Konferenca e shtypit e Kryetarit te LSI

Konferenca e shtypit e Kryetarit te LSI

” Konferenca e shtypit e Kryetarit te LSI z.Ilir Meta Meta: Zëvendësimi i monopoleve të para 3 Korrikut me oligopolet e sotme kanë shtrenjtuar çmimet ne pergjithesi dhe ato të shërbimeve për qytetarët shqiptarë

Meta: fallsitetin e statistikave te z.Berisha e përgënjeshtrojne me mirë se ne dhe gjithë opozita xhepat e shqiptarëve që po varfërohen gjithnje e më shumë dhe zymtësia ekonomike dhe sociale në vend

Meta: Ata që Berisha akuzoi në veçanti dhe ndërtoi gjithë fushatën e tij elektorale për korrupsion dhe për monopole nuk kanë pasur asnjë lloj shqetësimi por përkundrazi janë më të përkëdhelurit e qeverisjes së Z. Berisha për qëllime diversioni brenda opozitës

———————-Deklarata———–

Me rastin e fjalimit butaforik të kryeministrit Berisha për një- vjetorin e qeverisjes së tij së pari dua të dënoj mënyrën sesi Berisha i trajtoi shumë prej gazetarëve dhe analistëve të nderuar të medias shqiptare duke u mbajtur një fjalim nje ore e gjysëm sikur të ishin anëtarë të Kuvendit të Partisë Demokratike.
Së dyti fallsitetin e statistikave te z.Berisha e përgënjeshtrojne me mirë se ne dhe gjithë opozita xhepat e shqiptarëve që po varfërohen gjithnje e më shumë dhe zymtësia ekonomike dhe sociale në vend e cila është rezultat i mungesës së plotë të vizionit dhe vullnetit për zhvillimin e vendit është rezultat i paaftësisë totale për të gjallëruar ekonominë është rezultat i zëvendësimit të monopoleve të para 3 Korrikut me oligopolet e sotme që kanë shtrenjtuar çmimet ne pergjithesi dhe ato të shërbimeve për qytetarët shqiptarë. Sigurisht që nuk mund të ndiejnë shqiptarët një  zhvillim ekonomik në dobi të familjeve të tyre dhe të xhepave të tyre përderisa energjitë kryesore z. Berisha dhe mazhoranca e tij i shpenzojnë për të uzurpuar institucionet demokratike në vend. Pra po i shpenzojnë për të shkatërruar funksionimin e institucioneve të pavarura dhe për të krijuar një shtet partiak i cili nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës. Mjafton të shikoni për një vit fjalimet etiketimet dhe denigrimet që Berisha i bën Presidentit të Republikës që i bën Prokurorit të Përgjithshëm që i bën kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit që është njëkohësisht edhe kryetari i partisë kryesore opozitare në vend që i bën të gjithë atyre të cilëve duhet të tregojë respekt jo si Berishë por si kryeministër. Është kjo politikë e konflikteve të pafundme e cila ka sjellë që gjendja ekonomike dhe sociale të përkeqësohet më tej. Është kjo politikë që në vend të sillte zhvillim dhe dinamizim të ekonomisë dhe të iniciativës së lirë ka sjellë ndrydhjen e saj. Kjo gjë ka bërë që monopolet e 3 Korrikut të zëvendësohen me oligopolet e sotme. Njëkohësisht jam i bindur që të gjithë shqiptarët dhe opinioni ndërkombëtar e ka të qartë që lufta kundër korrupsionit me të cilin erdhi në pushtet Z.Berisha nuk ishte gjë tjetër por veçse një demagogji për të fituar votat e shqiptarëve. Sepse jo vetëm ata që Berisha akuzoi në veçanti dhe ndërtoi gjithë fushatën e tij elektorale për korrupsion dhe për monopole nuk kanë pasur asnjë lloj shqetësimi por përkundrazi janë më të përkëdhelurit e qeverisjes së Z. Berisha për qëllime diversioni brenda opozitës. Për më tepër seanca e mbrëmshme i hoqi përfundimisht patkonjtë kalit tashmë të ngordhur të luftës kundër korrupsionit që përdorte z. Berisha me vite të tëra. LSI përveç këtij vlerësimi politik për punën e qeverisë dhe për fjalimin e fundit të kryeministrit çdo ditë në të gjitha fushat e qeverisjes do të provojë para shqiptarëve dhe para ndërkombëtarëve dështimin e plotë të tij. Berisha jo vetëm që nuk mbajti premtimet e tij për përmirësim të jetës ekonomike dhe sociale të shqiptarëve jo vetëm që nuk mbajti premtimet e tij për të vendosur paqe por mbjell çdo ditë urretje me mënyrën sesi flet dhe denigron të gjithë ata të cilët nuk i nënshtrohen atij dhe këtë fat e kanë pasur jo vetëm opozitarët por edhe ata të cilët dolën në tribunë me z. Berisha për të fituar në zgjedhjet e 3 Korrikut. Është mëse e qartë se Z .Berisha premtimin e parë që dha në mbrëmjen e 3 Korrikut për të realizuar zgjedhje të drejta dhe të lira dhe ku të gjithë shpresuam se ishte një angazhim  për të reflektuar ndaj asaj gjëme që bëri në 1996 përkundrazi edhe këtij premtimi i ka vënë shkelmin përfundimtar me gjithë përpjekjet sistematike që bëri për një vit për të mos zhvilluar dhe për të mos ecur përpara puna për reformën zgjedhore. Si dhe me gjithë përpjekjet dhe tensionet që provokojë përsa i takon problemeve që kanë të bëjnë me listat dhe me KQZ dhe me gjithë institucionet që janë përgjegjës për mbarëvatjen e këtij procesi por njëkohësisht është e qartë që po përpiqet të sabotojë edhe marrëveshjen e firmosur nga PD-ja dhe PS-ja. Në vend që të përmbushë detyrimet si kryeministër dhe si drejtues i mazhorancës për të përmbushur standartet e zgjedhjeve shpall data virtuale duke shpresuar që mund të fusë në panik opozitën.
Por Berisha e ka shumë gabim sepse ne atë do e mundim edhe në zgjedhjet vendore dhe në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme.

