03 Jun Kryemadhi: Duhet krijuar siguri për investitorët e huaj, që biznesi i tyre të jetë i garantuar
Kandidatja për deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me banorë të Komunës Zejmen e shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët dhe simpatizantët e LSI-së në këtë komunë znj. Kryemadhi u shpreh se kudo në Lezhë ndihet mungesa e dorës së shtetit dhe se kërkohet një ritëm tjetër.
“Më vjen keq kur ecim nëpër rrugët e komunave apo të fshatrave, por edhe në qytet brenda, ndihet mungesa e dorës së shtetit. Sepse ti shikon që ka shtëpi, lokale, investime shumë të mëdha që i kanë bërë njerëzit vetë, por kur shikon ato investimet publike diferenca midis asaj midis çka bëjnë njerëzit me të ardhurat e tyre dhe asaj çka bën shteti është shumë e vogël. Nuk po themi që nuk është bërë asgjë, por ne kërkojmë të ecim më shpejt, kërkojmë akoma më shumë”, tha gjatë takimit kandidatja për deputet e LSi-së.
Më tej, ajo foli për planin e punësimit të LSI-së dhe se mundësitë që shfrytëzon Lezha nuk janë të shfrytëzuara në maksimum, duke filluar që nga porti i Shëngjinit, që mund të kthehet në një vend të mrekullueshëm dhe një pikë strategjike për veriun e Shqipërisë por edhe më gjerë.
“Ne kemi një plan përsa i përket çështjes së punësimit, ku janë pesë pikat e punësimit. Sigurisht që ka mundësi, por këto mundësi nuk janë të shfrytëzuara në maksimum, duke filluar nga Porti i Shëngjinit që është një vend i izoluar, por që mund të kthehet në një vend të mrekullueshëm, në një port kryesor përsa i përket veriun e Shqipërisë, Kosovën dhe më tutje. Krijimi i gati 1 mijë vendeve të reja të punës do të ishte një ndihmesë shumë e madhe, jo vetëm sa i takon çështjes së punësimit, por edhe çështjes së zhvillimit të biznesit”, vijoi kandidatja për deputete e LSI.
Gjithashtu, znj. Kryemadhi shprehu bindjen duke krijuar garanci për biznesin dhe investitorët do të nxitet hapja e vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të kësaj zone. Sipas saj, Lezha është një vend ku mund të zhvillohet turizmi dhe që ka mundësi të cilat mund ta zhvillojnë vendin.
“Duke krijuar një ndërmarrje bujqësore, duke krijuar disa pika grumbullimi, ne u krijojmë mundësinë njerëzve të vetpunësuar në tokat e tyre të cilët garantojnë shitjen e prodhimit. Duhet krijuar mundësia dhe duhet krijuar siguria për investitorët e huaj, për investitorët vendas në mënyrë që investimi i te të jetë i garantuar jo vetëm për periudhë të shkurtër kohore dhe pavarësisht se cila parti është në pushtet, por të jetë një investim afatgjatë. Lezha është një vend ku mund të zhvillohet turizmi, ka mundësi dhe probabilitetit pa fund të cilat mund ta zhvillojnë dhe mund ta çojnë vendin përpara”, u shpreh ndër të tjerash znj. Monika Kryemadhi gjatë takimit me banorët dhe simpatizantët e LSI-së në Komunën Zejmen.
Ndërkaq, gjatë këtij takimi e mori fjalën edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha. Ai shprehu keqardhjen e tij që një qytet si Lezha me një histori 2400 vjeçare, me arkeologji të pasur dhe bukuri natyrore, akoma s’ka prodhuar atë mirëqenie që të mos ketë në skemën e ndihmës ekonomike qindra e qindra familje. “Kjo tregon se unë si Kryetar Bashkie nuk kam pasur mbështetje të mjaftueshme për të ndërtuar strategjinë e duhur për të luftuar papunësinë dhe përmes papunësisë përmes rrogave të njerëzve të arrihet dhe mirëqenia”, tha Tusha.
Sipas tij kjo LSI-ja vjen në këto zgjedhje me një program krejt ndryshe dhe që do të çrrënjosi papunësinë dhe do të thithë investimet e huaja.
“Ne sot vijmë me një program krejt ndryshe. Me një program punësimi që do të çrrënjosi papunësinë, pasi ka resurse për të bërë të mundur thithjen e investimeve të huaja. Ka munguar klima për të ndikuar që biznesi të zgjerohet, që investitorët të besojnë, të jenë të sigurt në pronësinë e tokës, në partneritetin që ndërtojnë. Duke mbështetur biznesin, ne do të mund të nxisim punësimin”, përfundoi fjalën e tij kryebashkiaku i Lezhës.