Konventa Kombëtare voton për emrin e Partisë së Lirisë 25 Korrik 2022

Konventa Kombëtare voton për emrin e Partisë së Lirisë 25 Korrik 2022

Fjalimi i plotë i Kryetarit Ilir Meta

 

Mos harxhoni energji të panevojshme, sepse edhe vapa është pak e padurueshme, por edhe na duhet shumë punë duke nisur nga sot, dhe duke vazhduar përgjatë gjithë Gushtit, në mënyrë që të kemi një vjeshtë ripërtëritëse për demokracinë, për llogaridhënien, për Shqipërinë, për të rinjtë e saj.

Dje siç kisha bërë premtimin publik dorëzova sipas Kushtetutës dhe afatit kushtetues detyrën më të lartë në këtë shtet, atë të Presidentit të Republikës. Përfundova mandatin e parë si President i Republikës së Shqipërisë dhe në këtë mënyrë pata dhe eksperiencën e të provuarit të tre pozicioneve më të larta në këtë shtet: të Kryeministrit në moshën 30 vjeçare, të Kryetarit të Parlamentit dhe Presidentit. Dikush më pyeti nga këto të treja, ku je ndjerë më mirë? Pa asnjë diskutim, në çdo ditë dhe në çdo sekondë, në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Dhe mezi pres të rikthehem kuptohet pas 25 vjetësh, për të përmbushur mandatin e dytë sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dhe deri atëherë do na duhet të gjithëve të bëjmë shumë punë, që Shqipëria të jetë një vend normal, që Shqipëria të ketë një qeverisje normale, që Shqipëria të gumëzhijë nga energjia e të rinjve dhe të rejave dhe nga zërat e gëzuar e fëmijëve. Sepse situata është jashtëzakonisht kritike, situata kërkon ndërhyrje urgjente të të gjithë qytetarëve, të cilët duhet të marrin përgjegjësi, pasi nuk mundet më, t’ja delegojnë, tja besojnë përgjegjësitë e tyre kësaj klase politike. Në këto 5 vite, kam qenë në një lartësi ku kam parë çdo gjë dhe fitova një këndvështrim që më mungonte më parë. Kam parë një rrezik të jashtëzakonshëm kanosës për sovranitetin e këtij vendi, për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, të fituar me aq mund, me aq gjak dhe me aq shumë sakrifica. Kam parë një plan të përllogaritur për të ekzekutuar pluralizmin politik në Shqipëri dhe për të patur një fasadë demokracie, ku viktima nga frika duhet të falenderojnë dhunuesit dhe përdhnuesit përse nuk po i dhunojnë akoma më shumë, ku shpresa, ku e drejta, ku besimi të friket nga frika, se ka edhe më keq. Dhe unë po ju them, po ka qenë edhe më keq, nëqoftëse prisni thjesht nga Ilir Meta, nëqoftëse prisni nga kushdo tjetër, prandaj secili duhet të marrë përgjegjësitë e tij. Dhe prandaj duhet të nisemi në përfundimin e këtij evenimenti të rëndëishëm me një vendim të madh për të takuar çdo qytetar të Shqipërisë, që ti themi se ka vetëm një zgjidhje sepse kemi provuar çdo gjë në këto 30 vjet. Zgjidhja është të zbatohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, instrumenti që me Referendum, populli, sovrani e vendosi në Kushtetutë në 1998 për ta ushtruar sa herë që të deleguarit e tij abuzonin me besimin e sovranit. Dhe ne e dimë që është bërë gjithçka që nga 1998 deri sot për ta bllokuar mundësinë e Referendumit. Është bërë gjithçka për ta përmbysur këtë sistem, siç është përmbysur, ku një grup oligarkësh, një grup politikanësh, që shpesh bëjnë teatër nëpër media, nuk bëjnë gjë tjetër veçse plaçkisin çdo ditë së bashku popullin e Shqipërisë, me pasuritë e tij mbitokë dhe nëntokë, në ajër e në det, dhe viktima sigurisht është populli i Shqipërisë dhe në veçanti të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që janë edhe targeti i tyre për t’i larguar, për ti përzënë në mënyrë që ky vend të shterrojë nga fuqia më progresive që ka, në këtë mënyrë që në këtë vend të mos ketë njerëz me ëndërra që cënojnë pushtetin dhe mbretërimin e kleptokratëve.