Pyetje-Pergjigje:

Z. Meta ju u shprehet se Berisha nuk ka luftuar korrupsionin dhe ata që ka sulmuar para 3 Korrikut po përkëdhelen. Mos e keni fjalën këtu për ish- kryetarin e PS  Nano?

Më duket se isha shumë i qartë. Mendoj se të gjithë shqiptarët po e kuptojnë se Berisha është i gatshëm të njollosë çdo njeri të ndershëm i cili ballafaqohet më të për arsye politike dhe është i gatshëm të zbardhë çdo njeri që ka nxirë veten dhe që është nxirë me ndihmën e z. Berisha për korrupsion dhe që kthehet si aleat i përkohshëm për të. Mendoj se jam i qartë. Emërat i gjeni ju tashmë.

Z.Meta opozita dje u largua nga parlamenti si shenjë proteste për ngritjen e një komisioni hetimor për pasurinë e Z.Berisha. A do të vazhdojë sërish ajo me bojkot?

Nuk e kuptoj çfarë të keqe ka që të mos ketë 2 komisione. PD ka kërkuar që të krijohet një komision për të gjithë politikanët pra ky është një komision që të mos hetohet asnjeri. Kurse PS dhe opozita ka kërkuar që të ngrihet një komision i posaçëm për z. Berisha si Kryeministër që është dhe që duhet të reflektojë vullnetin për trasparencë. Ju ndoshta e mbani mend por po ju’a freskoj pak kujtesën që unë kur jam akuzuar nga z. Nano ai atë kohë kryeministër dhe unë deputet me akuza nga më të ndryshme unë kam dalë para parlamentit dhe kam kërkuar që të ngrihet një komision parlamentar për të gjithë akuzat që bënte PS në atë kohë që kishte pushtetin dhe gjithë dokumentacionin e qeverisjes kur kam qenë në krye të Qeverisë por edhe akuzat e opozitës në atë kohë. Me këtë rast si ish-kryministër theksoj se nëse dëshirojnë mund të ngrejnë një komision të posaçëm për mua. Dhe nuk e kuptoj pse Z. Berisha nuk e pranon këtë gjë kur janë ngritur komisione për titullarë të rëndësishëm sepse ai ka vetëm këtë shans të hedhë poshtë akuzat e opozitës. Pra kjo përpjekje që të hetohen të gjithë bashkë është një përpjekje e kotë që të mos hetohet asnjëri.

Z. Meta opozita ka hedhur idenë që hetimin e zyrtarëve të lartë të vijnë një grup prokurorësh të huaj dhe vendas sa e mundshme dhe e vlefshme do të ishte kjo?

Ne jemi të hapur për çdo lloj komisioni hetimor komision shqiptar i Partise Demokratike të Parlamentit komision ndërkombëtar dhe botëror. Ne jemi të zgenjyer që Z. Berisha nuk pranon që të ngrihet një komision për të ndërkohë që hetohen presidentë në Amerikë dhe kryeministra në të gjithë botën. Për ne të dy komisionet janë të ligjshëm dhe tërësisht të moralshëm.

Z. Meta në rast se Presidenti do të shpall ditën e zgjedhjeve ne Dhjetor do të marrë pjesë opozita?

Opozita është e gatshme të marr pjesë në zgjedhje në çdo moment dhe mezi presim që t’i tregojmë z. Berisha që ai është më në minorancë se me 3 Korrik pavarësisht nga Megadushku që solli atë në pushtet. Problemi ynë kryesor dhe i vendit është që të plotësohen të gjitha standartet që Z. Berisha  me firmën e Z.Topi ka firmosur me PS. Ky është shqetësimi kryesor dhe për këtë Berisha duhet të kuptojë se më e rëndësishme se rezultati i zgjedhjeve është ndershmëria e procesit zgjedhor. Dhe për ketë gjë duhet të jetë ai më i kujdesshëm në të mirë të stabilitetit të vendit dhe qeverisë që ai drejton.

0x323030362d30392d3236 14:35)”