Kristian Kina: Qeveria mashtroi. Nuk mbajti premtimin për trajtimin financiar për studentët e degëve prioritare

Kristian Kina: Qeveria mashtroi. Nuk mbajti premtimin për trajtimin financiar për studentët e degëve prioritare

Me anë të kësaj konference për shtyp, dëshirojmë t’i japim zë dhe të denoncojmë skandalin dhe talljen e madhe që Ministria e Arsimit ka bërë me studentët.

Pak kohë më parë, Këshilli I Ministrave miratoi një vendim që do u jepte të drejtë të gjithë studentëve që do të studionin në degët prioritare të merrnin suport financiar, në masën e një pagesë mujore prej 400,000 lekësh të vjetra.

Pra, çdo student që do të studionte në këto degë, që Qeveria kishte përcaktuar, PAVARËSISHT mesatares që studentët do të kishin, DO TË PERFITONIN nga ky vendim në çdo muaj të vitit akademik, të studimeve te tyre.

Në këtë mënyrë dhe studentët do të përkraheshin financiarisht në studimet e tyre, auditoret do të shpëtonin nga mbyllja por njëkohësisht dhe degët e rëndësishme për tregun do të mbusheshin me ekspertë të rinj.

Por, çfarë ndodhi në të vërtetë?

Në të vërtetë, qeveria zgjodhi të tallet dhe të mashtrojë studentët.
Ka vendosur të ndryshojë rregullat në mes të studimeve, duke mos ia dhënë pagesën e premtuar studentëve, por duke i selektuar dhe i ndarë studentët sipas mesatares që ata kanë, pra duke vepruar kështu në një menyre që bie ndesh me vendimin.

Nëpërmjet një denoncimi në emisionin Fiks-Fare, sekretarja e Universitetit Bujqësor në thjesht 30 sekonda, e ç’bën në mënyre brilante gjithë fasadën e qeverisë.
Ajo shpjegon, me shumë sinqeritet, se lekët nuk i ka fakulteti, por qeveria.
Dhe qeveria fakulteteve u ka dërguar një sasi shumë të vogël bursash.

Ajo thotë, fare qartë, që bursat erdhën me pakicë, prandaj u shpërndanë me pakicë. Po të kishin ardhur bursat për të gjithë studentet, do përfitonin të gjithë.

Pra, shumë shkurt, del zbuluar realiteti, që QEVERIA ka mashtruar me atë vendim.
Tregohet shumë qartë sesa larg është realiteti nga propaganda e qeverisë.
Tregohet sesi studentët janë drejtuar drejt këtyre degëve dhe në fund, qeveria NUK e mbajti premtimin.

Nisur nga kjo ngjarje, sot, Partia e Lirisë nëpërmjet deputetes Erisa Xhixho, ka depozituar një kërkesë për informacion ndaj Ministres së Arsimit, duke i drejtuar 3 pyetje:
1- Sa është fondi në dispozicion të bursave për studentët që ndjekin degët prioritare?
2- Si është ndarë ky fond midis universiteteve?
3- Sa bursa janë ndarë për këta studentë që prej nisjes së vitit akademik në tetor 2023?

 

Partia e Lirisë shpreh gjithë revoltën e saj ndaj këtyre padrejtësive që iu bëhen studentëve tanë.
Ne vazhdimisht kemi kërkuar dhe kërkojmë mbështetjen maksimale për studentët shqiptarë.

Boll më me mashtrimet ndaj studentëve!
Boll më me premtime të pambajtura, që keqorientojnë kështu dhe drejtimin profesional dhe akademik të studentëve, pra në thelb gjithë jetën e tyre!

Qeveria duhet të kuptojë që sekuencat filmike të filmit “ Lulëkuqe mbi mure”, ku disa të rinj përfitonin benefite nga kujdestari dhe disa të tjerë ngroheshin në diell, janë thjesht film, dhe nuk duhet jenë kurrë realiteti që duhet të ndiqet me studentët dhe të rinjtë shqiptarë.