Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta takohet me strukturat e partisë në qarkun e Shkodrës për ti ofruar mbështetjen kandidates së majtë Keti Bazhdari

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta takohet me strukturat e partisë në qarkun e Shkodrës për ti ofruar mbështetjen kandidates së majtë Keti Bazhdari

IlirMeta.03.04.2015

Z. Meta: Unë jam vërtet shumë i kënaqur me këtë zgjedhje, që ka propozuar Partia Socialiste e Shkodrës dhe që tani është zgjedhje edhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe e gjithë koalicionit tonë

Z. Meta: Jam i sigurt se me figurën e Ketit, me vizionin e saj, dhe me backgroundin e saj, ajo do të arrijë të ndërtojë këtu në Bashkinë e Shkodrës një koalicion më të madh se sa koalicioni që ne kemi sot, si Aleancë për Shqipërinë Europiane

Z. Meta: Në këto zgjedhje, gratë dhe vajzat e Shkodrës dhe të Shqipërisë do të kenë mundësinë që të kenë një vend tjetër në këshillin bashkiak për t’u përfaqësuar, por padyshim që suksesi më i rëndësishëm në të gjithë Shqipërinë, do të jetë zgjedhja e Keti Bazhdarit si kryebashkiake e Shkodrës

Z. Meta: Jemi këtu me LSI-në për t’i uruar kandidates sonë Keti Bazhdari suksese, për t’i premtuar asaj bashkëpunimin tonë më të sinqertë dhe më të vendosur për të ecur drejt rrugës së fitores

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, u takua me strukturat e partisë në qarkun e Shkodrës.

Në këtë takim, Kryetari i LSI-së shoqërohej nga kandidatja e Aleancës për Shqipërisë Europiane në zgjedhjet e 21 qershorit, Keti Bazhdari, deputeti i LSI-së Agron Çela, deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj dhe Prefekti i Shkodrës,z. Paulin Radovani.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë e zhvillimit të këtij takimi të parë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër me kandidaten për zgjedhjet e 21 qershorit për bashkinë e re të këtij qyteti, znj. Keti Bazhdari.

Z. Meta theksoi se Shkodra meriton një ndryshim të madh, një ndryshim të guximshëm.

“Është shumë bukur kur simboli i këtij ndryshimi, bëhet një vajzë, një grua e re e cila ka arritur që të tregojë se di ta ndërtojë suksesin në punën e saj, në jetën e saj, të jetë e dobishme jo vetëm për familjen e saj, por edhe për komunitetin siç është Keti Bazhdari.

Unë jam vërtet shumë i kënaqur me këtë zgjedhje, që ka propozuar Partia Socialiste e Shkodrës dhe që tani është zgjedhje edhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe e gjithë koalicionit tonë, sepse nuk kemi një kandidate e cila kërkon të bëhet kryetare e bashkisë për të patur një pushtet që ta jep kjo pozitë për të përdorur këtë pushtet për interesa personale, për t’u marrë me ndonjë tender pastrimi apo tender tjetër dhe për të vegjetuar, por jam i bindur se kemi vërtet një kandidate e cila ka një ëndërr, që e ndjen mbi supet e saj se ka një mision, për të bashkuar edhe ëndrrat tuaja dhe të gjithë qytetarëve të Shkodrës, për t’i dhënë Shkodrës atë shkëlqim që meriton, jo vetëm te pedonalja, por që nga Velipoja e deri në Theth dhe bashkia e re i ka këto mundësi, ka potenciale të jashtëzakonshme”, theksoi z. Meta.

Kryetari i LSI-së tha se ky ndryshim kërkon një vizion të ri, të guximshëm, një shpirt sipërmarrjeje të sprovuar dhe kandidatja Keti Bazhdari i ka të gjitha këto cilësi. “Unë besoj se Keti ka frymën e bashkëpunimit, gjë që është shumë e rëndësishme.

Duhet kuptuar se askush nuk mund të jetë i suksesshëm pa krijuar një ekip të suksesshëm, pa ditur të integrojë kontributin e gjithë të tjerëve dhe jam i bindur se forca dhe suksesi i saj do të qëndrojë te forca dhe aftësia e saj për të bashkëpunuar me të gjithë ju dhe me të gjithë qytetarët e Shkodrës.

Jam i sigurt se me figurën e Ketit, me vizionin e saj, dhe me backgroundin e saj ajo do të arrijë të ndërtojë këtu në Bashkinë e Shkodrës një koalicion më të madh se sa koalicioni që ne kemi sot, si Aleancë për Shqipërinë Europiane, që do të jetë koalicioni për Shkodrën , duke afruar dhe integruar, duke bashkëpunuar me të gjithë qytetarët shkodranë pa dallim bindjesh politike, pa përkatësi të majtë apo të djathtë, por me të gjithë qytetarët shkodranë të cilët kërkojnë një ritëm tjetër për ndryshimin e Shkodrës, për ripërtëritjen e saj, për rilindjen e saj dhe për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë varfërisë në tryezat e shkodranëve që nga Velipoja e deri në Theth”, tha z. Meta.

