09 Apr Konferenca për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama
Jam sot në këtë komunikim me ju për të përcjellë, përmes jush, për të gjithë opinionin publik vendas në Shqipëri por edhe për të gjithë opinion publik shqiptar kudo ku gjendet, vlerësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për procesin zgjedhor të realizuar në Maqedoni. Në mënyrë të veçantë dëshiroj të falënderoj të gjithë faktorin politik shqiptar dhe shoqërinë qytetare të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni për seriozitetin, korrektesën dhe angazhimin e demonstruar për të bërë të mundur që të realizohej një proces i vlerësuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Natyrisht është e rëndësishme që të theksoj këtu që mesazhi që vjen prej këtyre zgjedhjeve na vë edhe një herë në qendër të vëmendjes rolin dominant dhe parësor që kanë interesat kombëtare përballë interesave të grupit apo atyre partiake. Në këtë kontekst edhe qytetarët shqiptarë të Maqedonisë demonstruan vetëdije qytetare, ndjenjë atdhetare dhe përkushtim për të ecur më tej në rrugën e reformave evropianizuese edhe për Maqedoninë, ku shqiptarët janë një faktor shumë i rëndësishëm, ashtu sikundër roli i tyre si protagonist konstruktiv dhe evropian në këtë vend është gjithashtu i rëndësishëm.
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dua të përcjell edhe një mesazh të veçantë urimi për Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e kësaj partie, z. Ali Ahmeti, për rezultatin e arritur në këto zgjedhje si fitimtar dhe njëherësh t’i inkurajoj që ata të vazhdojnë të punojnë për të krijuar edhe më tej kohezionin e nevojshëm dhe partneritetin e domosdoshëm që i gjithë faktori politik shqiptar të jetë në avangardë të proceseve të integrimit evropian të shtetit fqinj.
Z. Rama, çfarë pozicioni ka LSI për sa i takon zgjidhjes së çështje çame në momentin që kemi një propozim konkret nga Partia Socialiste por edhe në momentin që nga PDIU është paraqitur një projektrezolutë për këtë çështje?
Më lejoni të sqaroj apo më saktë të korrektoj termin “çështja çame” pasi në vlerësimin tim dhe në vlerësimin tonë çështja çame është një çështje e rëndësishme që lidhet me çështjen shqiptare në Ballkan nga njëra anë. Nga ana tjetër qëndrimi ynë ka qenë i përcaktuar qartë që në themelimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim pro zgjidhjes së kësaj çështjeje në përputhje me të gjitha dokumentet evropiane që rregullojnë çështje të tilla. Madje këtë qëndrim ne e kemi bërë të njohur në mënyrë institucionale sa herë që ka qenë e rastit shumë më herët, që kur z. Meta ka qenë Kryeministër i Shqipërisë ashtu sikundër z. Meta e ka artikuluar qëndrimin tonë pro çështjes çame apo pro çështjes shqiptare të Çamërisë edhe në të gjitha takimet me partnerët ndërkombëtarë. Qëndrimi i z. Panariti në cilësinë e ministrit të Jashtëm është gjithashtu konfirmim i të njëjtit qëndrim të pandryshuar dhe ndaj të cilit ne jemi konsistent dhe të vendosur të kontribuojmë maksimalisht për zgjidhjen e drejtë dhe në përputhje me interesat evropiane edhe të qytetarëve shqiptarë nga Çamëria.
Me kalimin e LSI-së në opozitë ka ndryshuar edhe balanca e anëtarëve në KQZ. Cili do të jetë pozicioni që LSI do të mbajë në rast të një ndryshimi të mundshëm të pozicionimeve në këtë institucion?
Për konfigurimin apo raportet brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ky është një problem ligjor, kushtetues dhe ne do t’i qëndrojmë asaj frymë të artikuluar edhe në raport me të gjithë zhvillimet politike në vend edhe nga Kryeministri Berisha, që Kushtetuta i ka parashikuar të gjitha çështjet drejt dhe në përputhje me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor dhe me të gjitha aktet që normojnë të gjithë veprimtarinë e KQZ-së apo të gjitha trupave zgjedhore. Ne do të ecim më tej me synimin dhe me përgjegjësinë, jo se kush merr thelën apo kush ka në dorë bilbilin por me përkushtimin që të realizojmë një proces zgjedhor korrekt, të ndershëm, transparent, në përputhje me standardet evropiane që edhe Shqipëria më në fund në zgjedhjet e 23 qershorit të fitojë të ardhmen e vet evropiane duke realizuar zgjedhje në përputhje me standardet evropiane.
