Klajda Gjosha emërohet zv/ministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Klajda Gjosha emërohet zv/ministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

klajdagjoshazvministre

Klajda Gjosha emërohet zv/ministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherazi Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, është emëruar Zv. ministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Znj. Gjosha ka zëvendësuar në këtë post znj. Filloreta Kodra, e cila është emëruar pak kohë më parë ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuar dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë.

Zv. ministrja e sapoemëruar e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Klajda Gjosha, ka lindur më 28 korrik 1983, në Tiranë. Pas përfundimit të Kolegjit “Strode” në Angli, është diplomuar në Universitetin e Reading-ut për marrëdhënie ndërkombëtare me diplomë “Bachelor” të nderit.

Gjosha është njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze, frënge dhe italiane. Klajda Gjosha ka punuar si drejtoreshë e Marketing-Promocionit në Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe drejtoreshë sektori në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Migracionit në Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Klajda Gjosha u zgjodh kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim në maj të këtij viti në mbajtjen e punimeve të Konventës Kombëtare të LGI-së.

Ndërkohë që gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së , e cila u zhvillua pas Konventës Kombëtare të LSI-së, znj. Gjosha u zgjodh Nënkryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim.