06 May Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta merr pjesë në aktivitetin “Dita e Europës” në qytetin e Beratit ku u organizua dhe një simultane shahu
Ilir Meta: Kemi pasur një traditë të shkëlqyer dhe ne do të mbështesim gjithnjë e më shumë popullarizimin e lojës së shahut, sidomos sa i takon të rinjve
Meta: Ne do ta mbështesim këtë traditë të shkëlqyer që ka patur Berati, sa i takon sporteve dhe ka ardhur koha për një ripërtëritje të kësaj tradite
Meta: Rinia e Beratit dhe të gjithë gjeneratat meritojnë që Berati të përfaqësohet akoma më mirë dhe më cilësisht në shumë sporte që i ka patur traditë prej kohësh
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në aktivitetin “Dita e Europës” në qytetin e Beratit ku ishte organizuar një simultane shahu ku merrnin pjesë maturantë nga të gjitha gjimnazet e Bashkisë së Beratit.
Në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Beratit në Bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Beratit, merrnin pjesë edhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Beratit, znj. Silva Caka, z. Gledion Rahovica, deputeti i Partisë Socialiste, z. Eduard Bejko,Kryetari i Qarkut të Beratit, z. Petrit Sinaj, Prefekti i Qarkut të Beratit z. Çlirim Brisku, Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Nora Malaj si dhe qindra të rinj të gjimnazeve të Bashkisë se re të Beratit dhe mjeshtra të shahu.
Në një prononcim për mediat, Kryetari i Kuvendit vlerësoi kontributin e mjeshtrit të shahut Fatos Muça dhe të mjeshtrave të mëdhenj në këtë sport për përkushtimin e tyre me qëllim masivizimin e tij.
“Do të doja të shprehja mirënjohjen më të madhe për mjeshtrin madh Fatos Muça, për mjeshtrat e mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria në fushën e shahut, që e kanë treguar rezultatet e jashtëzakonshme që ata kanë arritur, por mbi të gjitha për përkushtimin e tyre që shahu të masivizohet dhe të jetë një sport, një lojë që të tërheqë gjithnjë e më shumë fëmijë, të rinj, sepse i ndihmon ata për të qenë shumë më aktivë, dhe njëkohësisht do të ndihmojë besoj edhe për të rritur cilësinë e përfaqësimit në të ardhmen në këtë sport për vendin tonë, duke qenë se kemi pasur një traditë të shkëlqyer dhe ne do të mbështesim gjithnjë e më shumë popullarizimin e lojës së shahut, sidomos përsa i takon fëmijëve dhe të rinjve”, – tha z. Meta.
Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit përgëzoi Bashkinë e Beratit, Drejtorinë Arsimore Rajonale të Beratit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre që në prag të Ditës së Evropës organizojnë evente të tilla kaq edukative dhe inkurajuese për fëmijët, të cilat i ndihmojnë ata për të qenë gjithnjë e më të realizuar dhe më të plotësuar dhe me kërkesa më të larta për të ardhmen e tyre.
“Ne do ta mbështesim këtë traditë të shkëlqyer që ka patur Berati, sa i takon sporteve dhe ka ardhur koha për një ripërtëritje të kësaj tradite sepse rinia e Beratit, fëmijët e Beratit dhe të gjithë gjeneratat meritojnë që Berati të përfaqësohet akoma më mirë dhe më cilësisht në shumë sporte që i ka patur traditë prej kohësh”, – theksoi z. Meta.
I pyetur për iniciativën që ka marrë Federata Shqiptare e Shahut në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për futjen e shahut në shkolla, z. Meta tha se kjo iniciativë mbështet plotësisht nga institucionet shqiptare.
“Për ne jo vetëm futja e shahut që është një sport mjaft edukativ dhe formues për fëmijët dhe për nxënësit, por edhe angazhimi gjithnjë e më shumë i fëmijëve dhe i nxënësve me sport është një prioritet dhe do të mbështetet fuqishëm”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Ndërsa mjeshtri i madh i shahut Fatos Muça falënderoi institucionet për mbështetjen e organizimeve të tilla dhe për futjen e shahut në programet arsimore.
“Ne jemi në fazën përfundimtare të ditës së shahut e cila lidhet edhe me futjen e shahut në programet shkollore që do të zhvillohet në disa shkolla në formë piloti në mbarë Shqipërinë. Shahu tashmë në të gjitha vendet e Europës është futur në programet shkollore. Mbas këtij momenti do të krijojmë edhe akademitë shahiste.
Jemi këtu në Berat në qytetin i cili ka pasur edhe një traditë shumë të madhe shahiste dhe ka pasur edhe lojtarë të ekipit tonë kombëtar, kur ekipi ynë kombëtar përfaqësohej nëpër olimpiada botërore dhe evropiane me shumë dinjitet.
Duke qenë se është një sport që ka një histori dhe ka një traditë të shkëlqyer, mendoj që qyteti i Beratit do të jetë po aq i lavdishëm edhe në të ardhmen në këtë sport. Pra, është një gjë shumë e mirë dhe aq më tepër që ne në këtë moment kemi edhe mbështetjen e madhe të qeverisë.
Siç tha edhe z. Meta, edhe kjo mbështetje e madhe na inkurajon shumë për ta zhvilluar dhe për t’u përfaqësuar gjithmonë e më lart, jo vetëm për fëmijët që të mësojnë një lojë që ju bën shumë mirë se sa të merren me aktivitete të tera të dorës së dytë, por mbi të gjitha edhe për të realizuar të gjitha ato programet që ka edhe Ministria e Arsimit e Sporteve”, – tha z. Muça.
Gjithashtu, gjatë vizitës së tij në Berat, Kryetari i Kuvendit pati edhe një takim të shkurtër me aktorin e humorit, Sejfulla Myftari ose siç njihet më mirë me emrin Cekja, me të cilin shkëmbeu disa batuta.