Z. Rama, a keni një koment në lidhje me lëvizjet e fundit në administratën vendore, duke pasur parasysh këtu Prefekturën e Vlorës? I referohem gjithashtu edhe faktit se z. Meta deklaroi se edhe pas ndërprerjes së marrëveshjes me PD-në në qeverisjen qendrore, bashkëpunimi në qeverisjen vendore do të vazhdojë.
Më lejoni të shpjegoj që, e para, nuk ka pasur një ndërprerje të marrëveshjes së bashkëqeverisjes më Partinë Demokratike, por ka pasur një përfundim të marrëveshjes apo akordit bashkëqeverisës të nënshkruar katër vite më parë, për shkak të mbërritjes së afatit kushtetues kur do të duhet të konfigurohen edhe koalicionet apo grupimet zgjedhore në respektim të datës kushtetuese për të bërë të mundur ecurinë e mëtejme të procesit. E dyta dhe që është e rëndësishme, ne kemi reflektuar duke tërhequr nga pozicionet politike, pra nga pozicionet e përfaqësimit politik, përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’i hapur rrugën ecurisë së mëtejme të qeverisjes dhe konfigurimit real dhe në përputhje me të gjitha angazhimet tona të Lëvizjes Socialiste për Integrim si forcë politike në opozitë tashmë. Përsa i përket punonjësve të tjerë në administratën publike, ata janë punonjës të zgjedhur në përputhje me ligjin civil në Republikën e Shqipërisë. Vetë kryeministri Berisha ka theksuar që punonjësit e administratës janë punonjës të shtetit, ka theksuar domosdoshmërinë e respektimit të kontratës së punës së tyre në raport me Kodin e Punës dhe me Ligjin e Shërbimit Civil dhe nga kjo pikëpamje çdo qëndrim tjetër jashtë kësaj fryme, bie ndesh me parimet për të cilat është investuar edhe koalicioni qeverisës gjatë këtyre katër viteve, në përbërje të së cilës ka qenë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kështu që, nga kjo pikëpamje, për mendimin tim, nuk ka vend për konflikte të kësaj natyre, ka vend për më shumë angazhim, për më shumë përgjegjësi. Ashtu sikundër, çdo qytetar i cenuar në të drejtën e vet, në një shtet ligjor, duhet ta kërkojë dhe ta gjejë zgjidhjen tek institucionet ligjore të shtetit. Punonjësit e administratës publike të të gjitha niveleve kanë vetëm një detyrë, të fokusohen në shërbim të interesave të qytetarëve. Janë punonjës në detyrë për tu shërbyer qytetarëve dhe jo për tu bërë pre dhe as instrumente të manovrave politike, aq më tepër që jemi përpara zgjedhjeve dhe kur administrata publike, administrata shtetërore e të gjitha niveleve në pushtetin qendror apo në atë lokal duhet të jetë tërësisht e fokusuar për të garantuar të njëjtën cilësi shërbi
mi dhe të njëjtin angazhim ndaj qytetarëve deri në ditën e zgjedhjeve. Ky është qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim sepse, në fund të fundit, kjo është edhe qasja evropiane e sjelljes së çdo punonjësi të shtetit në detyrë përballë respektimit të ligjit dhe interesave të qytetarëve. Shqipëria nuk është më 15 apo 20 vite më parë kur zgjedhjet apo afrimi i zgjedhjeve shërbente për të krijuar viktima elektorale apo për të realizuar gjah elektoral në punonjësit e administratës publike. Shqipëria evropiane, që aspiron me të drejtë dhe që është në vigjilje të hapave të tjerë të mëtejshëm për integrimin evropian, duhet të sillet në mënyrë evropiane dhe ndaj punonjësve të administratës publike.
Si sot një javë më parë, kryetari i PS-së, pasi ka mbledhur kryesinë dhe grupin ka zyrtarizuar ftesës për LSI-në, ftesë e pranuar vetëm dy ditë më vonë nga LSI-ja pas mbledhjes së kryesisë së saj. A kemi disa detaje se kur do të kemi ndonjë takim të mundshëm mes kryetarit të LSI-së, z. Meta dhe atij të PS-së, z. Rama?
Ju e dini se ne jemi shumë korrektë dhe transparentë në komunikimin me ju për çdo zhvillim politik, në mënyrë të veçantë për zhvillimet politike që kanë të bëjnë me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Jemi vetëm në stadin e ftesës dhe të pranimit të ftesës për të krijuar kohezionin dhe bashkëpunimin e domosdoshëm midis dy aktorëve politikë më të rëndësishëm dhe më influent në jetën politike shqiptare të së majtës evropiane shqiptare dhe në momentin kur do të ketë zhvillime të tjera ne do t’ju informojmë ju dhe publikun me shumë seriozitet dhe me shumë korrektesë.