Prandaj edhe ju ishit target kryesor i tyre gjatë pesë vitet që kaluan dhe më duhet padashur të kthehem në analizat e së shkuarës, t’i bëjë të qartë çdo anëtari, çdo simptatizani të LSI-së, por edhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë kudo që është, që Ilir Meta ka qenë kategorikisht kundër bastit të çmendur për ti besuar një mashtruesi ordiner, që e kam thënë prej 6 vjetësh, që të gënjen edhe për kohën pa kuptim, duke djegur mandatet, duke lënë parlamentin, duke bojkotuar pushtetin vendor.

Padyshim që jemi vend europian, por më thoni a ka ndonjë vend afrikan, nga ata më të pazhviluarit, që në pushtetin lokal nuk ka asnjë këshilltar të opozitës? A ka?? Më thoni? Djegia e mandateve ishte e mirëplanifikuar nga mafia që drejton Shqipërinë, nga oligarkët që punojnë me të dy palët prej kohësh. Sepse duhej të braktisej pushteti lokal që të bëhej Tirana siç është bërë, që të ndodhin gjithë këto ngjarje që po ndodhin me trashëgiminë tonë më të rëndësishme kulturore, arkeologjike, jo vetëm për arsye korrupsioni, por edhe zhbërje të identitetit kulturor e kombëtar. Çfarë na duhet ne Atdheu? Çna duhet ne Shqipëria? Çfarë do hamë sot? Çfarë do rruajmë nesër? Prandaj jemi katandisur në këtë situatë, sepse kjo bandë kërkon të zhbëjë gjithçka. Dhe kjo është mënyra më e mirë për të realizuar në mënyrë korruptive e mafioze atë që pushtuesit nuk e realizuan me luftë e me ushtri në të kaluarën.

Ndaj në 5 vite ndodhi një grusht shteti, pa tanke, por me procedura, edhe me ekspertizë, bile edhe më të huaj. Na mësuan se si psh Parlamenti monist, mund ti marri anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që i propozon Presidenti sipas Kushtetutës, i merr dhe i çon të betohen tek Lana, tek noterja e Lanës, private. Dhe Parlamenti thotë: u zgjodh! Dhe noterja e mençur thotë: Zotërinj, nuk bëri betim tek unë ajo. Betimin e bën tek Presidenti. Tek unë, ajo erdhi dhe tha: më bëj vërtetim që jam unë. Dhe ja bëra vërtetimin. Çpunë keni ju me mua?

Ndodhi kjo gjë në Shqipëri në këto pesë vjet, apo nuk ndodhi? A ndodhi kjo gjë? Në çfarë vendi të botës ndodh kjo? Në çfarë vendi të botës ndodh që ti thuhet Presidentit; shkel Kushtetutën ti, që ti marri Edi Rama të gjithë. Për çfarë ti marri mendoni ju? Që të mbyllë marrëveshjen e detit që ka ngatërruar qëllimisht prej kohësh, bashkë me Lulzim Bashën, kur ka qenë edhe ky ministër I jashtëm. Se nuk dua të flas më shumë. Nuk kam unë ndonjë problem me Greqinë, përkundrazi jam shumë korrekt, jam shumë I kujdesshëm, edhe nuk u vë faj atyre nëqoftëse ne e kemi problemin këtu brenda me kleptokratët tanë, që I zënë peng dhe që jo vetëm shesin interesat e atdheut dhe duan të zhbëjnë Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por bëjnë gjëra edhe më të rënda. Unë jam i vetmi President që i kam dhënë shtetësinë, Fortlumturisë së tij Janullatos. Pse? Sepse i takonte sipas ligjit dhe gjithçkaje. Është udhëheqës i Kishës sonë dhe sepse nuk mund të nisemi nga paragjykime për kombësinë e tij dhe të askujt tjetër. Dhe nuk ja kam dhënë as fshehurazi, ja kam dhënë ditën e Krishtlindjeve dhe ka bërë një punë shumë të mirë për të rindërtuar atë besim dhe gjithë ato vepra të kultit. Siç I kam dhënë kur kam qenë kryeministër, i kam dhënë tokën për të bërë Katedralen. Se ishin dy orthodoksë nga besimi atëherë, një në krye të PS-së dhe tjetri në krye të bashkisë, edhe nuk donin ata tja jepnin. Se njëri kishte frikë mos e sulmonin meqë ishte edhe afër PS-së, tjetri kishte në plan të bënte ndonjë nga ato kullat 300 kate. Dhe u bë shumë mirë që u bë Katedralja, sepse jo vetëm që i takonte, sepse e kanë patur tek Hotel Tirana, por është edhe diçka që u shërben jo vetëm besimtarëve, i shërben gjithë komunitetit, edhe na nderon si një vend që kemi reflektuar për çfarë ndodhi me besimet këtu për 30-40 vjet.

