Konferencë për mediat e kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

Konferencë për mediat e kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

PetriVasili.31.10.2014

Petrit Vasili: Pjekuria politike duhet të jetë maksimale sepse është një proces që ka të bëjë me Shqipërinë nga njëra anë, por dhe me mentalitetin e zgjerimit ose jo të Europës nga ana tjetër.

Vasili: Parlamentit nuk është pronë as e mazhorancës, as e opozitës, por është pronë e qytetarëve shqiptarë të cilët i kanë dhënë detyrat njërit krah për të bërë qeverisjen e vendit dhe tjetrit për të bërë oponencën .

Vasili: Parlamenti shqiptar dhe mandati i dhënë nga qytetarët shqiptarë zhvillohet vetëm në sallën e Parlamentit ku zhvillohen idetë, por zhvillohen dhe përgjegjësitë e mëdha politike para vendit.

Vasili: Themeli i ftesës s’është hipokrizia, por bindja dhe besimi që një demokraci e maturuar funksionon më mirë kur mazhorancë e opozitë debatojnë, dialogojnë e ndërtojnë raportin e tyre politik

Vasili: Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë, thelbi i qëndrimit të LSI-së dhe mazhorancës, ka qenë zgjidhja me një dialog mes Kryeministrit e Presidentit, në mënyrë që të kemi zgjidhje të qëndrueshme e solide për një institucion kaq të rëndësishëm dhe delikat

Shtysa e konferencës sonë të shtypit të ditës së sotme është në mënyrë të natyrshme pikërisht prononcimi i djeshëm shumë i rëndësishëm i zëdhënësit të Komisionerit Fyle, z. Peter Stano, lidhur me mbylljen e mandatit të komisionit të mëparshëm dhe me fillimin e mandatit të Komisionit të ri Europian.

Është një mesazh shumë i rëndësishëm që vjen përsëri nga Europa, i cili konsiston në thelbin e së ardhmes politike të Shqipërisë e cila futet në fazën e re të përgatitjeve për të hapur procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim, një fazë e re dhe shumë e rëndësishme e cila kërkon shumë punë, shumë sakrifica, por njëkohësisht kërkon dhe pjekuri politike shumë më të ndryshme nga ajo e demonstruar deri më tani.

Ajo që unë do t’ju citoj dhe që është pikërisht nga deklarata e z. Peter Stano, është dhe esenca e procesit në momentin aktual , i cili thotë: “Çfarëdo që politikanët bëjnë, krijojnë një imazh për vendin e tyre dhe veprimet e tyre do të merren në konsideratë kur vendet do të nisin bisedimet për anëtarësim. Nëse nuk performojnë mirë, ata do të vënë në lëvizje letrat e atyre që përpiqen që të vënë në pikëpyetje nëse zgjerimi është i mëtejshëm dhe ka kuptim, dhe kjo sigurisht do të ishte e rrezikshme”.

Pra duhet kuptuar qartë që pjekuria politike duhet të jetë maksimale sepse është një proces që ka të bëjë me Shqipërinë nga njëra anë, por dhe me mentalitetin e zgjerimit ose jo të Europës nga ana tjetër.

Gjithashtu, thelbi i sjelljes së ardhshme politike ritheksohet që është: “Dialogu dhe kompromisi, sepse në demokracitë e faturuara,- citoj sipas z. Stano, vendimet politike dhe debatet bëhen në parlament”.

Ky është mesazhi që ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë edhe në mandatin e ri. Kjo do të thotë që asgjësimi i dialogut dhe debatit në Parlamentin shqiptar, gjë që ka ndodhur përmes pjesëmarrjes së opozitës, sigurisht krijon një disbalancë të rëndësishme dhe do të thosha, problematike, sepse edhe aksioni qeveritar nuk ka mundësi të ketë gjithmonë ritmin e duhur në mungesë të një debati dhe të një oponence.

Por, njëkohësisht edhe qytetarët mungojnë që të bëjnë oponencën e tyre përmes opozitës, dhe njëkohësisht salla e Parlamentit humbet kuptimin sepse harrohet përfundimisht që salla e Parlamentit nuk është pronë as e mazhorancës, as e opozitës, por është pronë e qytetarëve shqiptarë të cilët i kanë dhënë detyrat përkatëse secilit deputet dhe secilit krah politik, njërit krah për të bërë qeverisjen e vendit dhe tjetrit për të bërë oponencën dhe për të bërë dhe mendimin alternativ. Në funksion gjithsesi të përmirësimit të drejtimit të vendit në drejtim të objektivave më të mira.

Thënë e gjithë kjo, është momenti ta rinovojmë edhe njëherë ftesën e kërkesën që opozita të mos u mungojë impenjimeve të rëndësishme dhe rolit të saj të pazëvendësueshëm në politikë, por dhe në Parlamentin shqiptar sepse siç vjen qartë edhe mesazhi nga Europa, mesazh i cili nuk ka nevojë për ndërmjetës, Parlamenti shqiptar dhe mandati i dhënë nga qytetarët shqiptarë për të gjithë palët në politikë, mazhorancë dhe opozitë, zhvillohet vetëm në sallën e Parlamentit ku zhvillohen idetë, por zhvillohen dhe përgjegjësitë e mëdha politike para vendit.

Njëkohësisht ndërtohen dhe kauzat dhe formësohen dhe profilet mazhorancë–opozitë në mënyrë më të fortë dhe më të dukshme, por sigurisht dhe në syrin e vëmendshëm dhe të vazhdueshëm të qytetarëve votues.

Dhe për ta mbyllur pjesën time të kësaj deklarate, do të thosha që ftesës sistematike që i bëhet opozitës në mënyrë të veçantë nga Lëvizja Socialiste për Integrim është në vijim të asaj bindje të palëkundur që themeli i ftesës nuk është hipokrizia, por është bindja dhe besimi që një demokraci e maturuar, sikurse thuhet në deklaratën e fundit, funksionon më së miri kur aktorët themelorë, mazhorancë dhe opozitë janë , debatojnë, dialogojnë dhe ndërtojnë të gjithë raportin e tyre politik, herë të ndezur, herë më të qetë, por gjithmonë aktiv.

Z. Vasili, me ngritjen e dy komisioneve hetimore mazhoranca pranoi se ishte në gabim në mospërmbushjen e një detyrimi kushtetues ndaj opozitës. A mos duhet vallë që opozita të varet gjithmonë nga dëshirat e mazhorancës, pasi në fakt ky është dhe shqetësimi i vetë opozitës?

Besoj që ne jemi në një situatë relativisht edhe një çikë paradoksale që, relativisht e kundërthotë edhe pyetjen tuaj, sepse ne jo më larg që dje, kemi ngritur të dy komisionet, aq shumë të kërkuara nga opozita dhe opozita ende nuk është në Parlament. Ne nuk kemi as propozimet përkatëse për ato komisione të cilat ajo edhe do t’i udhëheqë me cilësinë e kryetarit.

Pra, përpara se të kërkojmë figurativisht fajet e njëri-tjetrit është mirë të kultivojmë deri në fund atë që është instrumenti parlamentar dhe nëpërmjet tij pastaj në proces e sipër të shikojmë se cili është korrekt dhe luajal me njëri-tjetrin.

Z. Vasili, prej dy muajsh Banka e Shqipërisë është pa Guvernator. Në çfarë faze janë negociatat mes presidentit e mazhorancës dhe a e mbështet LSI-ja kandidaturën e qeverisë, Denada Prifti si Guvernatore e Bankës së Shqipërisë?

Praktikisht thelbi i qëndrimit, jo të LSI-së, por të mazhorancës në përgjithësi, ka qenë zgjidhja me një dialog ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit, në mënyrë që të kemi zgjidhje më të qëndrueshme dhe solide për një institucion kaq të rëndësishëm dhe delikat, siç është Banka e Shqipërisë dhe pas historive, do të thosha trazuese, që kanë përshkuar muajt e fundit jetën dhe funksionimin e kësaj banke.

Kështu që procesi që do të hapet së shpejti në Parlament për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës përkatës, ndërkohë që qeveria ka bërë një proces të sajin, por për korrektesë një komunikimi zyrtar do të bëhet nga Këshilli i Ministrave, kështu që unë rezervoj të bëj komente për kandidatura dhe për procesin, sepse është në atributet e qeverisë që pas procesit përzgjedhës ajo të bëjë edhe shpalljen.

Por gjithsesi thelbi i gjithë konceptimit tonë për çështjen është një dialog sa më intensiv mes Kryeministrit dhe Presidentit për një zgjedhje të qëndrueshme dhe pse jo një ushtrim i tillë dialogu të eci edhe për çë
shtje të tjera të cilat janë në proces.

Deda Prifti është njëkohësisht një kandidaturë edhe e juaja?

Ju po flisni për në kandidaturë konkrete. Në rastin konkret unë do t’u them dhe ju e dini shumë mirë, sikurse edhe Këshilli i Ministrave e ka bërë të ditur dhe ju po më shtrëngoni të bëj një komunikim që nuk është i kësaj foltoreje, por është i foltores së Këshillit të Ministrave, ka për të seleksionuar rreth 150 kandidatura dhe ndërmjet tyre edhe 7 kandidatura, ku janë 7 kandidatë të ndryshëm dhe Këshilli i Ministrave në mënyrë zyrtare do të thotë cila është përzgjedhja e tij përfundimtare.

Emrat që ju më përmendni janë në diskrecionin e medias që ta bëjë, por jo në timin si person publik dhe kryetar i Grupit Parlamentar.

A kemi një ngërç në fakt në marrëdhëniet mes presidenti dhe Kryeministrit për Guvernatorin?

