Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë z. Hellmut Hoffman

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë z. Hellmut Hoffman

ilirmeta18092013

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri z. Hellmut Hoffman.

Kryetari i Kuvendit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Ambasadorit Hoffman dhe u shpreh se marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit, por edhe në planin dypalësh.

Ambasadori Hoffman e uroi z. Meta për marrjen e detyrës së Kryetarit të Kuvendit dhe e siguroi atë për forcimin e rolit mbështetës të Gjermanisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë por edhe përmes asistencës që Gjermania jep për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.

Ambasadori Hoffman u shpreh se ka ardhur koha që Shqipëria të projektojë një imazh të ri në botë dhe se Gjermania do të ndjekë me interes progresin e vendit në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës në fushën e drejtësisë dhe përmirësimit të klimës ekonomike e sociale.

Z. Meta shprehu gatishmërinë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Parlamenteve të të dy vendeve.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu se Qeveria e re ka shumë energji të reja dhe se Kuvendi do të kontribuojë pozitivisht në drejtim të rritjes së klimës bashkëpunuese mes mazhorancës dhe opozitës, me qëllim forcimin e stabilitetit, mënjanimin e konfrontimeve të panevojshme, dhe me fokus drejt zhvillimit institucional, social dhe ekonomik të Shqipërisë, në rrugën e integrimit evropian.