Z. Ilir Meta komentoi dhe ndryshimet e miratuara të enjten në seancë plenare ku rritet përfaqësimi i femrave në vendimmarrje. “Ne dje në parlament hodhëm një hap të rëndësishëm përpara falë insistimit të Aleancës së Grave Deputete në Kuvendin e Shqipërisë, duke garantuar një përfaqësim të barabartë në këshillat e ardhshëm të bashkive, duke vendosur në këtë mënyrë, një themel të rëndësishëm drejt realizimit të barazisë gjinore në vendin tonë në të gjitha drejtimet, gjë që shpresoj që në të ardhmen të shtrihet edhe në nivele të tjera. Pra, në këto zgjedhje, gratë dhe vajzat e Shkodrës dhe të Shqipërisë do të kenë mundësinë që të kenë një vend tjetër në këshillin bashkiak për t’u përfaqësuar, por padyshim që suksesi më i rëndësishëm, jo vetëm për to këtu në Shkodër, jam i bindur edhe një shembull i jashtëzakonshëm suksesi në të gjithë Shqipërinë, do të jetë zgjedhja e Keti Bazhdarit si kryebashkiake e Shkodrës”, tha z. Meta duke shtuar se ky do të jetë një mesazh i jashtëzakonshëm emancipimi që Shkodra do t’i japë të gjithë Shqipërisë.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se ky do të jetë një mesazh i jashtëzakonshëm vlerësimi që Shkodra dhe sidomos vajzat, gratë dhe nënat e Shkodrës do të japin për të vlerësuar veten e tyre, aftësitë e tyre, për të kontribuar për të qenë të suksesshme si dhe për të pasur disa simbole të suksesit të tyre që do t’i ndihmojnë njëkohësisht për të zënë një vend edhe më të respektuar në shoqërinë tonë, në të gjithë jetën ekonomike dhe sociale.

“Ka nevojë për shembuj të tillë, për të nxitur më tej fuqizimin e gruas dhe të vajzës shkodrane dhe shqiptare sepse barazia gjinore nuk është thjesht një përfaqësim i bazuar mbi kuota. Por është një realitet i cili duhet të zërë vend në çdo familje, në çdo institucion, në çdo ndërmarrje, në të gjithë shoqërinë tonë dhe absolutisht se një fitore si ajo e Ketit nuk do të vijë nga kuotat, por do të vijë nga shembulli që gjithmonë Shkodra ka ditur të japë, nga guximi i emancipimit të saj.

Në zgjedhjet e 21 qershorit jam i sigurt se do të kthehet në një frymëzim për shumë e shumë vajza dhe gra të reja anembanë Shqipërisë sepse ne kemi besim të vlerësojmë akoma më shumë gjysmën më të rëndësishme të shoqërisë sonë”, tha z. Meta.

Kryetari i LSI-së tha se Shkodra është një prioritet i padiskutueshëm i qeverisë. Duke komentuar projektin për ndërtimin e stadiumit të ri të Shkodrës, Kryetari i LSI-së tha se ky është një vlerësim për atë që ky qytet i ka dhënë sportit.

” Padyshim që e meriton një stadium të ri aq më tepër për një ndeshje kaq të rëndësishme si ajo që pritet të zhvillohet në muajt e ardhshëm sepse jo vetëm është një respekt për traditën e Shkodrës, për atë që ka dhënë për futbollin dhe për sportin shqiptar, që është pjesë e investimit të saj për krenarinë tonë kombëtare, por njëkohësisht sepse duhet dhënë ai mesazh që Shkodra ka mundësi dhe duhet të japë shumë më tepër. Ashtu sikurse jam i bindur që me Keti Bazhdarin, Shkodra do të kthehet në një qendër të rëndësishme kulturore, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë rajonin sepse i ka të gjitha mundësitë, i ka të gjitha kapacitet , traditat, por edhe njerëzit të cilët i mbartin këto vlera dhe këto
tradita, të cilat duhen zhvilluar dhe duhen evidentuar. Dhe pushteti vendor dhe Bashkia e Shkodrës jam i bindur që do ta ketë këtë një prioritet të veçantë”, tha z. Meta.

Kryetari i LSI-së i shprehu mbështetjen kandidates Keti Bazhdari në zgjedhjet për Bashkinë e Shkodrës.

“Nuk jemi sot këtu për të shpallur programin e zgjedhjeve të 21 qershorit për Shkodrën, pasi këtë jam i sigurt se kandidatja jonë Keti Bazhdari me të gjithë ekipin saj do ta bëjnë më së miri, por jemi këtu me LSI-në për t’i uruar kandidates sonë Keti Bazhdari suksese, për t’i premtuar asaj bashkëpunimin tonë më të sinqertë dhe më të vendosur për të ecur drejt rrugës së fitores në 21 qershor, sepse kjo nuk është e rëndësishme thjesht për të fituar një bashki.

