13 Feb Kryetari i LSI
Kryetari i LSI z.Ilir Meta konferencë shtypi për gjendjen e rënduar të zonave malore të vendit Jemi të shqetësuar në lidhje me situatën e rënduar nga reshjet e dëborës dhe nga i ftohti i cili sa vjen e bëhet edhe më i ashpër veçanërisht në zonat më të thella malore të vendit.
Përveç kësaj jemi mjaft të shqetësuar për mungesën e energjisë elektrike në përgjithësi për të gjithë vendin por në veçanti për këto zona të cilat pjesërisht janë izoluar pasi kjo ka vëne në një situatë bllokuese shkollat apo institucionet shëndetësore në disa rrethe dhe sidomos në shumë komuna në Shqipërinë Veri-Lindore.
Ndaj LSI-ja e prekopuar për këtë situatë që vjen duke u rënduar kërkon nga qeveria aktuale që të marrë masa të menjëhershme në mënyrë që jo vetëm qarkullimi në akset rrugore kombëtare të jetë i garantuar por njëkohësisht të mos harrojnë dhe të mos të sillen me neglizhence dhe përçmim për shumë zona të tjera për shumë komuna të vendit që tashmë e kanë humbur komunikimin me qëndrat e prefekturave dhe me vendin.
Kemi paralajmëruar para 2-muajsh Qeverinë nisur edhe nga përvoja aspak e këndshme e vitit të kaluar për rëndimin e situatës që të marrë masa në mënyrë që të parandalojë një situatë izolimi dhe bllokomi të zonave të tëra të vendit. Njëkohësisht besojmë se është e domosdoshme që një herë e mirë situata të tilla të mos konsiderohen më si situata emergjente. Pra që shteti dhe strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithëshme të Rrugëve por njëkohësisht edhe të njësive të pushtetit vendor të përballojnë me normalitet situata të tilla. Pasi dihet se rreshjet e dëborës dhe trashësia e saj edhe në shumë vende të tjera si p.sh në Kosovë është në nivele të tilla. Por që situata atje është normale sepse ka struktura të përhershme të specializuara ka mjete të gatshme për të ruajtur normalitetin e qarkullimit dhe të komunikimit. Në këtë drejtim Qeveria nuk duhet të ngurrojë edhe duhet të kërkojë ndihmë nga autoritetet e Kosovës të cilat edhe më parë kanë qenë të gatshme për të kontribuar pasi kanë një përvojë edhe një traditë të shkëlqyer në këtë drejtim.
Por njëkohësisht dëshiroj që të theksoj se “zgjatja e orëve të mungesës së energjisë elektrike është një tjetër kërcënim serioz veçanërisht në zonat e thella në Veri të vendit por edhe në shkollat dhe qendrat shëndetësore.
Pyetje/ Cili është komenti juaj për 100-ditëshin e qeverisë Berisha?
Mendoj se të gjithë shqiptarët nuk kanë më nevojë që të presin edhe disa orë derisa z.Berisha të realizojë fiks 100-ditë nga votëbesimi i kësaj qeverie. Sikurse e kemi shprehur edhe dje në Parlament më rastin e diskutimit të projektbuxhetit këto 100-ditë kanë treguar qartë se kemi përballë një qeveri e cila sillet në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme me elektoratin i cili e ka votuar aq sa e ka votuar dhe me gjithë qytetarët e vendit. Duke pasur parasysh edhe faktin se si u soll dje Kryeministri Berisha që në një seancë kaq të rëndësishme për diskutimin dhe miratimin e projektbuxhetit që është një akt që nuk ka të bëjë vetëm thjesht me qeverinë por ka të bëjë me të gjithë qytetarët me taksapaguesit shqiptarë. Mënyra arrogante e sjelljes mungesa për një kohë të gjatë e shumicës së kabinetit qeveritar gjatë diskutimit të këtij projektbuxheti njëkohësisht mungesa e transparencës me shifrat që janë shifrat më të dobëta që ka pasur ndonjëherë projektbuxheti veçanërishtë këto 8-vitet e fundit tregojnë se kjo është një Qeveri që nuk të jep asnjë shpresë për të mbajtur as minimumin e premtimeve elektorale. Dhe më e keqja është se kjo është një qeveri që nuk ka aftësi që të reflektojë edhe të kuptojë që nuk mund të qeverisë në këtë mënyrë ose nuk mund të gënjejë e mashtrojë përsëri shqiptarët me ato premtime që të gjithë i mbajnë mend nga fushata.
Ne përveç qëndrimit të qartë kundër këtij projektbuxheti të paraqitur si një projektbuxhet i cili rrezikon plotësisht jo vetëm rritjen ekonomike të vendit por edhe standartin social të shtresave më të gjera të Shqipërisë ku mjafton të shohim protestën e mijëra pensionistëve në bulevardin kryesor nuk mund ta votojmë dhe ta mbështesim. Megjithatë për të qenë seriozë me elektoratin tonë që ne përfaqësojmë do të bëjmë propozimet tona konkrete për përmirësime të mundshme. Kjo është një qeveri që jo vetëm nuk di të qeverisë por njëkohësisht nuk di as të reflektojë. 0x323030352d31322d3230 13:47)