Konferencë për shtyp e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta

Konferencë për shtyp e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta

ilirmeta108022013

“Në radhë të parë dua të falënderojë të gjithë qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen e gjerë në votime gjatë ditës së sotme. Njëkohësisht, dua të falënderoj për këtë fitore plebishitare për opozitën, por edhe për këtë votim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur sot për Lëvizjen Socialiste për Integrim jam i bindur edhe nga të dhënat tona dhe nga të gjitha vlerësimet e pavarura se Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka tashmë në kuti të paktën 80 mandate dhe njëkohësisht se LSI-ja ka aktualisht në kuti 15 deri në 20 mandate. Megjithatë, nuk është kjo më e rëndësishmja, sepse fitorja e opozitës ka qenë e ditur prej të gjithëve. Edhe suksesi i LSI-së ka qenë i qartë për të gjithë. E rëndësishme është tani që procesi të vijojë normalisht, të gjithë komisionerët tanë të gjithë numëruesit tanë të bëhen pjesë, siç kanë qenë që nga fillimi i ditës së sotme, i një procesi i cili na nderon si një vend evropian.

Unë jam i bindur se ky angazhim qytetar për të kurorëzuar me sukses standardet e një procesi, i cili që nga fillimet e tij u minua nga ish-Kryeministri Berisha do të bëjë gjithçka për të lënë pas shumë njolla, që ky proces mori për të arritur ato objektiva të pamundur të ish-Kryeministrit Berisha për të imponuar votën e qytetarëve shqiptarë dhe për të bërë trysni mbi vullnetin e tyre.

Prandaj ne do të jemi sot këtu dhe jemi natë e ditë derisa të numërohet edhe vota e fundit për të mbrojtur këtë fitore plebishitare jo të opozitës, por të Shqipërisë që vendosi për një ndryshim të madh sot përmes votës së 23 qershorit. Do të kemi edhe komunikime të tjera prandaj ju ftoj të gjithëve të vazhdojmë punën me qetësi, me përgjegjshmëri dhe me përkushtim, sepse ne do ta përfundojmë këtë proces vetëm kur të numërohet drejt edhe vota e fundit që ekziston sot në kutitë që mbushi populli shqiptar në emër të ndryshimit”.

Pyetje nga gazetarët

Z. Meta, ju flisni për 80 mandate për koalicionin e majtën, ndërsa 15 deri në 20 mandate për LSI-në. Ku i bazoni këto shifra në një kohë që procesi i numërimit të votave ende nuk ka filluar?

Ne këto i bazojmë në të gjitha të dhënat tona në gjithë sistemin tonë on-line me të gjitha qarqet me të gjitha qendrat e votimit dhe njëkohësisht edhe përmes exit-polle-ve që ne kemi me institute jashtëzakonisht serioze. Ju do të keni durimin, kutitë do të hapen, do të numërohen dhe të jeni të sigurt që nuk do të dalin dot më pak se 80 mandate. Më shumë, nuk mbaj përgjegjësi.

Pak më parë edhe kompania “IPR Marketing” në bashkëpunim me televizionin “Ora News’ transmetoi rezultate e para nga disa exit-polle. Ishte një rezultat i thellë për koalicionin e majtë. Besoni se do të ndryshojë në orët në vijim dhe a ishte i pritshëm për ju?

Të jeni të sigurt se rezultati i opozitës është më i thellë se sa ai që ka dhënë “IPR Marketing”. Të jeni shumë të sigurt për këtë. Siç e kam thënë edhe më përpara fitorja është në duart tona ne nuk e lëmë të na ikë nga dora. Ish-Kryeministri Berisha të respektojë ligjet në fuqi, Policia e Shtetit të qëndrojë larg urdhrave të paligjshëm të Agron Kuliçit me kompani.