Klajda Gjosha: LSI merr qëndrim të guximshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës gruas shqiptare

Klajda Gjosha: LSI merr qëndrim të guximshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës gruas shqiptare

klajdagjosha20012013

Në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një tjetër debat “live” me pyetje dhe përgjigje në rrjetin social “Facebook”. Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka zhvilluar një debat me pyetje-përgjigje në kohë reale. Znj. Gjosha i është përgjigjur pyetjeve të një auditori të gjerë për çështje të ndryshme të politikës, të përqendruara në çështjene rëndësishme të pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe rolin e saj në vendimmarrje. Sonte, live në Facebook, në eventin e përhershëm të së martës, Klajda Gjosha mbajti një qëndrim të fortë për mbështetjen që LSI i jep grave në Shqipëri. “Ne jemi ndjerë gjithmonë të vlerësuara për mbështetjen dhe të pasurit një rol të rëndësishëm jo vetëm në familje, por dhe në shoqëri, ashtu si burrat”, tha ajo.  Shqiptarët parashtruan një varietet pyetjesh online, lidhur me rolin e gruas dhe sesi pjesëmarrja e tyre në procesin politik do të ndihmoj në krijimin e më shumë mundësive në të ardhmen.

Klajda foli për arritjet e LSI-së në zhvillimin e standardeve të shërbimit të viktimave të dhunës në familje, trajnim për punësim dhe akses të përmirësuar në sistemin gjyqësor. “Viti 2013 është shpallur në gjithë botën si viti i luftës kundër dhunës. Ndaj, unë shpreh bindjen time se e gjithë shoqëria shqiptare duhet të jetë pjesë e kësaj nisme. Por, ne do të duam shumë që pse jo Shqipërinë ta rendisim në ato historitë e suksesit përkrah vendeve më të zhvilluara të botës, ndaj që këtu ne fillojmë të kemi një sfidë të madhe, një detyrë të madhe që na lind nga kjo tryezë. Duhet të krijojmë një shoqëri pro vetvetes, një shoqëri aktive, duhet të luftojmë për të respektuar të drejtat tona, duhet të punojmë shumë për të respektuar të gjitha përgjegjësitë tona. Duhet të kemi një shoqëri të mirarsimuar dhe aktive, ku fëmijët tanë rriten nën kulturën e respektit ndaj njëri-tjetrit, me frymën e bashkëpunimit dhe të reagimit ndaj këtij fenomeni siç është dhuna në familje. Shqipëria është një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe të gjithë ne së bashku të punojmë që ta integrojmë shoqërinë tonë në këtë familje të madhe europiane.

Por, lindin disa pyetje thelbësore. A mundemi ne të integrohemi në shoqërinë e BE-së kur ne ende nuk kemi integruar plotësisht gjysmën më të rëndësishme të shoqërisë sonë, fenomenin grua? A mundemi ne ta kthejmë si pjesë të punës sonë të përditshme përcjelljen e këtij mesazhi pozitiv tek i gjithë komuniteti që na rrethon, te miqtë, vëllezërit tanë dhe te rinia jonë? A mundemi ta bëjmë shoqërinë tonë më aktive ndaj këtij fenomeni dhe t’i themi këtu një herë e përgjithmonë mjaft indiferentizmit? Jo pa qëllim i drejtova këto pyetje për vetë faktin se Shqipëria kohët e fundit është afër me problemin e dhunës dhe, siç kemi marrë nga shifrat zyrtare, ne sot kemi 24 gra për vitin 2012, të cilat kanë përfunduar tragjikisht në humbjen e jetës së tyre.

Por të mos harrojmë që kemi edhe qindra dhe mijëra gra të tjera, të cilat kanë vuajtur në një mënyrë ose një tjetër dhunën në familje. Kjo bëhet një pjesë akoma më e rëndë, në fakt kur kjo dhunë prek edhe një pjesë të rëndësishme të familjes, fëmijët.

Këtu është edhe çështja kryesore për informimin që ne duhet t’u bëjmë fëmijëve tanë, për kulturën në të cilën ata rriten, pasi një fëmijë i dhunuar, një fëmijë që sheh nënën e tij të dhunuar, fatkeqësisht mund të jetë nesër dhunuesi i së ardhmes dhe këtu fillon edhe biseda kryesore për ta zgjuar shoqërinë shqiptare nga indiferentizmi, për ta bërë atë më aktive dhe për t’i thënë mjaft gjithë kësaj dhune që ka përfshirë gjithë shoqërinë shqiptare dhe qelizën më kryesore të saj, familjen shqiptare”, tha ndër të tjera, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha. Diskutimi vjen një ditë pas tryezës se LGI-se, “Për një shoqëri aktive, jo indiferente”. Takimi në “Facebook” i Lëvizjes Socialiste për Integrim u moderua nga gazetari Alen Xhelili në kohë reale online në internet.