Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, merr pjesë në çeljen e sezonit turistik në Velipojë dhe në prezantimin e kandidates për Bashkinë Shkodër, znj. Keti Bazhdari

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, merr pjesë në çeljen e sezonit turistik në Velipojë dhe në prezantimin e kandidates për Bashkinë Shkodër, znj. Keti Bazhdari

IlirMeta.01.05.2015

Ilir Meta: 21 qershori, datë shumë e rëndësishme, sepse keni mundësi që t’i jepni jetë dhe nxitje të fortë një projekti të madh dhe transformues të qytetit ‘Keti për Shkodrën’

Meta: Projekti “Keti për Shkodrën” është i suksesshëm, sepse është një projekt i nisur nga vetë komuniteti i Shkodrës.

Meta: Votoni për Keti Bazhdarin, që Bashkia e re e Shkodrës të jetë një simbol në të gjithë Shqipërinë i përkushtimit për të arritur standardet evropiane në shërbimin ndaj qytetareve nga Velipoja e deri në Theth
Meta: Është meritë e Ketit që Bashkia e Shkodrës ka garën më të bukur në të gjithë Shqipërinë për 21 qershorin.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, mori pjesë në çeljen e sezonit turistik në Velipojë dhe në aktivitetin e organizuar me këtë rast, “Summer Fest Velipoja 2”.

Në këtë aktivitet, z. Ilir Meta shoqërohej nga kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për bashkinë Shkodër, znj.

Keti Bazhdari dhe nga deputetët e Shkodrës, z. Agron Çela, znj. Mimoza Hafizi dhe z. Namik Kopliku.

Në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitetin ku ishin tw pranishëm me qindra banorë të zonës, por edhe anëtarë dhe mbështetës të shumtë të Lëvizjes Rinore për Integrim dhe të Forumit Rinor Socialist, Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta uroi për një sezon të mbarë turistik dhe theksoi se tha se Bashkia e re e Shkodrës do të bëjë gjithçka edhe me mbështetjen e qeverisë në mënyrë që standardi në Velipojë të jetë ai më i merituari.

“Dua të uroj të gjithë banorët e Velipojës dhe të gjithë Shkodrës një sezon të mbarë turistik, një sezon të mbarë pranveror dhe veror dhe jam i sigurt se vitin tjetër kushtet do të jenë akoma më të mira për arsye, sepse Bashkia e re e Shkodrës, për të cilën ju do të votoni në 21 qershor, do të bëjë gjithçka edhe me mbështetjen e qeverisë, edhe me mbështetjen e deputetëve, në mënyrë që standardi këtu në Velipojë për të gjithë pushuesit të jetë ai më i merituari, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat për të pasur më shumë mundësi, jo vetëm për të pushuar, por edhe për t’u argëtuar”, – tha z. Meta.

Z. Meta tha se janë bërë shumë projekte gati të cilat do ta transformojnë tërësisht Velipojën, duke e bërë atë atraktive, jo vetëm për të gjithë shkodranët dhe të gjithë shqiptarët, por edhe për turistët e huaj.

“Unë besoj se 21 qershori është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë ju, sepse keni mundësi që t’i jepni jetë dhe t’i jepni një nxitje të fortë një projekti të madh dhe transformues të qytetit ‘Keti për Shkodrën’.

