Konferenca e shtypit e Kryetarit te LSI

Konferenca e shtypit e Kryetarit te LSI

Konferenca e shtypit e Kryetarit te LSI z.Ilir Meta Meta : Që nga dita e sotme kandidatët e koalicionit "Bashkë për të ardhmen" kanë dhe do të kenë vetëm një sigël të përbashkët e cila është pikërisht sigla e koalicionit "Bashkë për të ardhmen" dhe si e tillë duhet të vlerësohet nga të gjitha forcat politike të koalicionit opozitar
 
Sot dëshiroj të vlerësoj marrëveshjen e nënshkruar dje me Partinë Socialiste për kandidatët e përbashkët të koalicionit "Bashkë për të ardhmen" si marrëveshjen e fitores dhe të triumfit të sigurtë dhe të plotë të opozitës mbi mazhorancën e Mega-Dushkut dhe të errësirës në 18 shkurt.
Me këtë rast dua të falenderoj të gjithë strukturat e LSI-së për përzgjedhjen e shumë kandidatëve nga subjekti ynë si përfaqësues të përbashkët të koalicionit "Bashkë për të Ardhmen" në zgjedhjet e 18 Shkurtit. Njëkohësisht dua të falenderoj të gjithë ata që nuk janë pjesë e kësaj marrëveshje për arsye sepse marrëveshja sigurisht kupton edhe tolerimin nga të dyja palët.
Njëkohësisht besoj se të gjithë ata do të kontribuojnë fuqishëm për të treguar vlerat e tyre në mbështetje të kandidatëve të përbashkët të koalicionit "Bashkë për të Ardhmen".
Dua të bëj të qartë  që nga dita e sotme kandidatët e koalicionit "Bashkë për të ardhmen" kanë dhe do të kenë vetëm një sigël të përbashkët e cila është pikërisht sigla e koalicionit "Bashkë për të ardhmen" dhe si të tillë duhet të vlerësohet nga të gjitha forcat politike të koalicionit opozitar. Jo vetëm kaq por ne jemi të vendosur që jo vetëm të mbështesim të gjithë kandidatët e koalicionit të përbashkët por mbi të gjitha edhe të ndërtojmë edhe një qeverisje të përbashkët vendore pas 18 Shkurtit që do të thotë se do të ketë një bashkëpunim midis forcave të koalicionit për të realizuar një qeverisje vendore më transparente më dinamike me rezultative dhe më bashkëpunuese pas fitores në 18 Shkurt. Ne jemi të bindur se ky koalicion i ka të gjitha kapacitetet për të treguar epërsinë e tij në drejtim të vizionit të qeverisjes dhe të politikave të zhvillimit. Mirëqeverisja vendore që ne do të ofrojmë ku shembulli më i mirë është qeverisja e kryeqytetit e cila padyshim do të jetë në një kontrast të plotë me alternativën e errësirës demagogjisë dhe e mashtrimit që ka ofruar deri tani qeverisja e Sali Berishës. Jam i bindur se ky koalicion i cili është para provës së tij të parë në 18 Shkurt do të tregojë se është një koalicion vlerash një koalicion i qëndrueshëm i cili meriton që shumë shpejt të marrë në dorë fatet e qeverisjes së plotë të vendit.
 
Z. Meta a mendoni se pas firmosjes se marrëveshjes me PS mund të ketë përplasje të disa kandidatëve në disa zona ku si PS dhe LSI i konsideron bastionet e veta?
 
Nuk e besoj aspak. Sikurse u shpreha më lart pretendimet nga të gjitha palët para nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë të mëdha sesa ajo që është arritur por marrëveshja respektohet nga të dyja palët dhe kërkon tolerimet përkatëse dhe këto janë bërë jo pa dhimbje. Por mbi të gjitha unë jam i sigurt për fitoren e koalicionit opozitar për arsye se qëllimi kryesor i gjithë forcave politike që përbëjnë këtë koalicion dhe në veçanti i gjithë elektoratit opozitar është fitorja e këtyre zgjedhjeve dhe jo thjesht fati apo kariera  e individëve të caktuar.
Së dyti unë besoj se të gjithë ata kandidatë të cilët vërtetë kanë vlera pavarsisht se pretendonin në krahun e PS dhe të LSI-së për të qenë kandidatë të përbashkët të këtij koalicioni por që nuk janë për arsye të marrëveshjes do të ketë të gjitha mundësitë për të treguar vlerat e tyre në të ardhmen për të treguar integritetin e tyre dhe për t'u vlerësuar pikërisht në bazë të demonstrimit të këtyre vlerave.
Në rast se do të ketë pastaj kandidatë të caktuar të cilët për inate personale do të përpiqen të sakrifikojnë fitoren e koalicionit mendoj se dëmi do të jetë i tyre dhe jo i koalicionit. Koalicioni është i hapur gjithëpërfshirës dhe të gjithë do të kenë mundësi të integrohen nëse vërtet i kanë ato vlera që pretendojnë.

  0x323030372d30312d3139 16:0)