Intervista e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”

Intervista e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”

ilirmeta108022013

Do doja ta nisnim bisedën me takimin që ju keni pasur sot me z. Rama. Për çfarë keni rënë dakord dhe për çfarë keni diskutuar tjetër përveç ndarjes së dy posteve kryesore të shtetit?

Ne jemi takuar për herë të parë, pavarësisht nga komunikimet që kemi pasur përmes bisedave telefonike apo mesazheve, pas 23 qershorit. Por, tani kur pothuajse ka përfunduar procesi, ne kemi rënë dakord për të ndërtuar një kalendar natyrisht edhe bashkëpunimi, i cili do të lehtësojë të gjithë këtë fazë përgatitore dhe tranzicioni. Ne jemi takuar sot me z. Rama dhe elementët kryesorë të kësaj bisede janë bërë të ditura përmes një komunikate për shtyp edhe për opinionin publik.

Ju keni bashkëqeverisur më parë edhe me Partinë Demokratike. Në këto piketa që keni ndërtuar sot me z. Rama, ku ndryshon bashkëpunimi në funksionimin e një koalicioni qeverisës?

Mendoj se ka një ndryshim të rëndësishëm sepse bashkëpunimi me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të vitit 2009 ishte, le të themi, një bashkëpunim i paparashikuar dhe jo i natyrshëm. Ndërsa bashkëpunimi me Partinë Socialiste është një bashkëpunim parazgjedhor, përmes një koalicioni të përbashkët, i cili fitoi 1 milion vota. Dhe së dyti, mendoj se kemi të gjithë kohën dhe kemi ndërtuar një proces tepër të qëndrueshëm, i cili në radhë të parë niset me vullnetin mjaft pozitiv për të dhënë një shembull të ri të konsolidimit të institucioneve në vend dhe për të natyralizuar në mënyrë të veçantë programin e 300 ditëve të para të qeverisjes së ardhshme, përmes konsultave të vazhdueshme, të cilat do të jenë gjithëpërfshirëse.

Në marrëveshjen e kaluar gjatë bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike ju kishit 20 për qind të pushtetit. Po në marrëveshjen e re sa parashikohet të keni, po të kemi parasysh se mandatet tuaja janë katërfishuar?

Mendoj se ka një konceptim të ri të koalicionit të bashkëpunimit, i cili mendoj se është i ri në kuptimin e konceptimit të kësaj maxhorance, e sidomos të qeverisë dhe të qeverisjes. Një frymë të përbashkët me qëllim që objektivat që kemi, të cilat janë të përbashkëta, sidomos në drejtim të përmirësimit të ekonomisë dhe të punësimit, përveç gjithë aspekteve të tjera, të arrihen sa më shpejt përmes një qeverie e cila punon si një e tërë. Dhe një frymë e re bashkëpunimi e koordinimi e cila është e domosdoshme për të ecur më shpejt drejt një qeverie që merr vendime dhe që i zbaton vendimet e saj.

Sa ministri do të ketë LSI-a në këtë qeverisje?

Kjo nuk është aspak çështje e rëndësishme, as nuk është diskutuar për arsye sepse së bashku me konkretizimin e programit për periudhën e parë të qeverisjes, pra për nevojat imediate që duhet të plotësojë qeveria e re. Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe do të diskutohet në kalendarin e takimeve të konsultave edhe për strukturën e qeverisë së re, e cila është gjithashtu kaq prioritare dhe pastaj do të diskutohet edhe për çështjen e formimit të qeverisë.

Po për strukturën a keni diskutuar?

Jo nuk kemi diskutuar sepse në radhë të parë duhet të fillohet nga realizimi i programit dhe i prioriteteve për të shkuar tek struktura.

Qarkullojnë zëra se nuk do të jetë më 14 numri i ministrive. Ju a do ta ndryshoni numrin e ministrive?

Nuk është kjo çështja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është që qeveria të funksionojë me një program të qartë, me një axhendë të përcaktuar për çdo ditë, për 100 ditë, për 200 ditë dhe për katër vitet e që vijnë, me objektiva precize dhe të funksionojë si një e tërë. Sepse në funksionimin e një qeverie ka shumë rëndësi fryma e koordinimit dhe bashkëpunimit sepse ka shumë objektiva që nuk mund të arrihen vetëm me një ministri apo nga një dikaster i veçantë. Pra duhet një frymë bashkëpunimi.

