Klajda Gjosha: Vizita e z. Fyle, mezash i qartë për t’i dhënë fund konflikteve dhe për të punuar për integrimin e vendit

Klajda Gjosha: Vizita e z. Fyle, mezash i qartë për t’i dhënë fund konflikteve dhe për të punuar për integrimin e vendit

klajdagjosha04022013

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherazi kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, në fjalën e saj në Komitetin Drejtues Kombëtar të LGI-së i bëri dhe një herë thirrje politikës shqiptare që të përfitoj nga vizita e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, dhe të lërë mënjanë konfliktualitetin e të punojë për integrimin e vendit. Znj. Gjosha në emër të LSI-së u shpreh se i duhet dhënë fund konflikteve dhe për të votuar në mënyrë menjëhershme të tria ligjet në Parlament ku nuk do të ishte vetëm një status i sigurt për Shqipërinë në Bashkimin Europian por do të krijonte edhe një klimë pozitive për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit.

“Patjetër që mesazhi ynë kryesor edhe si Lëvizje Socialiste për Integrim është edhe fakti që ne punojmë shumë për integrimin e vendit. Kjo është edhe shtylla kryesore e platformës sonë, e cila sot përkon me një moment tepër të rëndësishëm pasi siç e dini sot në Shqipëri kemi nderin që vizitohemi nga z. Fyle të cilin me të vërtetë në emër të LSI-së e falënderoj për të gjithë mbështetjen dhe kujdesin që ai tregon ndaj politikës shqiptare. Me rëndësi është fakti që ai sot vjen dhe e gjen Shqipërinë në një moment tepër të rëndësishëm të një konflikti politik i cili është krijuar dhe ka pushtuar vendin tonë. Ndaj mesazhi më i mirë që ai mund t’i japë Shqipërisë është për t’i dhënë fund këtyre konflikteve politike për ta çuar Shqipërinë drejt zhvillimit të mëtejshëm, drejt integrimit të shoqërisë sonë në Bashkimin Europian. Ky është edhe fokusi i punës sonë, është edhe fokusi i asaj se çfarë kërkojnë sot të gjithë shqiptarët dhe e gjitha shoqëria shqiptare. Është koha për të fituar këto dhjetëra vitet e fundit të humbura dhe për t’i dhënë vendit tonë kulturën, frymën dhe integrimin evropian.

Ndaj edhe një herë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë politikën shqiptare për t’i dhënë fund konflikteve dhe për të votuar në mënyrë menjëhershme të tria ligjet në Parlament ku nuk do të ishte vetëm një status i sigurt për Shqipërinë në Bashkimin Europian por do të krijonte edhe një klimë pozitive për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit. Është momenti që të lemë pas të gjithë konfliktet politike. Të punojmë se bashku për t’i dhënë fund çështjeve me interesa personale dhe të ecim më shpejt drejt zhvillimit dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, u shpreh Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha. Zonja Gjosha i falënderoi të gjitha gratë dhe vajzat e pranishme për punën e tyre dhe u shpreh se Lëvizja e Gruas për Integrim në çdo kohë ka treguar se është një lëvizje e cila është afirmuar shumë jo vetëm në strukturat e LSI-së për në politikën shqiptare. Sipas saj puna e zhvilluar gjatë kësaj kohe ka qenë e jashtëzakonshme në ngritjen e strukturave, në organizimin e aktiveve të cilat ne me të vërtet kanë dhënë një emocion të veçantë gjatë gjithë kësaj kohe. Duke folur mbi prioritet e LGI-së për zhvillimin e gruas shqiptare kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim deklaroi se platforma politike e LGI-së do të mbështetet në dy shtylla kryesore, në fuqizimin ekonomik të gruas dhe në rritjen e pjesëmarrjes së saj në vendimmarrje. “Më lejoni që t’i kthemi sërish rendit të ditës për të folur mbi platformën tonë politike e cila është shumë e rëndësishme dhe që do të ketë dy shtylla kryesore të saj, shtylla që sot janë edhe në axhendën e Bashkimit Europian.

Ne do të fokusohemi pikërisht në fuqizimin ekonomik të gruas, pa të cilin nuk mund të ketë barazi gjinore dhe nuk mund të ketë hapësira dhe mundësi për të rritur rolin e gruas në familje dhe në shoqëri. Rol të rëndësishëm këtu do të luajnë trajnimet e grave dhe drejtimi i tyre drejt fushave të ndryshme të arsimit profesional në bazë të kërkesave të tregut të punës. Këtu zënë vend të veçantë gratë në zonat rurale, duke bërë të mundur edhe forcimin e mundësive dhe kapaciteteve të tyre.

Edhe mbështetja e grave sipërmarrëse nëpërmjet programeve dhe strategjive e politikave të shtetit të cilat lehtësojnë, favorizojnë dhe mbështesin sipërmarrjet e iniciuara nga gratë, pse jo duke i mbështetur ato edhe me mikrokredi. Shtylla kryesore për të cilët do të jetë platforma jonë dhe plani ynë i veprimit është pikërisht edhe rritja e përfaqësimit të numrit të grave dhe vajzave në vendimmarrje, që është një gjë shumë e rëndësishme për t’i bërë sot ato pjesë të arenës politike pasi shpeshherë ne flasim në parim për të drejtat e grave dhe vajzave por pa marrë iniciativa konkrete në këtë kuadër.

Ndaj ne kërkojmë rritjen e pjesëmarrjes tuaj në politikë pasi nëse do të kërkojmë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, integrimi fillon sigurisht nga gjysma kryesore e shoqërisë që janë gratë dhe vajzat. Ndaj pse jo ne e kërkojmë rritjen e numrit të grave edhe në Parlamentin shqiptar për të na përfaqësuar. Ne kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet, kërkojmë bashkëpunim jo vetëm nga Lëvizja Socialiste për Integrim por nga të gjitha partitë politike shqiptare në këtë çështje pasi është një pikë që e bashkon punën tonë, e bën atë edhe më të fortë por na jep edhe një zë akoma edhe më të madh në politikën shqiptare. Pra sa më shumë të jetë përfaqësimi i grave dhe vajzave në politikë aq më shpejt ne mendojmë dhe besojmë se vendi do të ecë përpara në rrugën e zhvillimin dhe integrimit.

Kur flasim për grua nuk duhet të mbetemi vetëm në kuadrin e fjalëve ndaj së bashku ne duhet të veprojmë tani, është pikërisht ky momenti për të çuar vendin tonë përpara”, tha ndër të tjera në fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes së Gruas për Integrim, kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha.