26 Feb Kryetari i LRI, Kristian Kina: Mbështesim protestat e fermerëve. Të hiqet tatimi 20% në shitje
Varfërimi i çdo familjeje shqiptare, falimentimi i çdo sipërmarrësi të ndershëm dhe përqëndrimi i ekonomisë përmes oligarkisë ka qenë dhe mbetet qëllimi i vetëm ekonomik i Qeverisë.
Defiçiti tregtar i Bujqësisë në krahasim me vitin 2020 është rritur me 31,6 % dhe vetëm vjet importet e perimeve dhe frutave u rritën me 46%, në dëm të prodhimeve bio “Made in Albania”, që kanë rënë me 9.5%
Është kjo arsyeja pse fermerët në Bashkitë e Fierit, Roskovecit dhe Dimalit janë në prag falimenti dhe po mendojnë si të vetmen zgjidhje, largimin nga vendi.
Të vjedhur dhe të braktisur nga “Rilindja” ata kanë vendosur së fundmi të bojkotojnë edhe vjeljen e produkteve bujqësore që kultivojnë për shkak se grumbulluesit u kanë ofruar çmime qesharake për blerjen e produkteve, që nuk justifikojnë as shpenzimet e tyre.
Partia e Lirisë mbështet kërkesat e drejta dhe lehtësisht të realizueshme të fermerëve të mrekullueshëm të Bashkive Fier, Roskovec dhe Dimal, këtyre trevave punëdashese, pjellore dhe me potencial të jashtëzakonshme për prodhim dhe mirëqenie, që prej kohësh janë në protestë.
Konkretisht ne përkrahim propozimet e tyre për:
1. Vlerësimin real të çmimit të produkteve bio, mbështetur mbi kostot reale të shpenzimeve.
2 – Krijimin e bursës për transparencën e çmimeve ndaj fermerëve.
3. Blerjen me faturë TVSH-je nga grumbulluesit dhe nevojën për kontrollin shtetëror të peshorëve në pikat e grumbullimit.
Për Partine e Lirisë, bujqësia është prioritet kombëtar.
Në mënyrë që fermerët e mrekullueshëm të Fierit, Roskovecit, Dimalit dhe të gjithë Shqipërisë të mos i hedhin produktet e tyre në kanal, që djersa, mundi, sakrificat dhe investimi të mos t’u shkojë dëm, Partia e Lirisë ka propozuar dy nisma konkrete për të mbështetur prodhimet “Made In Albania”:
1. Heqjen e tatimit 20% në shitje
2. Rritjen e tarifave doganore për produket e importit për të mbështetur prodhimet vendase.
Loja me “Ballkanin e Hapur” që pati “sukses të madh” për të shkaterruar prodhimin tone vendas duke hequr çdo mbështetje për prodhuesit dhe fermerët tanë duhet të marrë fund.
Është skandaloze situata me subvencionet për bujqësinë.
Subvencionet janë shumë herë më të ulta se në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut dhe si të mos mjaftonte kjo, por edhe fondet europiane të IPARD janë vjedhur dhe shpërdoruar në mënyrë flagrante ndaj dhe janë bllokuar.
Ndryshimi rrënjësor i masës së subvencionit është një nga masat më prioritare për t’i bërë produktet bujqësore shqiptare konkurruese dhe me çmime kompetitive në tregun vendas dhe ndërkombëtar.
Kjo situatë ekonomike po thellon në mënyrë kritike varfërinë dhe po polarizon shoqërinë shqiptare duke thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.
Ne angazhohemi për një model ekonomik, që stimulon iniciativën dhe tregun e lirë, konkurrueshmërisë dhe mirëqenie për të gjithë, sidomos për fermerët e mrekullueshëm që vuajnë sot kostot e rënda të keqqeverisjes.