Çfarë kuptoni ju me ‘frymë bashkëpunimi’? Si do të jetë ajo?

Do të jetë shumë më ndryshe nga ajo që perceptohet, si një qeveri me disa nënqeveri.

Supozojmë se LSI-së i besohet Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, e gjithë piramida e kësaj do të jetë e drejtuar nga ministri i vendosur nga LSI? Pra nuk do të ketë mbivendosje, sepse p.sh. ishte ministri por kishte edhe një drejtor të PD që kontrollonin apo sulmonin njëri-tjetrin?

Prandaj e kam theksuar që në fillim të kësaj bisede, që fryma e bashkëpunimit dhe e koordinimit do të jetë dominante në qeverinë e re për të arritur objektivat e kësaj qeverie të re. Së dyti, ne nuk jemi votuar për të destabilizuar administratën publike por për ta konsoliduar dhe për ta përmirësuar atë. Që do të thotë se ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata nëpunës civilë në të gjitha nivelet, të cilët kanë treguar dhe tregojnë përkushtim për përmbushjen e detyrave në funksion të ligjit dhe në funksion të përshkrimit të punës së tyre.

Po nëse për shembull ka pasur militantë të cilët kanë shkuar në administratë për shkak se thjesht kanë qenë militantë, ata do të vazhdojnë sërish të mbajnë postet që kanë pasur?

Gjithçka do të bëhet në respekt të ligjit dhe të përmirësimit të efikasitetit të administratës dhe të institucioneve.

Le të kthehemi sërish tek numri i ministrive. A mund të na e konfirmoni që do të ketë një shtim të këtij numri?

Nuk mund të konfirmoj asgjë sepse nuk është diskutuar asgjë dhe nuk është kjo gjëja më e rëndësishme. Mendoj se kemi kohën e mjaftueshme për të arritur një strukturë sa më efikase të qeverisë së re.

Thuhet se LSI nuk do të ketë asnjë nga ministritë që ka pasur në katër vitet e kaluara . Sa e vërtetë është kjo?

Nuk është bërë asnjë diskutim i tillë. Unë e di që tani do të dëgjojmë shumë variante, shumë ide. E di që media do të prodhojë sa më shumë lajme. Por, nuk është diskutuar asnjë çështje e tillë. Janë diskutuar vetëm çështje të cilat janë në komunikatën e sotme të bërë publike dhe për këto çështje po punohet me grupet e punës.

Si e gjykoni ndarjen e mandateve, sipas të cilit kush është ministër nuk do të jetë deputet?

Në thelb, ky është edhe një parim kushtetues, pavarësisht se është e lejueshme me ligj që deputeti të jetë edhe ministër. Mendoj që aplikimi i një parimi të tillë veçse i bën më efikase edhe qeveritë, edhe Parlamentin, aq më tepër po të kemi parasysh që sistemi nuk është mazhoritar, por është një sistem proporcional. Natyrisht, besoj se qeveria do të ketë punë jashtëzakonisht të mëdha, do të ketë një barrë të rëndë të cilat kërkojnë që ata që do të jenë ministra të jenë 24 orë të angazhuar për të bërë detyrën e ministrit. Ndërkohë që Parlamenti do të ketë shumë angazhime, shumë detyrime që do të thotë se edhe deputetët që do të jenë në Parlament, kanë një punë shumë të madhe për të bërë. Njëkohësisht krijohet edhe një raport i ri midis Parlamentit dhe qeverisë, që do të jetë një raport edhe bashkëpunimi, edhe transparence.

Ju ministrat e LSI-së do t’i zgjidhni nga grupi parlamentar, apo nga strukturat e partisë, që janë nuk janë deputetë?

Kjo është një çështje për të cilën nuk kam pasur kohë të mendoj dhe natyrisht nuk është një çështje që më takon vetëm mua ta mendoj apo ta vendos. Por, ky parim do të zbatohet për të gjitha forcat politike.

Po z. Rama do ta lërë mandatin e deputetit?

Ai ka qenë i prirur për këtë gjë. Por, unë mendoj se nuk është diçka që bën sens, po të kemi parasysh se do të jetë jo vetëm Kryeministër, por normalisht edhe kryetar i mazhorancës parlamentare, që ka njëkohësisht përgjegjësi për vendimet e grupit parlamentar. Në këtë rast, sipas mendimit tim, kjo nuk ka sens.

Ia keni këshilluar që të mos ta lërë mandatin?

Ky është një mendimi im, të cilin edhe e kam shprehur.

Po ai si ka reaguar? E ka pranuar këshillën tuaj?

Natyrisht i takon atij të vendosë, por të kemi parasysh që nuk është Kryeministër i një qeverie e cila nuk ka lidhje me Parlamentin, ka përgjegjësinë kryesore edhe partinë e tij, e cila është edhe forca kryesore parlamentare. Ka përgjegjësi edhe për vendimet e grupit parlamentar. Pra, nuk është njësoj rasti i Kryeministrit me rastin e ministrit.

Ky vendim a nuk i bën ministrat më pak të pushtetshëm dhe më shumë të manipulueshëm nga Kryeministri?

Qëllimi ynë nuk është të bëjmë Kryeministrin më të pushtetshëm, por qëllimi ynë është të bëjmë qytetarët më të pushtetshëm ndaj politikës, ndaj qeverisë, ndaj ministrave, ndaj drejtorëve, ndaj të gjithëve. Prandaj besoj se një ministër i cili punon me përkushtim 24 orë në 24 mund të rrijë ministër pa fund në kuptimin e mirë të fjalës, nuk ka pse të ndihet i shqetësuar apo i trysnuar.

Ju si kryetar i Parlamentit të ardhshëm, çfarë do të ndryshoni nga Parlamenti i drejtuar nga Topalli?

Nuk kam pasur kohë të mendoj për këtë gjë.

Pse e keni vendosur? Nuk e kishit menduar më parë?

Kam qenë në disa dilema, aq më tepër deri sa ka përfunduar ky proces. Nuk kam pasur kohë dhe nuk kam dashur të mendoj për gjëra që i takojnë të ardhmes. Çdo gjë në kohën e duhur. Por, ajo që unë do të përpiqem ta reflektoj është mesazhi kryesor që ka sjellë LSI-ja dhe për të cilën ka marrë edhe një përkrahje kaq të gjerë siç është fryma e bashkëpunimit, e integrimit në interesin e vendit, në interesin e integrimit evropian. Ky do të jetë mesazhi i angazhimit kryesor.

Çfarë hapësirash dhe lirish do t’i krijoni opozitës së re në Parlament?

Të gjitha liritë dhe hapësirat që i krijohen opozitës në një vend evropian. Respektin maksimal për të thënë fjalën e saj, për të afirmuar idetë e saj, propozimet e saj. Absolutisht një respektim rigoroz i rregullores, por mbi të gjitha transmetimi i një fryme bashkëpunimi dhe respekti ndaj opozitës.

Thoni që do t’i lejoni të gjitha, po çfarë i është ndaluar deri më tani opozitës?

Ju e dini që parlamenti ynë është kritikuar vazhdimisht për probleme në funksionimin e tij. Disa raste për shkelje procedurash, përshembull rasti i heqjes anëtarit të KQZ, një rast flagrant i shkeljes së procedurave dhe i mungesës së respektit jo vetëm për kushtetutën për kodin, për ligjin, por njëkohësisht dhe për opozitën dhe për të drejtat e saj për të qenë pjesë e diskutimeve e kështu me radhë. Për të mos thënë dhe shumë raste të tjera. Pra, besoj se do të ketë një respekt të jashtëzakonshëm për opozitën dhe për zërin opozitar në Kuvendin e Shqipërisë në respekt të qytetarëve që kanë votuar për opozitën.

Z. Beqaj dhe Haxhinasto, po punojnë për hartimin e programit për 300 ditët e para. Ju tashmë jeni më dijeni për programin e PS, çfarë do ti thoni jo atij programi?