Është një projekt i krijuar nga ju, nga vetë ambienti dhe mjedisi shkodran. Keti para disa vitesh ka qenë një prej jush, edhe ka arritur me vizion, me pasion, me këmbëngulje, jo vetëm të studiojë, jo vetëm të fillojë gjithçka pothuajse nga zero, por të ndërtojë një projekt të saj mjaft të suksesshëm, duke arritur të punësojë me qindra njerëz dhe jam i sigurt se ky projekt është në thelbin e atij projekti që ajo ka për të gjithë Shkodrën, për të gjithë Bashkinë e Shkodrës që në këtë mënyrë të garantojë sukses dhe të ardhme për çdo qytetar të Shkodrës dhe për çdo vajzë dhe djalë të këtij qyteti,në mënyrë që këto bukuri përrallore, këto resurse të jashtëzakonshme, që bashkohen në bashkinë e re të Shkodrës, që shtrihen nga bregdeti i mrekullueshëm i Velipojës e deri në Alpet e jashtëzakonshme të Thethit, të gjitha të kthehen në një burim punësimi dhe begatie në radhë të parë për qytetarët e Shkodrës, në mënyrë që fjalët ‘varfëri’ dhe ‘papunësi’ të mos ekzistojnë në Bashkinë e re të Shkodrës dhe sigurisht që kjo nuk është diçka e lehtë dhe kjo nuk është diçka që mund të imponohet nga lart”, – theksoi z. Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se projekti “Keti për Shkodrën” është i suksesshëm, sepse është një projekt i nisur nga vetë komuniteti i Shkodrës.
“Keti është simboli i një vajze shkodrane të rritur me vështirësi dhe plot sfida dhe mbi të gjitha me një besim të jashtëzakonshëm suksesi.

Me një pasion të jashtëzakonshëm për të fituar në jetë përmes punës dhe përmes sakrificave.

Keti është një garanci se ajo nuk e kërkon vendin e Kryetares së Bashkisë për t’i gjetur punë vetes, sepse Keti ka arritur të punësojë me qindra gra dhe vajza dhe punonjës në sipërmarrjet e saj.

Kjo nuk është një gjë e lehtë të ndodhë, qoftë edhe këtu në Shkodër, por edhe kudo tjetër”, – tha z. Meta duke shtuar se mbi të gjitha, projekti “Keti për Shkodrën” është një projekt i suksesshëm sepse ajo ka gjithëpërfshirjen si flamur të gjithë punës së saj.

“Keti nuk ka ndërmend të ndajë shkodranët në të majtë e në të djathtë.

Ajo vetë është nga origjina e saj dhe nga gjithë historia e saj një mishërim i gjithë atyre traditave të mira të shkodranëve, i vështirësive, i sakrificave që ata kanë kaluar në të shkuarën e largët, por edhe i përjetimit të gjithë këtyre sfidave që Shkodra ka përjetuar gjatë këtyre dy dekadave.

Por mbi të gjitha, ajo është mishërim i pasionit të Shkodrës dhe i shkodranëve për të mbetur dhe për të qenë gjithmonë evropianë.

Jo me fjalë, por me vepra dhe me arritje të prekshme. Ndaj votoni për Keti Bazhdarin, në mënyrë që Bashkia e re e Shkodrës të jetë një simbol në të gjithë Shqipërinë i përkushtimit për të arritur standardet evropiane në shërbimin ndaj qytetareve nga Velipoja e deri në Theth”, – tha z. Meta.

Në vijim të fjalës së fjalës së tij, Kryetari i LSI-së shprehu besimin për projektin “Keti për Shkodrën”, që sipas z. Meta, është në radhë të parë një projekt “Keti për rininë”, dhe “Keti bashkë për rininë për Shkodrën”.

Z. Ilir Meta tha se pa këtë energji, pa këtë entuziazëm, pa këtë pasion, projekti nuk mund të ishte asnjëherë i garantuar dhe i suksesshëm.

“Pjesëmarrja jua, përkrahja juaj, është një nisje e mrekullueshme, jo vetëm për këtë sezon turistik, por jam i bindur është një nisje e mrekullueshme drejt kurorëzimit të një fitoreje, e cila do të jetë për të gjithë Shkodrën dhe për të gjithë shkodranët do të jetë shprehja e emancipimit më të lartë që Shkodra ka treguar gjatë këtyre dy dekadave në të gjithë jetën politike të vendit. Është meritë e Ketit që Bashkia e Shkodrës ka garën më të bukur në të gjithë Shqipërinë për 21 qershorin.

Është hera e parë që në Shkodër, por ndoshta në të gjithë Shqipërinë, që në një bashki kaq të rëndësishme, kemi ballë për ballë dy gra, dy zonja dhe kjo të jeni të sigurt që në radhë të parë është meritë e Ketit, e projektit të saj, e vendosmërisë së saj, për t’i treguar të gjithë shkodranëve dhe të gjithë shkodraneve që Shkodra ka mundësi dhe potenciale të jashtëzakonshme dhe në radhë të parë vajzat, gratë dhe nënat shkodrane”, theksoi z. Ilir Meta, Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kandidatja e përbashkët e koalicionit të majtë, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, znj. Keti Bazhdari vlerësoi energjinë e të rinjve, duke garantuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë së re të Shkodrës për rininë.