Besoj që deklarimet e njëpasnjëshëm të Kryeministrit, por edhe të Presidentit kanë qenë të pritura dhe të orientuara drejt një komunikim me dialog dhe besoj që për këtë çështje nuk është vërejtur ndonjë përplasje apo një ngërç së paku në atë që ne të gjithë kemi përcjellë, në mënyrën si janë përpjekur ta ndërtojnë dhe komunikimi i tyre ka qenë edhe intensiv, për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe sa më konsensuale kësaj çështjeje.

Z. Vasili, po porsa i përket operacionit të policisë dhe OSHEE-së, për të ndërprerë lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, si e vlerësoni këtë operacion?

Në radhë të parë, çështja themelore qëndron dhe ecën në dy shina më të rëndësishme.

E para, të gjithë ju e dini se kemi të bëjmë me një çështje madhore, e cila ka krijuar një dëm ekonomik financave të shtetit shqiptar, të një shteti me këto financa publike që kemi ne.

Dhe së dyti, ka të bëjë edhe me një problem tjetër, që është edhe moral etik dhe shtetëror në raport mes atyre që paguajnë dhe atyre që grabisin energjinë elektrike. Mendoj që jemi të një mendjeje të gjithë që kërkohej një aksion i vendosur për këtë çështje, sepse pas 20 vjetësh bashkëjetese të papranueshme një fenomen të tillë ka ardhur koha që në mënyrë përfundimtare ne të ndahemi nga një fenomen i tillë jo vetëm, për të shëndoshur gjendjen e OSHEE-së.

Ndonëse për mua nuk është ky themeli kryesor, por për të stabilizuar një shoqëri të drejtë ku të gjithë ata që marrin një të mirë publike duhet ta paguajnë. Sigurisht që ky aksion kërkon vendosmërinë e tij të duhur se në të kundërt sigurisht do të mbetej në ato aksione rutinë, të cilat kanë qenë sporadike, pakditore dhe nuk kanë dhënë rezultat, por ka ricikluar edhe krizën e besimit të qytetarëve se kjo drejtësi do të vihej në vend.

Por njëkohësisht ka thelluar edhe dëmin ekonomik, kështu që besoj se vendosmëria do të ishte dhe mbetet përgjigja e duhur.

Para pak muajsh ju dhe z. Ruçi i keni nisur një letër Presidentit Nishani, ku keni deklaruar se nëse nuk ndryshon procedurën për dekretin në Gjykatën e lartë dhe atë Kushtetuese ju nuk do t’i votoni kandidaturat e tij. Por dje ne kemi parë që deputetë të LSI-së kanë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e mazhorancës. A ka ndonjë ndryshim nga ana e LSi-së në këtë drejtim?

Nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit të gjithë mazhorancës, e cila është shumë e qartë për këtë çështje. Një votë e caktuar është një sensibilitet thjesht personal, nuk ka asnjë rëndësi, nuk ka asnjë lidhje absolutisht me qëndrimin e mazhorancës.

Mazhoranca është shumë e qartë dhe e kthjellët për këtë çështje. Unë si kryetar i grupit parlamentar të LSI-së, dhe z. Ruçi si kryetar i grupit parlamentar të PS-së, kemi komunikuar dhe jemi po të asaj linje, që ndërtimi i procesit konsensual objektiv, të drejtë e transparent me të gjithë kriteret shtesë që u i duhen kësaj çështjeje na çon natyrshëm edhe në kandidaturat më të mirë.

Por na çon natyrshëm edhe në një proces që është edhe në frymën ë Kushtetutës e cila kërkon një bashkëpunim dhe një dialog ndër Parlamentit dhe Presidentit përkundrejt zgjedhjeve apo përzgjedhjeve të njëanshme.

Sigurisht votimi kundër do parë thjesht dhe vetëm si një thirrje e re për t’u ulur dhe për ta ndërtuar këtë proces dhe këtë dialog i cili do të bënte që natyrshëm kandidaturat pas procesit të konsultimit do të kishin dekretimin dhe një votim të qetë dhe pa probleme në Parlament, dhe në të kundërt thjesht mban gjallë një frymë tensionimi të panevojshëm artificial dhe politik e cila nuk i hyn në punë as mazhorancës e presidenti, por më keq akoma qytetarëve shqiptarë të cilët kërkojnë të kenë një Gjykatë të Lartë në rastin konkret të kompletuar dhe të mos punojë në atë situatë shumë të vështirë ku më pak se gjysma e atyre gjykatësve janë me mandat kushtetues të rregullt.

Z. Vasili, a ndihet LSI-ja përgjegjëse për mosndalimin e vjedhësve të energjisë elektrike në kohë, pasi kam parasysh që forca juaj politike ka qenë në krye të Ministrisë së Energjetikës?

Kam bindjen që edhe ju jeni aspak e bindur në thelbin e pyetjes suaj, sepse në qoftë se është përshkuar një histori 20-vjeçare e një fenomeni të tillë, përqendrimi në një superficialitet të tillë të pyetjes besoj që e ka edhe përgjigjen brenda.