Kryetar i LSI-së viziton Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” dhe Qendrën e Zhvillimit “Pëllumbat” në kuadrin e aktiviteteve sociale të organizuara me rastin e 10-vjetorit të themelimit të LSI-së

Kryetar i LSI-së viziton Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” dhe Qendrën e Zhvillimit “Pëllumbat” në kuadrin e aktiviteteve sociale të organizuara me rastin e 10-vjetorit të themelimit të LSI-së

IlirMeta.06.09.2014

Ilir Meta: Uroj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së me rastin e 10-vjetorit të krijimit të kësaj force politike

Meta: Falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë anëtarët e LSI-së dhe LRI-së, të cilët janë përfshirë në aktivitete sociale në të gjithë vendin

Meta: Aksion i gjithanshëm në ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve, të të moshuarve, të komuniteteve të caktuara, duke treguar një përgjegjësi të lartë sociale

Meta: Është e rëndësishme të rrisim përgjegjësitë sociale dhe të zhvillojmë solidaritetin tonë me komunitetet që kanë më shumë nevojë për ndihmë, për mbështetje dhe për solidaritet

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka vizituar Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli” dhe Qendrën e Zhvillimit “Pëllumbat” në kuadër të veprimtarive të ndryshme sociale të organizuara në ditën e 10-vjetorit të themelimit të LSI-së.

Z. Meta ka ndjekur nga afër aksionin vullnetar të dhjetëra të rinjve dhe të rejave, anëtarë dhe simpatizantë të LRI-së për pastrimin, lyerjen, rikonstruksionin e ambienteve sportive dhe ambienteve të brendshme të këtyre dy qendrave sociale.

Z. Meta shoqërohej në këtë vizitë nga Sekretari Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deputetja Kejdi Mehmetaj, Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, Anëtarja e Kryesisë së LSI-së, Erisa Xhixho, kryetari i Njësisë Bashkiake nr 2, Elez Gjoza, etj.

Gjatë bashkëbisedimit me drejtoreshën e “Zyber Hallullit”, Kryetari i LSI-së ka premtuar se do të ketë një rikonstruksion total të ambienteve argëtuese të shtëpisë së fëmijëve.

Gjithashtu, z. Meta u shpreh se ky është një aksion që nuk përfundon sot, pasi do të kërkojë kohën e tij dhe theksoi se është e rëndësishme që të rrisim përgjegjësitë sociale dhe të zhvillojmë solidaritetin tonë me të gjithë komunitetet që kanë më shumë nevojë për ndihmë, për mbështetje dhe për solidaritet.

Ndërkaq, në ditën e 10-vjetorit të themelimit të LSI-së, kjo forcë politike ka organizuar në të gjithë vendin një sërë aktivitetesh sociale në ndihmë komunitetit, ambienteve publike dhe në shtëpitë e fëmijëve jetimë.

Pas vizitave në këto dy qendra Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta dha një prononcim për mediat.

Prononcimi i plotë i Kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta
“Sot me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në radhë të parë do të doja të përshëndesja dhe të uroja gjithë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike dhe në mënyrë të veçantë do të falënderoja dhe të gjithë anëtarët e LSI-së, të LRI-së, të cilët sot janë përfshirë jo vetëm këtu në kryeqytet, por edhe në të gjithë vendin në një aksion të gjithanshëm në ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve, të të moshuarve, të komuniteteve të caktuara, duke treguar një përgjegjësi të lartë sociale.

Edhe unë dua të shpreh kënaqësinë që isha sot bashkë me ta, bashkë edhe me Kryetarin e Njësisë Bashkiake Nr. 2, z. Elez Gjoza në Shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, ku sikurse edhe ju vutë re, anëtarët dhe simpatizantët tanë janë përfshirë në një aksion, jo vetëm për pastrimin e gjithë ambienteve të kësaj qendre shumë të rëndësishme, duke shndërruar shumë shpejt ambiente të caktuara nga ambiente parazitare dhe problematike plot me ferra, në ambiente edukative.

Pikërisht atje ku ferrat ishin më të larta, siç e patë ju, së shpejti do të ketë një serë ku fëmijët do të kenë mundësi të kontribuojnë, të punojnë, të edukohen dhe të bëhen shumë më të dobishëm, ashtu sikurse terrenet sportive, sikurse e vutë re, kanë nisur një proces të plotë rikonstruksioni.

Ky është një aksion i cili nuk përfundon sot, do të kërkojë kohën e tij dhe unë jam i bindur që ne do të kemi mundësi të vijmë përsëri pas disa javësh, pas disa muajve, për të parë ambiente tërësisht të transformuara sepse është e rëndësishme të rrisim përgjegjësitë sociale, është e rëndësishme që të zhvillojmë solidaritetin tonë me të gjithë komunitetet që kanë më shumë nevojë për ndihmë, për mbështetje dhe për solidaritet.

Pyetje nga gazetarët

Z. Meta a keni ndonjë reagim për arrestimin Guvernatorit z. Fullani dhe a ishte ai një arrestim i vonuar pas kërkesave të shoqërisë civile për dorëheqjen e tij?

Qëndrimi im ka qenë edhe mbetet i pandryshuar lidhur me skandalin, i cili ka të bëjë me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, që do të thotë mbështetje Prokurorisë dhe gjyqësorit për të hetuar deri në fund këtë skandal dhe për të vendosur të gjithë pikat mbi “i” dhe natyrisht ne do të respektojmë vendimet e drejtësisë.

Kjo do të thotë që deri në momentin që do të ketë një vendim nga drejtësia, nuk do të kërkojë mazhoranca shkarkimin e Guvernatorit Ardian Fullani?

Mazhoranca do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet gjithmonë dhe mazhoranca gjithmonë do të punojë për të konsoliduar pavarësisë e Bankës së Shqipërisë dhe për të rritur integritetin dhe besueshmërinë e saj dhe do të bashkëpunojë gjithmonë ngushtë për këtë qëllim edhe me partnerët tanë kryesore ndërkombëtarë, si me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me Bankën Botërore dhe natyrisht edhe me Komisionin Europian.

A ishte ky arrestim, z. Meta, një sinjal që drejtësia më në fund në Shqipëri po funksionon dhe a është koha tashmë për të nisur reformën në drejtësi? A do të kërkoni në këtë pikë edhe bashkëpunimin e Presidentit të Republikës?

Padyshim që reforma në drejtësi do të ecë përpara dhe sigurisht që bashkëpunimi me të gjithë institucionet kushtetuese është i nevojshëm, është i domosdoshëm dhe duhet të jetë reciprok.