Këtu nuk është qëllimi për të thënë jo, këtu është qëllimi për të thënë po. Kemi patur programe elektorale, këtu bëhet fjalë për programe qeverisëse dhe nuk janë thjesht dy persona por do të jenë grupe pune ekspert, dhe jo vetëm ekspert të forcave politike. Do ketë procese konsultimesh, gjithë përfshirje sepse edhe koha premton për të realizuar këtë proces në mënyrë që të shkojmë te një program i cili ka objektiva të qarta për 100 ditë, për 200 ditë, për 300 ditë, e për katër vitet.

Do ta pranoni programin përshembull atë pjesë të programi
t të PS për shëndetësinë, që të krijohet një skemë e re?

Programi do të shënojë përmirësimin e shërbimit shëndetësor dhe çdo detaj do të bëhet i njohur në kohën e ardhshme.

Kur do të fillojnë nga puna grupet e punës?

Besoj që nesër.

Do të punohet më parë për programin dhe më pas për përbërjen e kabinetit qeverisës apo do të punojnë të dyja paralel?

Do të punohet në radhë të parë për programin, për prioritet kryesore, për afatet dhe për zbatimin e tyre. Njëkohësisht gjatë kësaj kohe në bazë të këtyre prioriteteve do të vlerësohet dhe përbërja strukturave e kabinetit qeveritar dhe më pas, në fund do të jetë një proces që do të zgjati, do të diskutohet më pas dhe për emrat përfaqësues.

Mbi çfarë kriteresh do ti zgjidhni ministrat?

Janë çështje që do të diskutohen. Çdo kriter do të jetë transparent.

As për kriteret nuk keni folur?

Ka qenë fillimi i kësaj pune dhe i ndërtimit të një kalendari i cili është përpara jush gjithashtu.

Kur përfundon ky proces?

Mendoj se ky është një proces që do të kërkoj disa javë. Do ketë bashkëpunim, nuk është çështje thjesht negociatash, çështje bashkëpunimi dhe konkretizimi.

Po nëse ekspertët ngecin, sepse janë dy programe të ndryshme?

Nuk janë dhe aq të ndryshme. Ka çështje ku ka idera, mendime, apo konceptime të ndryshme, por vullneti është i përbashkët.

Në rast kur do ketë mosmarrëveshje të tilla do ndërhyni ju dhe z. Rama?

Besoj se nuk do të jetë e nevojshme të ndërhyjmë në drejtpërdrejt sepse ekziston fryma e bashkëpunimit, për të arritur konkretizimin e objektivave të përbashkëta.

Duke pasur parasysh se në SHBA krijohet një ekip i qeverisjes që del nga pushteti dhe i qeverisë që hyn, që dorëzon dosjet kryesore të shtetit, dorëzohet pushteti. A do kërkoni nga qeveria në dalje që të bëjnë një tranzicion të tillë?

Besoj se ky tranzicion do të ndodhë, sepse gjithçka ka ndodhur në respekt të votës së qytetarëve shqiptar. Dhe vetë kryeministri aktual, z. Berisha është shprehur i angazhuar për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë deri në fund.

A do ti kërkoni stafit të z. Berisha të bashkëpunojë me ekspertët tuaj?

Patjetër. Mendoj se ka kohë për të realizuar gjithçka siç ndodh në çdo vend të zhvilluar evropian.

Nga informacionet që keni ju, cila është gjendja?

Gjendja mendoj se është e vështirë pa asnjë diskutim. Dhe një nga objektivat kryesore është një identifikim i qartë i këtyre vështirësive dhe i terrenit konkret ku do të fillojë punën qeverisja e ardhshme. Dhe për këtë do të bashkëpunohet me të gjithë aktorët. Do ketë konsultime besoj me të gjithë, përshembull me guvernatorin Fullani që ka një përgjegjësi të veçantë po dhe me institucionet ndërkombëtare.

E kisha fjalën për z. Berisha?

Është detyra e tij për të qenë i gatshëm për të bashkëpunuar me të gjithë qeveritë. Siç është detyra e çdo përfaqësuesi të çdo institucioni të pavarur.