Ndërkohë që sot e kësaj dite, për arsye korrupsioni, janë bllokuar pronat e tyre, tjetërsohen pronat e tyre. Sepse këta nuk kanë asnjë besim, përveçëse kanë sëmundjen e kleptokracisë. Çfarë është kleptokrati? Është ai që vjedh edhe kur nuk ka nevojë për diçka. Është sëmundje përveç të tjerave. Ndaj edhe njëherë tjetër duhet të kuptojmë që gjithë ky tolerim i këtij korrupsioni të jashtëzakonshëm është se kanë marrë përsipër gjëra të rënda kundër interesit kombëtar.

Mbi 70-80% e tensioneve në Shqipëri dhe e lojërave në Shqipëri që u bënë në këto pesë vite dhe e refuzimit të ofertave të platformave të Presidentit për qetësim, për pakte për integrimin, për pakte për të bërë një reformë në Drejtësi sipas Kushtetutës refuzohej, sepse duhej patjetër konfrontim.

Shqipëria duhej patjetër të paraqitej si një vend anormal, sepse një vend i tillë nuk mund të ishte i besueshëm për të mbështetur forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, sepse Kosova duhej të coptohej, sepse Kosova duhej ti falte pjesën e saj më vitale dhe më të pasur dikujt tjetër. Nëse ka një vend në botë, që është i fundit që mund të vërë në diskutim Pavarësinë, Sovranitetin, Integritetin e Kosovës dhe që kurrë nuk duhet ta bëjë këtë, është vetëm Republika e Shqipërisë.

Po ja që artisti kishte marrë dhe ka marrë detyra të mëdha përsipër. Mos mendoni ju se është vërtet kaq patriot ai dhe emocional, saqë ditën që në Parlamentin e Kosovës festohej 10 vjetori I Pavarësisë në një seancë solemne, Kryeministri i Shqipërisë deklaron para të gjithëve, se ai kishte përfytyrimin se në një kohë të afërme, Shqipëria dhe Kosova do të kishin një President të përbashkët. Pra, artisti dha mesazhin që kishte marrë, për llogari të tjetërkujt, i cili gjoja u mërzit për këtë deklaratë nacionaliste se: “Përse duhet mbështetur Kosova që të ketë vend në OKB, kur ja këta e paskan planin, e tha kryeministri i Shqipërisë që të kenë 1 President, pra që të kenë një shtet”. Dhe jo vetëm kaq, por mundësisht të zhbëhen njohjet e tjera të Kosovës! Ju mendoni se u nxeh vërtet ai (Rama) me Kryeministrin e Kosovës që e akuzoi për çështjen e kufijëve dhe e hodhi në gjyq publikisht?! Jo, mori porosi, që të bëjë një lajm ndërkombëtar. Kush është lajmi? Kryeministri i Shqipërisë hedh në gjyq Kryeministrin e Kosovës!! Tani kaq mjafton për të treguar se kush është niveli dhe kush është standardi ynë.

