09 Dec Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Serbi, z. Vasili pret një delegacion nga parlamenti serb.
Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua takimi i përbashkët mes deputetit Petrit Vasili, Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Serbi dhe delegacionit të Komisionit për Diasporën dhe Serbinë në Rajon të Parlamentit të Serbisë.
Delegacioni serb përbëhej nga Dr. Janko Veselinoviç, Kryetar, z. Aleksandër Çortiç dhe z. Milan Duriç, si dhe nga Ambasadori i Republikës së Serbisë në Shqipëri, z. Zariç.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Vasili theksoi pozitivitetin e këtij takimi dhe shprehu ndjeshmërinë e veçantë për pakicat kombëtare.
“Bashkëpunimi i grupeve të miqësisë së Kuvendit dhe Parlamentit Serb ka shumë rëndësi për integrimin europian, ekonominë, arsimin dhe të drejtat e njeriut. Ndaj ne duhet t’i intensifikojmë edhe më tej këto marrëdhënie duke i zhvendosur ato edhe në nivel ekzekutiv”, tha z. Veselinoviç.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Vasili tha se të dy grupet mund të bëjnë më shumë. “Unë mendoj të fillojmë komunikimin më të shpeshtë pasi diplomacia parlamentare është shumë e rëndësishme.
Kjo vizitë e këtij Komisioni nga Parlamenti serb është tepër pozitive, që popujt e të dy vendeve të shikojnë që politikanët flasin e komunikojnë me njëri-tjetrin, pasi kështu vendoset edhe fryma e bashkëpunimit”, tha z. Vasili.
Z. Petrit Vasili e vlerësoi vizitën, si një rrugë të re komunikimi.
Dr. Janko Veselinoviç ra dakord me z. Vasili, dhe e falënderoi për këtë frymë miqësie që ndjehet.
“Është e vërtetë që kishim shumë paragjykime për popullin shqiptar dhe për problemet që mund të kenë me pakicat serbe, por këto dy ditë u vërtetua krejtësisht e kundërta”, tha z. Veselinoviç.
Në mbyllje të takimit, z. Vasili theksoi nevojën e rritjes së komunikimit midis dy vendeve duke mos anashkaluar në asnjë moment bashkëpunimin dhe shkëmbimin kulturor midis dy vendeve.