“Edhe ne në Shqipëri duhet ta nisim këtë fushatë, sepse ju jeni energjie pastër, ju jeni pasion, ju jeni sinqeriteti dhe ne na duhet shumë që t’i japim një frymë tjetër vendit dhe një frymë tjetër Shkodrës.

Shkodra ka nevojë për ta parë me sy ndryshimin
dhe ju jeni ndryshimi që ne duam të shohim.

Prandaj bashkohuni, mbështesni fort. Kam për t’ju mbështetur, nuk kam për të qenë thjesht kryetarja juaj, por kam për të qenë mikja juaj.

Më mbështesni që ta ndryshojmë Shkodrën nga Thethi e deri në Velipojë.

Ta shpallim Velipojën qytet të dytë të Shkodrës. Dua që në çdo hap timin, gjatë fushatës dhe pas saj, t’ju kem në krah”, – theksoi kandidatja e përbashkët e së majtës, Keti Bazhdari.

Deputetja e PS-së, znj. Mimoza Hafizi tha se nuk ka ogur më të mirë për Velipojën, për bashkinë madhe të Shkodrës, që sezoni të hapet me rininë socialiste, me rininë e LSI-së që së bashku thërrasin “Keti për Shkodrën”.

“Keti është e reja që ne kemi ardhur ta paraqesim si kandidaten dhe si kryetaren e ardhshme të Bashkisë së madhe Shkodër.

Ajo ka një energji të jashtëzakonshme, ajo ka një vizion të jashtëzakonshëm që po mbështet nga Aleanca jonë për Shqipërinë Evropiane, për t’ia ndërruar faqen Bashkisë së madhe Shkodër që për herë të parë, pas 21 qershorit, do të qeveriset nga e majta.

Do të qeveriset nga një Aleancë e cila ka qeverisjen qendrore dhe që ka një dashuri të pafund për Shkodrën dhe për perspektivën evropiane të qytetit tonë të madh tashmë”, – tha më tej znj. Hafizi.

Edhe deputeti i LSI-së, z. Agron Çela vlerësoi kandidaten e së majtës dhe shprehu besimin se Bashkia e re e Shkodrës do të gjenerojë më shumë vende të reja pune.

“Velipojën s’e kam parë asnjëherë më të bukur se sot, siç e shoh edhe atmosferën tuaj për këtë ditë të veçantë që jemi mbledhur për ‘Ketin për Shkodrën’.

Unë dua t’ju garantoj të gjithë miqve të mi dhe Ketit në mënyrë të veçantë, por njëkohësisht edhe mikut dhe kryetarit tonë të LSI-së, z. Ilir Meta, se LRI, LSI, LGI janë për Ketin, janë për Shkodrën.

Me Ketin, nga Thethi e deri në Velipojë, do të jetë një frymë e re dhe do të jetë një bashkëpunim i ri midis qytetarëve.

Ne me Ketin kemi politika të reja për punësimin dhe për bashkëpunimin me të rinjtë.

Luftoni fort për Ketin, për Shkodrën, për veten”, – deklaroi z. Çela.

Deputeti i PS-së, z. Namik Kopliku tha se Keti Bazhdari në krye të Bashkisë së Shkdorës do të flasë pak dhe do të punojë shumë për të rinjtë.

“Ju siguroj që kjo pamje është një mrekulli, ngjyra të shumta që tregojnë që Keti do të jetë e të gjithëve, e të gjitha ngjyrave të rinisë shkodrane.

Keti deri pak ditësh ishte një vajzë si ju, pa mbështetje, por me vullnet të hekurt , me aftësi e qartësi në rrugën që donte të ndiqte, arriti këtu ku është.

Ju ftoj të gjithëve ta shikoni Ketin si një shembull të mrekullueshëm të arritjeve që mund të ketë secili nga ju në jetën tuaj”, – theksoi z. Meta.