Pastaj u tërhoq, jo tha u tërhoqa se u nxitova. U tërhoq, sepse po të shkonin në gjyq, aty ishin edhe dëshmitarët dhe do dilte vërtet që ky miku bën lojëra me hartat e Kosovës. A e ka votuar njeri këtu që të merret ai me hartat e Kosovës? A e ka votuar ndonjë qytetar i Shqipërisë atë? Ç’punë ka ky me hartat dhe me kufijtë e Kosovës? Kush I jep të drejtë këtij, mirë që tregton pasuritë tona, edhe do të tregtojë dhe hapësirat tona? Po me Kosovën, çfarë ka ky? Njerëzit janë vrarë dhe janë shuar për atë pavarësi dhe për atë shtet. A po ju duket rastësi ju që për herë të parë Presidenti i Serbisë na ndërhyri në fushatën elektorale në Shqipëri, e mbani mend? Ç’punë ka ai se kush do të fitojë në Shqipëri? Përse i duhet atij ky person në Shqipëri, nëse dëshiron marrëdhënie të mira me Shqipërinë? Unë që jam këtu, kam qenë i pari që kam hapur marrëdhëniet me Serbinë kur kam qenë Kryeministër. Mbaj mend, pasi kishim hequr vizat me Malin e Zi, më vjen Ministri i Jashtëm i Rusisë, Ivanov në zyrë, dhe kur unë po i tregoja se sa shumë dëshirë që kishim ne të ecnim përpara në Ballkan, edhe me Serbinë se kishte ikur Millosheviç nga pushteti, dhe ja se çfarë kemi bërë me Malin e Zi. Ai më tha: Prit çfarë keni bërë me Malin e Zi? (Mali I zi në atë kohë ishte pjesë e Jugosllavisë). Kjo është njësoj sikur ne të heqim vizat me Kaliforninë, pa I hequr me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mos më lodh i thashë me këto historitë e të drejtës ndërkombëtare, a ka mundësi merre në telefon Koshtunicën atje e kë të duash. Nëse janë dakord, ti heqim vizat që sot edhe ne me Serbinë. Sepse ne duam të hapemi. Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe ne duam që I gjithë Ballkani të jetë pjesë e Europës.

Në vitin 2010 kur unë isha ministër i Jashtëm, dhe Sali Berisha kryeministër, hoqëm vizat me Serbinë në mënyrë të njëanshme për të gjithë qytetarët Serb, për shkak të vështirësive që kishin shqiptarët e Preshevës, që duhet të shkonin nga Prevesheva në ambasadën tonë në Beograd, që të vinin në Qafë-Thanë. Dhe u themi: Hajde të heqim vizat se nuk ka më kuptim. Jo thanë ata, ne nuk i heqim vizat. Hajde ti heqim vizat, sepse edhe ne për një vit do ta përfitojmë liberalizimin. Jo thanë ata, nuk I heqim ne këtë gjë Po mirë, nuk e bëni ju, po e bëjmë ne këtë gjë, në mënyrë të njëanshme. Ju vazhdoni dhe një vit. Mbajini vizat dhe ju do ti hiqni se nuk keni çfarë bëni. Dhe ashtu ndodhi, sepse çdo gjë e mirë që duhet bërë që ndihmon njerëzit, duhet bërë! Por kurrsesi nuk mundet që Shqipëria të lejojë që përfaqësuesit e saj ti fusin thikat pas shpine Kosovës. Në rast se nuk kemi mundësi ti ndihmojmë, të paktën të mos i dëmtojmë dhe dëmet nuk kanë qenë të pakta gjatë këtyre pesë viteve dhe unë kam bërë çdo gjë për ti parandaluar dhe minimizuar ato. Dhe dekreti për mosdekretimin e kandidatit për ministër që deri në atë moment nuk e njihte askush dhe që ishte njohur vetëm përse kishte bërë një deklaratë pro ndryshimit të kufijëve, ishte pikërisht ky mesazh drejtuar gjithë botës që: Mos dëgjoni atë mashtruesin se çfarë thotë që Shqipëria është pro ndryshimit të kufijëve të Kosovës. JO. Shqipëria respekton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës dhe Kosova nuk ka nevojë për mend tona për fat të keq. Sepse duhet të ishte ndryshe, ne mund të ishim një model edhe më i mirë për Kosovën sot, se Kosova të gjitha krizat që ka patur i ka zgjidhur me zgjedhje dhe është një model përsa i takon zhvillimit të demokracisë edhe pse është 14 vjet shtet.

Ndërsa ne jemi bërë model vetëm për kleptokracinë. Situata është vërtet dëshpëruese, vendi I parë në rajon që të rinjtë dhe njerëzit duan të ikin, vendi i parë në rajon për korrupsionin, vendi I parë në rajon për hendekun social dhe gjithmonë të fundit në gjithçka të mirë dhe pozitive. Psh. Vendi me ekonominë më pak konkurrese, prodhimi I brendshëm bruto për 1 milion banorë në vitin 2021 në SHqipëri është 6.4 miliardë dollarë, në Serbi është 9.2 miliardë, në Malin e Zi është 9.7 miliardë dhe kudo është më lart. Shqipëria ka performancën më të ulët në mbledhjen e të ardhurave publike dhe nivelin më të ulët të shpenzimeve publike krahasuar me vendet e rajonit. Në 2021, Shqipëria ka mbledhur rreth 27% të PPB-së, ndërsa vendet e rajonit psh Maqedonia e Veriut 42.3%, Bosnja 42.8%, Mali i Zi 43.3%.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve publike në rajon. Ajo shpenzon 31.5% të PPB, ndërsa Bosnja 43%, Mali I Zi 44.4%, Serbia 46.6%. Shqipëria ka barrën tatimore më të lartë ndaj biznesit në rajon kundrejt një performance më të ulët të mbledhjes së të ardhurave tatimore. Shqipëria mbledh 19.4% të PBB së të ardhurave tatimore, ndërkohë që Serbia, Kosova e Bosnja mbledhin 26.6%, 25.5%, 24.5% e kështu me radhë.

Shqipëria ka performancën më të ulët të mbledhjes së të ardhurave nga sigurimet shoqërore me 5.8%, ndërkohë që Maqedonia, Serbia, Bosnja shkojnë edhe 12.6%, 15.2% e kështu me rradhë.

Ndërkohë sipas Doing Business, ngarkesa tatimore në përqindje të fitimit të biznesit është më e larta në Shqipëri se në vendet e rajonit me 36%. Maqedonia e ka 13%. Prandaj ikin në Maqedoni biznesmenë dhe sipërmarrës shqiptarë, madje edhe të huaj që kanë investuar deri tani në Shqipëri, se Maqedonia qeveritë I ka ndërruar që nga Gruesvki tek Kovaçeski, por nuk ndërron as Kushtetutën, nuk ndërron as ligjet dhe nuk ndërron as politikat e mbështetjes për biznesin dhe për investimet. Kosova 15% e kështu me rradhë

Të ardhurat për banorë dhe paga miminale, më e ulëta në të gjithë rajonin pikërisht këtu në vendin tonë, sipas vetë FMN. Shqipëria pagën minimale e ka 248.4 euro, në Maqedoninë e Veriut është 358 Euro, në Serbi është 401 Euro, në Malin e Zi është 532 Euro.

Shqipëria me nivelin më të lartë të çmimeve sipas Eurostat, në përqindje gjithmonë të mesatares europiane krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Shpërndarja e të ardhurave nga taksat e mbledhura nga qytetarët është kundër qytetarëve, sepse ajo mbështet vetëm interesat klienteliste dhe korruptive të qeverisë dhe të oligarkisë, mbështet aferat e inceneratorëve dhe të gjithë aferat e tjera.

 

Praktikat e shpëndarjes së fondeve publike tregojnë rritjen e shpenzimeve korruptive në mënyrë marramendëse, nivelin e lartë të fondeve të investimeve në funksion të financimit të PPV-ve dhe rritjen e jashtëzakonshme të kostos së borxhit publik.

Shpenzimet operative dhe për mirëmbajtje të institucioneve të qeverisë qendrore dhe pagesat e një pjese të inceneratorëve nga 50 miliardë lekë në 2021, 64.2 miliardë lekë në vitin 2022.

Shpenzimet për koncensionet aktive me mbështetje buxhetore janë rritur nga 12 miliardë në 14.7 miliardë e kështu me rradhë.

Niveli i varfërisë më i larti krahasuar me të gjithë vendet e rajonit tonë, sipas raportit të Bankës Botërore dhe Eurostat.