Absolutisht, por kjo është shumë e rëndësishme për një ndryshim të sigurt, të domosdoshëm, të shpejtë të Shkodrës në mënyrë që ajo të kthehet siç ka qenë kohë më parë, në një nga qendrat më të zhvilluara dhe më të lulëzuara të të gjithë rajonit.

Shkodra i ka të gjitha kapacitet e saj, i ka të gjitha resurset e saj. Tani ka edhe njeriun duhur që do të dijë të bashkëpunojë me të gjithë njerëzit e aftë të Shkodrës për t’i dhënë këtij qyteti dhe të gjithë bashkisë së re të Shkodrës shkëlqimin që merito” tha z. Meta.

Duke shprehu bindjen se vota do të jetë masive për kandidaturën e Keti Bazhdarit, Kryetari i LSI-së tha se ajo do të jetë e vetmja zgjidhje sepse secili do të shohë veten e saj dhe akoma më tepër për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shkodrës të cilët kërkojnë një zgjim tjetër të këtij qyteti, në mënyrë që e ardhmja e tyre të jetë e sigurt dhe të jetë një e ardhme europiane në Shkodrën e tyre të dashur.

Kandidatja e përbashkët e Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e 21 qershorit për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari shprehu kënaqësinë për mbështetjen që i është dhënë nga strukturat e LSI-së.

“Për mua është kënaqësi e madhe mbështetja dhe afeksioni që ju më keni dhënë që në takimin e parë.

Më bëhet qejfi se jeni me të vërtetë shumë të organizuar dhe shoh tek ju pasionin dhe dëshirën për të mbështetur këtë fushatë. Duhet të kuptojmë që unë jam një kandidate e koalicionit dhe koalicioni i të gjithë ne bashkë.

Nëse ne vërtet duam të sjellin ndryshimin në Shkodër,duhet të dalim jashtë kulturës së paragjykimeve dhe duhet të jemi të gjithë bashkë.

Pushteti lokal i Shkodrës nuk mund të ndryshojë nëse forca e ndryshimit, e transformimit është e cunguar. Prandaj ne kemi nevojë që të bashkohemi dhe të japim një mesazh që të gjithë të bëhemi ndryshimi që duam të shohim”, tha znj. Bazhdari.

Deputeti i LSI-së për qarkun Shkodrës, Agron Çela tha se ky takim me strukturat është një mesazh bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe mirënjohje për mbështetjen që është dhënë nga qeveria dhe nga Kryetari i Parlamentit.

“Sot ne jemi të gjithë bashkë dhe me znj. Bazhdari këtu, t’i japim atë bashkëpunim dhe atë frymë që kemi pasur gjithmonë bashkë, që jemi gjithmonë bashkë për një të ardhme më të mirë për ne, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shkodranët, për një zhvillim më cilësor, më strategjik për Shkodrën.

Nëpërmjet jush i kam premtuar edhe Kryetarit të Parlamentit, njëkohësisht dhe Kryeministrit që ne me Ketin fitojmë, kështu që nuk duhet t’i zhgënjejmë.

Do të punojmë të gjithë siç kemi punuar në 23 qershor, që në 21 qershor 2015 Ketin ta çojmë në Bashkinë e Shkodrës”, tha z. Çela.

Deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj tha se mbështetja për Keti Bazhdarin, është një mbështetje për të ardhmen. “E falënderojmë z. Meta për një mbështetje të jashtëzakonshme me kandidaten e përbashkët znj. Keti Bazhdar.

Por jo mbështetje thjesht për të na dhënë mundësinë për të kandiduar, por na ka dhënë një mbështetje për të ardhmen që do të jetë prezent në Shkodër njëlloj si të gjithë njësitë administrative që ka LSI-ja në patronazh. Nuk e kam vënë në dyshim asnjëherë bashkëpunimin me LSI-në, qoftë në Shkodër, qoftë në rang kombëtar.

Bëj pjesë nga deputetët që e kam pasur dëshirë bashkimin e LSI-së me PS-në. Vetëm kështu e majta vinte në pushtet dhe do të rrijë gjatë në pushtet.

Dëshirën për të pasur marrëdhënie më të mira me LSI-në unë me Gonin e kemi pasur çdo herë. Tani që ne jemi bashkë do të bëjmë më të mirën si socialiste dhe si LSI për të gjitha fushat që na takon”, tha z. Sterkaj.

Edhe Prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani shprehu mbështetjen për kandidaturën e znj. Keti Bazhdari dhe shprehu besimin në fitoren e zgjedhjeve vendore.

“Ne nuk pretendojmë që të sfidojmë ndokënd.

Qëllimi ynë nuk është për të rrëzuar njeri, por qëllimi ynë është për të bërë një qeverisje ndryshe për pushtetin vendor, që Shkodra të mos shihet vetëm te pedonalja në qendër, por nga Vermoshi në Theth e deri në Velipojë.

Është dëshirë që qyteti të jetë gjithmonë e më mirë. Besoj se aleanca PS-LSI,bashkë me aleatët e tjerë, do të arrijë që të garantojë fitoren e Keti Bazhdarit”, tha z. Radovani.