Klajda Gjosha: 50% në strukturat drejtuese të LSI-së, vlerësim dhe përgjegjësi për gratë dhe vajzat shqiptare

Klajda Gjosha: 50% në strukturat drejtuese të LSI-së, vlerësim dhe përgjegjësi për gratë dhe vajzat shqiptare

klajdagjosha50takimfb7

Në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një tjetër debat “live” me pyetje dhe përgjigje në rrjetin social “Facebook”. Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka zhvilluar një debat me pyetje-përgjigje në kohë reale. Ajo iu përgjigje pyetjeve te një auditori të gjerë për çështje të ndryshme të politikës dhe se çfarë ofron LSI ndryshe nga pjesa tjetër e politikës.

Pyetjes së çfarë përfaqëson për LGI-në arritja që gratë të kenë 50% përfaqësim në strukturat e LSI-së, znj. Gjosha iu përgjigj se miratimi nga konventa i këtij neni të statutit të LSI-së është një vlerësim për rolin që luajnë gratë dhe vajzat por edhe një përgjegjësi për atë që duhet të bëjnë në të ardhmen. “Konventa e 27 dhe 28 tetorit ka qenë e një niveli jashtëzakonisht të lartë dhe do të thoja një nga Konventat më të mira të realizuar deri më tani nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Me këtë realizimin kaq të mirë erdhën edhe disa ndryshime të propozuara nga të dyja forumet, si nga Lëvizja Rinore për Integrim, për anëtarësimin e të rinjve që në moshën 16 vjeç dhe kemi ndryshimin më të madh që e solli forumi i Lëvizjes së Gruas për Integrim ku ne miratuam me shumicë votash kuotën e përfaqësimit në 50 për qind, që është një risi jo vetëm brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, por në gjithë politikën shqiptare. Do të thosha që ishte këmbëngulje e gjithë anëtarësisë e lëvizjes së gruas pasi pas një pune shumë të madhe që është me këtë strukturë. Por, ishte e nevojshme dhe një hap shumë i mirë për të vlerësuar dhe për të përfaqësuar të gjitha këto gra dhe vajza të cilat e meritojnë këtë kuotë të miratuar në këtë Konventë. Patjetër që vështirësi ka , pasi siç dihet një grua e ka mjaft të vështirë që gjithë kohën e saj t’ia dedikojë politikës shqiptare, t’i dedikojë një partie politike apo zhvillimit dhe përparimit që ka nevojë vendi ynë, pasi ka edhe detyrime të tjera familjare. Megjithatë, unë do të thosha që ishte plotësisht e merituar dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë zgjedhjen e duhur që votoi 50 për qindëshin e grave. Kjo do të thotë më shumë punë dhe më shumë përgjegjësi për të gjitha gratë dhe vajzat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por, padyshim që ato do t’ia dalin më së miri”, u shpreh ajo.

Ndërkohë që pyetjes se a është LGI e përfaqësuar në të gjitha njësitë lokale dhe e gatshme të jetë aktive për të ndihmuar LSI-në në zgjedhjet e ardhshme, znj. Gjosha iu përgjigj se LGI është e përfaqësuar në të gjithë Shqipërinë dhe është e gatshme për një punë mjaft dinjitoze për zgjedhjet e ardhshme. “Unë mund të them që është bërë një punë shumë e madhe dhe kjo ka qenë pjesa më e madhe e punës sonë, me angazhimin tonë si Lëvizje e Gruas për Integrim. Përveç programit dhe platformës sonë, rritja e strukturave ka qenë ajo pikë e cila ka marrë edhe shumicën e kohës sonë gjatë këtyre dy muajve dhe mund t’iu them që është e përfaqësuar. Ne jemi në kërkim të shumë grave dhe vajzave të cilat dëshirojnë të jenë pjesë dhe të anëtarësohen në LGI, por mund t’iu them me plot bindje që tani jemi përfaqësuar në të gjithë Shqipërinë dhe jemi të gatshme për një punë mjaft dinjitoze për zgjedhjet e ardhshme”, tha ajo.

Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim u shpreh se pjesëmarrja e gruas në politikë ndikon shumë në shuarjen e konflikteve të kota politike. “Mund të them që një grua është shumë e aftë për të zgjidhur një konflikt brenda familjes, në shoqëri, në jetë, në punë e kudo. Atëherë pse jo të mos jetë e aftë të zgjidhë këto probleme, siç janë konfliktet politike apo në instanca më të larta? Në botë kemi mjaft raste dhe histori ku kanë treguar që janë pikërisht gratë dhe vajzat që luajnë një rol mjaft të mirë për të gjithë paqen në botë, për zgjidhjen e konflikteve”, tha ndër të tjera kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha.

Takimi në “Facebook” i LSI-së u moderua nga gazetari Ardi Bita në kohë reale online në internet.