Shqipëria ka rreth 22% të popullsisë me të ardhura nën 5.5USD në ditë, Mali i Zi ka 16%, Serbia ka 10% etj. Niveli i varfërisë vazhdon të rritet për grupet sociale më të prekura, me të ardhura më pak se 5 USD në ditë. Sipas treguesve të ndihmës ekonomike, të pensioneve dhe të papunësisë në vitin 2021 janë 935.821 qytetarë që jetojnë me të ardhura në kufirin 5.5 USD. Janë 64.710 familje në vitin 2021 në ndihmë ekonomike në një varfëri ekstreme me ndihmë mesatare mujore 9200 lekë dhe me një numër mesatar të familjes me 4 anëtarë, pra janë 258.840 persona me të ardhura për person 0.71 USD në ditë.

Është rritur tej çdo fantazie kosto e jetesës për shkak të rritjes galopante të çmimeve dhe sigurisht të mos rritjes së pagave, kryesisht në sektorin shtetëror, përveç rastit të arsimtarëve dhe të mjekëve. Asnjë indeksim nuk kemi që nga viti 2017 në administratën publike.

Ama për azilantë jemi kampionë. Këtu shkëlqejmë. Sipas të dhënave European Asylium Support Office, për periudhën Janar 2019-Gusht 2021, në raport me popullsinë, pra për 1000 banorë nga Shqipëria kërkojnë 10 herë më shumë azil se sa Bosnja. Pra për 1000 banorë, kërkon azil një boshnjak, këtej kërkojnë 10. Katër herë më shumë se sa nga Kosova, largohen nga Shqipëria. 12.9 herë më shumë largohen nga Shqipëria se sa nga Mali i Zi, pra nëse ikën një malazez, këtej ikin 13 shqiptarë dhe 9.1 herë më shumë krahasuar me Serbinë, pra ikën një serb për 1 mijë banorë, këtej ikim 9 ne, që kemi dhe det.

 

Treguesit e borxhit publik janë përkeqësuar në mënyrën më kritike. Niveli i borxhit për banorë nga më të lartët dhe është rritur mbi 64% në vitin 2021 krahasuar me vitin 2013. Në vitin 2013, 3108 dollarë për banor ishte borxhi, tani është mbi 5000 USD, sepse merren borxhe pa fund, përveçëse e dini shumë mirë se ku shkojnë borxhet.

Në periudhën 2020-2021, produktiviteti i borxhit i matur si raport i zgjerimit të PBB është përkeqësuar kundrejt zgjerimit të stokut të borxhit. Në periudhën 2005-2013 për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi u zgjerua me 128 lekë. Në periudhën 2013-2021 për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi është zgjeruar në 84 lekë, në një nivel më të ulët se vet rritja e borxhit.

Rritja e stokut të projekteve të partneritetit publik-privat po shton në mënyrë dramatike rrezikun fiskal dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Fondi i koncensioneve të projekteve PPP me ofertë të pakërkuar rritet nga 636 miliardë lekë në 2021, në 830 miliardë lekë në vitin 2022 dhe për gjashtë projekte të reja në vlerën 194 miliardë lekë, ose me një rritje mbi 30%. Ah jo, për të shpenzuar për të rritur pagat, për të rritur pensionet, për këto nuk ka mundësi qeveria. Sepse do shkojë kosto e rrugës nga 2 milionë euro, do shkojë në 20 milionë euro. Sipas Eurostat, 1km rrugë e re në Shqipëri kushton 6 herë më shumë se në Serbi. Nuk po themi në Danimarkë dhe në Austri. 6 herë më shtrenjtë!! Pra vidhet gjashtë herë më shumë se sa në Serbi. Shqipëria sigurisht është kampione e korrupsionit në rajonin tonë, por edhe më gjerë. Përsa i takon rryshfetit jemi të dytët në botë. Sipas Indeksit të Perceptimit të korrupsionit të vitit 2022 nga International Transparency, jemi të 110-ët dhe vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon dhe ndër më të lartët në botë. U detyrua edhe Rezoluta e Parlamentit Europian që dha mbështetje për çeljen e negociatave me Shqipërinë, që për herë të parë thoshte që Shqipëria ka humbur nga 2016-a, 27 vende. A e dini ju se çfarë është 2016 dhe 22 Korriku? Viti kur votuam Reformën në Drejtësi, e cila do të çrënjësote korrupsionin. Por meqënëse ai, bashkë me ndihmën e atij tjetrit, ortakut të vetë, e kthyen në Ramaformë, në vend që Shqipëria të ishte vendi i parë kundër korrupsionit në rajon, është jo vetëm lider rajonal dhe në nivelet më të larta botërore, por është përkeqësuar 27 vende. Situata është tepër kritike dhe nuk mund të presim falimentimin e Shqipërisë, sepse dihet që Artisti gjithmonë do të shpik fajtorë. Ndaj është një moment i rëndësishëm reflektimi për këtë situatë tepër kritike, që të mos përfundojmë si Greqia në falimentim. Se në rast se është 200 e ca euro paga minimale, do vejë 50 euro. Nuk kanë mëshirë kreditorët. E kemi parë, e dini ju se çfarë ka ndodhur atje. Dhe nuk kemi përse të shkojmë në falimentim, se kleptokratët firmosin në mënyrën më të papërgjegjshme që as në filmat hollivudianë nuk mund t’i shohësh, për inceneratorët, ku nuk kanë frena dhe asnjë respekt as për të ndjerët dhe me firmat e tyre xhirojnë dhe përvetësojnë dhjetëra milionë Euro siç e keni parë ju, por ama për të blerë një helikopter për të mbrojtur Sazanin dhe Llogaranë nga zjarret nuk ka, se ne kemi nja 3000 ishuj dhe nuk ka problem.

