14 Feb Konference per shtyp e Zv kryetarit te LSI-se Pellumb Xhufi
” Konference per shtyp e Zv kryetarit te LSI-se Pellumb Xhufi Në emër të LSI dua të shpreh indinjatën dhe neverinë tonë për deklaratat dhe komentet që përfaqësues të maxhorancës përkatësisht të PD kanë bërë këto dy ditë lidhur me ngjarjet e rënda të ndodhur në Kuvendin shqiptar. Dua t’ referohem veçanërisht deklaratave të bëra me tragjizmin e saj të shtirur nga Kryetarja e Kuvendit z.nja Topalli e cila dje përgatiti një vizitë në sallën e Parlamentit sigurisht e shoqëruar nga mediat. Unë dua të siguroj të gjithë shqiptarët se pamjet që z.nja Topalli mundohej tua tregonte dje mediave sidomos ato më pikantet ishin një inskenim i turpshëm i asaj vetë. Deputetët e opozitës në çastin e largimit nuk lanë pas as kompjuter të thyer apo të përmbysur as sisteme elektronike të shkatërruara dhe as letra apo hedhurina për tokë. Ato janë krijuar me urdhër më vonë me qëllimin e mprapshtë për të krijuar artificialisht një pejsazh apokaliptik në sallën e Kuvendit për të diskredituar e inkriminuar opozitën.
Sigurisht dita e 28 korrikut nuk ishte një ditë e zakonshme për Kuvendin e Shqipërisë por jo për shkak të irritimit të deputetëve të opozitës. Atë ditë në sallën e kuvendit të Shqipërisë u konsumuan gjëra shumë të rënda. U konsolidua përfundimisht prirja e mazhorancë dhe e kreut të saj për të uzurpuar të gjitha pushtetet e për të instaluar rregjimin. U fut tinëzisht e pabesisht për votim kundër të gjitha procedurave një vendim i mazhorancës për t’i rrëmbyer opozitës vendin e përfaqsuesit të saj në KQZ që ligji ja jep në mënyrë taksative të padiskutueshme e të painterpretueshme opozitës. U fut tinëzisht e pabesisht për miratim lista e antarëve të KKRT e të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit publik të zgjedhur në mënyrë të njëanshme në bazë të një ligji të kaluar me dhunën e kartonit dhe që sanksionon pushtimin e mediave elektronike nga mazhoranca më sakt nga PD dhe akoma më sakt nga Sali Berisha. Në bazë të një ligji që ka krijuar konflikt jo vetëm me opozitën dhe me grupet e interesit brenda vendit por edhe me partnerët e afërt ndërkombëtarë duke filluar nga Komisioni i BE.
Kjo ishte goditja e fundit në radhë (por do pasohet nga të tjera) kundër demokracisë kundër shtetit ligjor e kundër moralit dhe etikës parlamentare e njerëzore. Në këto kushte irritimi i opozitës është legjitim. Opozita nuk mund të jetë një kone e bindur e mazhorancës aq më pak një kone e kryeministrit Sali Berisha që deri tani ka treguar se di vetëm të shkelë e të dhunojë. E bën me të vetët ne nuk do lejojmë që ta bëjë me ne e me gjithë shqiptarët.
Në situatat e tensionuara që u krijuan në parlament z.nja Topalli luajti përsëri rolin e zjarrvënësit. Ndërhyrjet e saj ishin si gjithmonë të pahijshme të pavenda provokuese. Z.nja Topalli mund të ketë ambicje të mëdha mund të ketë edhe aftësi të jashtëzakonshmne (që gjithsesi mbeten për t’u provuar). Ajo mund të ëndërrojë që si Zhana d’Ark të luftojë të keqen të dërrmojë korrupsionin t’u japë leksione e të vërë “në rrugë të drejtë” vetë Presidentin Prokurorin e Përgjithshëm KLD-në Drejtorin e Policisë së Shtetit vetë opozitën. Këto beteja të saj donkishoteske nuk përputhen me detyrën e nderuar por modeste që ajo mbulon si Kryetare e Parlamentit. Detyra e saj është të moderojë të shpërndajë në mënyrë të drejtë fjalën e deputetëve e të përfaqsojë interesat e tyre në marrëdhëniet me të tretë. Ajo nuk po i kryen aspak detyrat e saj: në vend të tolerancës e të moderimit ajo acaron përfaqsuesit e popullit duke shpërndarë vetëm vrer e helm njëlloj si merimanga “vejusha e zezë” që po vret shqiptarët këto ditë jashtë mureve të Parlamentit dhe për të cilën qeveria e zonjës Topalli nuk është pa faj. Ne duam të konfirmojmë sot deklaratën e Kryetarit të LSI-së Z. Ilir Meta se përsa na përket ne duke filluar nga data 28 korrik z.nja Topalli e ka humbur përfundimisht besimin dhe autoritetin e saj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
0x323030362d30372d3330 13:25)”