë, bëhet vetëm me projekte, bëhet vetëm përmes bashkëpunimit. Z. Meta shprehu keqardhjen që opozita kërkon të përdorë bashkitë për të bërë luftë politike kundër qeverisë.
“Shpreh keqardhjen më të thellë për Partinë Demokratike të cilës i kemi krijuar të gjitha hapësirat që ta zhvillojë luftën politike në Parlament si asnjë opozitë tjetër deri më sot në Shqipëri, falë edhe tolerancës sonë maksimale, por është një gabim shumë i madh të synosh bashkitë e qytetarëve për t’i përdorur për luftë politike kundër qeverisë. Sepse bashkitë janë për të zgjidhur probleme konkrete, probleme të përditshme dhe kjo punë kërkon në radhë të parë pikërisht bashkëpunim me qytetarë, bashkëpunim me qeverinë.
Unë jam i bindur se ky bashkëpunim midis qeverisë dhe Bashkisë së Durrësit ekzistueses, ka dhënë frytet e veta gjatë këtyre 18 muajve, por jam i sigurt që më shumë se sa janë dhënë frytet, gjatë kësaj kohe është mbjellë për të korrur në mënyrë të suksesshme mjaft rezultate thellësisht të prekshme për të gjithë qytetarët e Durrësit dhe të bashkisë së re gjatë katër viteve të ardhshme”, – theksoi z. Meta.
Në fund, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim premtoi mbështetjen më të madhe për fitoren e Vangjush Dakos në Bashkinë e Durrësit.
“Unë besoj se fitorja do të jetë mjaft bindëse, ne kemi respektin më të madh edhe për kandidatët e tjerë, por Shqipëria është në drejtimin duhur dhe Bashkia e re e Durrësit duhet të ecë në këtë drejtim, qytetarët kanë nevojë për një frymë bashkëpunimi për zgjidhjen problemeve të tyre. Konflikti politik është tërësisht i dëmshëm.
Aq më tepër kur bëhet fjala për raporte midis bashkive, që zgjidhin problemet e përditshme të qytetarëve dhe të qeverisë”, – deklaroi ndër të tjerash Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.
Duke marrë fjalën në këtë takim, Kryetari i PS-së, z. Edi Rama deklaroi se kandidatët për kryetarë bashkie duhet të jenë kryepunëtorë, të bashkëpunojnë me qeverinë, të sjellin projekte në dobi të qytetarëve dhe jo si kanë bërë në komunat që drejtohen nga Partia Demokratike, që nuk u japin qytetarëve as ndihmën ekonomike.
“Prandaj të votosh kandidatët e Partisë Demokratike do të thotë ta çosh votën kot, pasi edhe sikur të fitojnë, nuk kanë asnjë mundësi të bëjnë punë. Vangjush Dako është njeriu i duhur për të drejtuar qytetin e Durrësit.
Duke votuar dhe zgjedhur kandidatët tanë të Aleancën për Shqipërinë Europiane, e cila është një fuqi për të çuar përpara një projekt, keni votuar projektin e duhur të ardhmes së tyre dhe të Shqipërisë Europiane”, – u shpreh Rama.
Kryetari i PS-së u ndal edhe te investimi i biznesit dhe fermerëve si një mundësi për rigjenerimin e ekonomisë dhe i shtimit të vendeve të punës, si dhe theksoi se procesi i legalizimeve në Durrës ka qenë shumë inkurajues dhe se në 18 muaj janë legalizuar shumëfish me shumë sa ish-mazhoranca ka legalizuar në shumë vjet.
“Prandaj vota për kandidatët tanë dhe Vangjush Dakon, është mundësia me e mirë për qytetarët dhe të ardhmen e tyre. Mundësia për të bërë më shumë është para nesh dhe tani që e kemi çuar në drejtimin e duhur, besoj se do kemi edhe një mbështetje më të madhe seç patëm 4 vjet më parë për Vangjushin.
Këto nuk janë zgjedhje politike. Vota në këto zgjedhje nuk ndryshon asgjë në Tiranë, këto janë zgjidhje se çfarë do të bëhet për qytetin. Janë zgjedhje për të vendosur se sa përmes bashkëpunimit me qeverinë, Bashkia e Durrësit do të jetë në gjendje të stimulojë investimet private.
Në këto zgjedhje realisht qytetarët që do të shkojnë të votojnë më 21 qershor do të zgjedhin një kryepunëtor dhe nuk do të vendosin ngjyrën politike që ka më shumë apo më pak vota”, u shpreh z. Rama.
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për kryetar të Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako gjatë fjalës tha qeveria e mëparshme jo vetëm që nuk e mbështeti Durrësin, por ishte edhe dashakeqe.
“Kanë hedhur baltë në projektet tona vetëm për shkaqe politike. Kemi sfida të mëdha. Bashkia dhjetëfishohet në territor. Ky vizion i përbashkët, kjo eksperiencë pune më bën besimplotë se do t’ia dalim”, – tha Dako, teksa më tej falënderoi mazhorancën për besimin që i ka dhënë duke e kandiduar për të tretën herë.
“Është dita e parë zyrtare si kandidat për kryetar i Bashkisë së Durrësit. Dua të flas me ju njësoj siç kemi folur në këto 8 vite, ku jemi takuar nëpër rrugë, nëpër sheshe, nëpër zyra, sepse kjo është mënyra e drejtpërdrejtë . Unë dua të falënderoj Edi Ramën dhe Ilir Metën, dy miqtë e mi të cilët besuan tek unë dhe më rikandiduan për herë të tretë. Kjo është një çështje besimi.
Ky është besim që kërkon kushdo qytetar që kërkon të kandidojë, është besimi dhe vetëm besimi, kjo fjalë e cila i mbyll të gjitha fjalët që unë do të them. Është besim që unë kërkoj nga ju sepse ju keni qenë dëshmitarë të punës sonë të përbashkët, të shumë vendimmarrjeve që kemi ndërmarrë, por mbi të gjitha jeni dëshmitarë të transformimeve të mëdha që ka pësuar ky qytet në këto 8 vite që unë kam drejtuar”, – theksoi z. Dako ndër të tjerash.