Tani është koha për veprim. Tani është koha për organizim, jo se është tani, ka qenë me kohë për këto çështje. Dhe unë jam këtu, sepse nga lufta veç ai largohet që ka lindur tradhëtor. Dhe sot t’i largohesh betejës për liri, për demokraci dhe për sovranitet është tradhti kombëtare, është për çdo shqiptar, aq më tepër për një shqiptar si Ilir Meta. Ndaj dhe unë jam këtu, për të marrë çdo përgjegjësi në emër të gjithë shqiptarëve patriotë, të ndershëm dhe demokratë. Dhe në gjithë eksperiencën timë, por dhe duke parë eksperiencën e politikanëve të tjerë këtu, e kam të vështirë që t’i them popullit të Shqipërisë apo atyre që më besojnë mua: që besojini këtij. Jo mor jo, as Ilir Metës mos i besoni, besojini vetes suaj. Bëhuni më të përgjegjshëm të gjithë për veten tuaj, për fëmijët tuaj, për prindërit tuaj që marrin ato pensione skandaloze që as ilaçet nuk i përballojnë dot. Dhe të bëhemi dhe për dinjitetin e vendit tonë. Për ata që u vranë për këtë vend. Pse çfarë kujtoni ju se Mujo Ulqinaku që doli atje në 7 Prill, mendoi që do të ndalonte Italinë fashiste?! Ju mendoni se Vasil Laçi, mendoi se duke vrarë një perandor do të çlironte Shqipërinë? Ju mendoni se Vojo Kushi kur i ngeli vetëm një bombë në dorë, nuk dinte të dorëzohej dhe të kërkonte që ti falnin jetën, apo kujtoi se duke marrë një tank do të çlironte Shqipërinë?! Jo or jo, ky vend nuk ka vetëm njerëz me stomak, por ka shqiptarë të ndershëm, ka shqiptarë patriotë që i dalin Zot këtij vendi.

 

Prandaj askush nuk po u kërkon as juve, as kujt tjetër të bëjnë atë që bënë ata burra, por të mos shisni votën, të mos tradhëtoni më as Ilir Metën, të mos tradhtoni Kushtetutën. Mos kujtoni ju se ai Dvorani është një jurist i keq, jo, ai nuk ka asnjë gram gjak shqiptari. Është një mercenar, siç ka shumë mercenarë të tjerë. Po, pse po I hyn kësaj lufte? Çfarë të duhet ty? Çfarë do fitosh ti? Tregtarët hyjnë vetëm për të fituar, atdhetarët hyjnë në të gjitha betejat, të cilat i kërkon vendi, të cilat I kërkon historia. Dhe ka beteja, për të cilat nuk ja vlen vetëm që të humbësh, por luftën ta bësh deri në fund, por që ja vlen edhe të vdesësh.

 

Sot, me besa-besë, me gjithë shqiptarët e ndershëm, me popullin e 2 Marsit, të shpallim Non-grata kleptokracinë. Të shpallim Non-grata Rilindjen Mavi dhe atë pjesë të Rilindjes Blu, të pazareve të 17 Majit. Prandaj, nuk jam këtu për asgjë tjetër veçse për tju kërkuar që tu tregojmë të gjithëve, atyre shqipfolëse gjakprishur që nuk kanë lidhje me ne, por t’i tregojmë edhe të gjithë botës, se ne jemi një popull me dinjitet, se ne jemi një popull evropian, se jemi një popull që padrejtësisht kjo mafie për interesat e saj, por edhe të asaj mafies ndërkombëtare, që e kërkon Shqipërinë si një vend për pastrimin e parave, dhe si një qendër, si një bazë logjistike për krimin e organizuar, tu themi se ky është vendi ynë. T’u themi se ky është një vend, me të cilin askush nuk mund të luajë. Dhe kemi vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është REFERENDUMI. Referendumi do të jetë shpata e Demokleut mbi të gjithë uzurpatorët e pushtetit dhe demokracisë, mbi oligarkët e pangopur, do të jetë garancia se sovraniteti nuk i përket popullit vetëm në letër, dhe se ata që prekin sovranitetin dhe Kushtetutën do ta kenë fatin të zi. Edhe Somoza u bë miliarder dhe e shtypi popullin e tij, por nuk gëzoi asgjë. Prandaj, e di që ju që jeni këtu, si përfaqësues të LSI-së keni dhimbje, keni nostalgji për LSI-në, por nuk besoj se keni edhe më shumë se unë. Edhe mund të keni nuk e di, nuk besoj se mund të keni, edhe mund të keni, nuk besoj se po bëjmë garë. Ne e krijuam LSI-në për të shpëtuar procesin e integrimit europian që e bllokoi Fatos Nano për hajdutëritë e tij nëpër dogana e nepër tatime, që e dinë gjithë shqiptarët. Dhe ishte ai rotacion që u realizua falë LSI-së që e solli në 2006-ën, Shqipëria të nënshkruante Marrëveshjen e Stabilizim-Asoocimit. Dhe Shqipëria bëri çdo gjë, edhe për liberalizimin e vizave, edhe për marrjen e statusit kandidat, edhe për marrjen e Rekomandimit e shumë të tjera. Por e dimë se ku jemi. Tani ka vetëm një rrugë”: Referendumi. Vetëm Referendumi është garancia që Shqipëria do të jetë e shqiptarëve, sepse keni parë se si shiten e blihen politikanët, por nuk ka forcë në botë që t’i blejë 3 milionë shqiptarë. Dhe mos harroni atdheun. Fëmijët tuaj dhe fëmijët tanë mund të gjejnë gjithçka jashtë, atdhe nuk gjejnë dot. Atdheu është vetëm këtu. Dhe mos harroni që një gjimnaziste vetëm 16 vjeç, nga Berati, nga një nga familjet më patriotike, me kontributet të mëdhaja që nga shpallja e Pavarësisë dhe për forcimin e shtetit shqiptar, e Tutulanëve, Margarita Tutulani shkruante në hartim. “Më pyet shpesh vëllai im i vogël”. 16 vjeç, një fëmijë. Në një familje me gjithë të mirat. Thotë: Më pyet shpesh vëllai im më i vogël, që dëgjonte historitë e Atdheut dhe të pushtuesvë: motër po ç’na duhet Atdheu? Eh vëllaçko, je i vogël dhe nuk e kupton, por kur të rritesh do ta kuptosh. Atdheu na duhet që të jetojmë të lirë”. Prandaj ju ftoj nga Partia e LSI-së në Partinë e Lirisë, në Partinë e Sovranitetit, në Partinë e Referendumit. Do të matemi shumë shpejt: Partia e Patronazhistëve dhe e Dushan Mugoshës- Partia e Lirisë dhe e gjithë shqiptarëve. Rroftë Shqipëria e lirë dhe demokratike. Rroftë Kosova, shtet i pavarur. Lavdi Kombit tonë. Mirënjohje të gjithë atyre që themeluan LSI-në, Ta gëzojmë Partinë e Lirisë.