02 Mar Kryetari i LRI-së, Kristian Kina: Largimi I të rinjve, Urgjencë Kombëtare. Ja propozimet tona që të rinjtë të mos braktisin Shqipërinë
Me anë të kësaj konference, dëshirojmë që të bëjmë publik edhe njëherë një studim të fundit të bërë nga BERZH, “Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”.
Sipas këtyre gjetjeve, BERZH na ka dhënë një sinjal katastrofik dhe alarmant për atë që ne e kemi denoncuar prej kohësh, emigrimi masiv që është në trajtën e një genocidi për shqiptarët.
BERZH na tregon se sipas sondazhit të fundit të Gallup: Shqipëria ishte ndër 10 vendet e para në botë ku të paktën gjysma e popullsisë do të donte të ikte jashtë vendit.
Pra, në këtë sondazh dallohet qartë se ne kemi lënë mbrapa madje, dhe shumë shtete afrikane, në raport me dëshirën e tyre për të lënë vendin. Pra, me pak fjalë, jemi shumë herë më keq se edhe shumë vende në Afrikë.
Analiza e BERZH vazhdon.
Sipas saj, arsyeja kryesore për këtë emigracion masiv është QEVERISJA E DOBËT. Pra, tashmë nuk jemi më thjesht në kuadrin e denoncimeve opozitare, por e faktuar dhe e racionalizuar nga një institucion kaq prestigjoz si BERZH.
Sipas studimit të BERZH, nga përvoja aktuale dhe e kaluar e emigracionit, një tjetër arsye madhore për këtë emigracion kaq masiv në Shqipëri është KORRUPSIONI.
Në një shtet normal, në një kohë normale të gjithë do të alarmoheshim nga këto tregues. Por, në fakt, qytetarët shqiptarë kanë dëgjuar e parë kaq shumë skandale e afera nga Rilindja, saqë asgjë nuk u bën me çudi.
Një orë e më parë, qeveria duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për t’a trajtuar këtë fenomen, si Urgjencë Kombëtare.
Të rinjtë e këtij vendi janë aseti më i madh që Shqipëria disponon, prandaj duhet bërë gjithçka është e mundur, që ata të zgjedhin qëndrimin në Shqipëri dhe të ndërtojnë jetën e tyre këtu.
Partia e Lirisë ka prioritet absolut të rinjtë shqiptarë dhe është e zotuar të bëjë gjithçka, me qëllim që Shqipëria të bëhet një vend i banueshëm dhe atraktiv për ta.
Ne do të bëjmë gjithçka që:
– Të sigurojmë një përkrahje dhe fokus me të madh për arsimin, duke e çuar në nivelin 5% të GDP.
– Të ulim kostot e studimit dhe jetesës.
– Të ndërmarrim politikat e duhura studimore, që të kemi një ndërlidhje më të fortë midis tregut të punës dhe drejtimit universitar.
– Do të bëjmë gjithçka që të kemi vende pune dhe paga dinjitoze për studentet e sapodiplomuar.- Po ashtu, të rrisim grantet për të rinjtë që kanë një ide Start-Up, por që nuk kanë mundësi financiare për implementimin e këtyre ideve.
– Të rritet vemendja ndaj shkollave profesionale dhe inkurajimi i çdo të riu që ka zgjedhur të studiojë një degë të tillë.
– Inkurajimi dhe lehtësimi për investimet financiare për çiftet e reja etj.
Partia e Lirisë e ka pasur, e ka dhe do ta ketë gjithmonë RININË, në qendër të programit të saj.
Për ne, e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë i përket vetëm të rinjve!