Z. Meta më lejoni të këmbëngul sërish në mënyrën se si do të ndërtohet qeveria e re. Në komunikatën për shtyp pas takimit tuaj me z. Rama thuhet se do të konsultoheni edhe me aleatët e tjerë. A do të kenë poste ministrore aleatët apo do të jetë thjesht qeveri PS-LSI?

Do të ketë një kalendar konsultimesh për shumë elementë. Qeveria e re do të jetë një qeveri gjithëpërfshirëse. Natyrisht që për shumë çështje i takon Kryeministrit të ardhshëm që të marrë iniciativën të diskutojë dhe të bëjë propozimet i pari edhe në raport me aleatët.

Ju mendoni se duhet të hyjnë aleatët? Për shembull është bërë një premtim publik ndaj z. Ngjela, të paktën kështu ka pretenduar ai në emisionet televizive, që do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar…

Unë nuk dëshiroj të hyjë në këto çështje konkrete, sepse kjo është një iniciativë që në radhë të parë i takon Kryeministrit të ardhshëm.

Duke folur për krijimin e qeverisë, a mendoni se duhet të ndryshohet struktura e qeverisë apo duhet të vazhdohet në strukturën aktuale?

Kjo nuk është më e rëndësishmja, duhet bërë një vlerësim në përputhje me prioritetet e qeverisë së re.

Prioritetet tashmë janë bërë publike…

Do të bëhet një vlerësim shumë i detajuar pikërisht që prioritetet të përputhen plotësisht me strukturën.

Është premtuar krijimi i një ministrie të emigracionit. A mbështesni ju këtë ide?

Ne jemi të hapur për të diskutuar dhe për të realizuar gjithçka që garanton një qeverisje efikase, e cila e çon para të gjitha prioritetet.

Kthehemi sërish te rotacioni. A do t’i kërkoni publikisht z. Berisha që të bashkëpunojë, sepse është më shumë interes për të mirën e vendit, pra a do t’
i bëni thirrje vullnetit të mirë?

Unë besoj se vetë pranimi i rezultatit në respekt të qytetarëve shqiptarë të çon te një sjellje e tillë e përgjegjshme deri në fund.

Në komunikatë thuhet gjithashtu që të bëhet kujdes me arkën e shtetit, të hiqet dorë nga veprime të orëve të fundit. Çfarë ka ndodhur realisht?

Ky shqetësim vjen nga informacione të ndryshme, të cilat janë pasqyruar edhe në media ku bëhet fjalë për verime të cilat nuk përputhen me etikën e një qeverie, e cila është në pritje të dorëzimit të detyrës. Natyrisht ajo ka përgjegjësitë e saj në të gjitha aspektet deri në momentin që Kryeministri i ri dhe qeveria e re fillon detyrën, por është e rëndësishme të mos ndërmerren veprime të cilat nuk i takojnë etikës së një qeverie të përgjegjshme.

Me këto që janë duke ndodhur tani, për shembull Ministri i Inovacionit është duke zhvilluar një tender, madje në bazë edhe të raportimeve të shtypit në shkelje të ligjit, duke hyrë në negociata të drejtpërdrejta me subjekte për në tender prej 20 milionë lekësh. Këto raste do t‘i lejoni, do t’i certifikoni kur të hyni në zyrë apo do të anulohet?

Si çdo çështje do të vlerësohet rast pas rasti në raport me ligjin, por është e rëndësishme të kuptojmë që çdo vendim, i cili lë dyshime për veprime të nxituara dhe jotransparente nuk është në etikën e çdo ministri të çdo zyrtari të lartë.

Gjatë javës së fundit pas kristalizimit të rezultatit z. Rama është shprehur se do të ketë drejtësi, jo hakmarrje. Si e komentoni këtë deklaratë, a jeni dakord që të rishikohet çfarë ka ndodhur gjatë katër viteve të kaluara apo mendoni se është më mirë t’i vihet një kapak i artë dhe të shikohet përpara?

Së pari është e rëndësishme që qeveria e re që ditën e parë që hyn në zyrë të marrë vendime dhe çdo ditë të qeverisë përmes marrjes së vendimeve dhe zbatimit të tyre drejt atyre objektivave që do të detajohen dhe përcaktohen edhe me afate konkrete sipas çdo sektori. Së dyti transparenca asnjëherë nuk bën dëm aq më tepër kur është edhe e domosdoshme. Por absolutisht që mendoj se po hyjmë në një periudhë të re ku ligji dhe qytetari do të jenë ata që do të përbëjnë dy shtyllat kryesore ku do të mbështetet kjo qeverisje e re.

Çfarë raportesh do të keni me institucionet kushtetuese që janë zgjedhur pa vullnetin apo kundër vullnetit të kësaj shumice të re?

Raportet më bashkëpunues të mundshme në interes të forcimit të shtetit të ligjit dhe të përmirësimit të funksionimit të institucioneve, sepse ndërkohë ka shumë çështje të cilat kërkojnë një koordinim midis shumë institucioneve.

Në opinion publik qarkullon ideja se këto institucione, kryesisht gjykatat, janë të mbushur me militantë të PD-së. A mendoni se mund të ketë një ngërç dhe një bllokim të këtyre institucioneve? Për shembull qeveria është në konflikt për një çështje dhe kjo çështje shkon në një arbitrazh në gjykatë, si do ta pranoni këtë lloj sistem drejtësie ose edhe institucionet e tjera, ashtu siç do t’i gjeni apo diçka do të ndryshojë në to?

Ne do të punojmë në radhë të parë për të krijuar një frymë bashkëpunimi, për të garantuar pavarësinë dhe profesionalizmin e këtyre institucioneve dhe për të krijuar të gjithë mundësitë duke evituar trysnitë me karakter politik dhe partiak që ato të dëshmojnë pavarësinë e tyre dhe profesionalizmin e tyre.

Thatë që qeveria duhet të marrë vendime që ditën e parë që nis nga puna. Cilat janë vendimet e para që duhet të marrë kjo qeveri?

Këto mendoj se do të bëhen publike në kohën e duhur.

Por cili është shqetësimi më i madh që ju keni?

Shqetësimi është forcimi i ligjit, forcimi i rendit dhe fillimi i gjithë reformave në ekonomi dhe njëkohësisht të ecet më shpejt drejt implementimit të një plani për punësimin.

Si do ta realizoni këtë plan?

Mendoj se shumë prej këtyre çështjeve ne i kemi diskutuar edhe në të kaluarën në mënyrë konkrete dhe të detajuar ato do të paraqiten kur Kryeministri i ardhshëm të nisë nga puna.

Ekonomia është shqetësimi kryesor aktualisht në vend. Cili është vendimi i parë që do të ndërmerret në aspektin ekonomik?

Zbatimi i ligjit dhe padyshim ekonomia, sepse janë dy çështje të lidhura bashkë. Forcimi i ligjit përmirëson edhe situatën ekonomike.

Pra ju refuzoni të shprehni se cilat do të jenë hapat drastike që duhet të merren në fillim…

Ato do të bëhen publike në kohën e duhur. Ne programin elektoral e kemi shpjeguar këtu, programi qeverisës do të bëhet publik.

Cilat janë pikat e programit tuaj elektoral për të cilat do të këmbëngulni që të mos ndryshojnë dhe të përfshihen në programin qeverisës?

Unë mendoj se do të ekzistojë dhe ekziston një mirëkuptim dhe një vullnet i përbashkët për të realizuar objektivat kryesore të përbashkëta, sepse edhe për sa i takon ekonomisë, dhe për sa i takon zhvillimit të sipërmarrjes dhe sa i takon punësimit, këto janë shqetësimet dhe angazhimet e përbashkëta.

Berisha dha dorëheqjen, a e ndoqët fjalimin e tij?

Pjesërisht.

Mendoni se u largua si kryetar dhe do të vazhdojë si lider i PD-së apo kemi të bëjmë me një lamtumirë të përhershme nga politika shqiptare?

Këtë gjë nuk e di dhe nuk është kjo më e rëndësishmja. E rëndësishme është pranimi i rezul
tatit dhe dorëheqja është gjithmonë një akt civil që do duhet të bëhet pjesë e normalitetit të jetës politike në vend.

Si e gjykoni fjalimin e pas zgjedhjeve të z. Rama?

Mendoj se ishin mesazhe tepër pozitive, përgjegjshmërie dhe bashkëpunimi. Mjaft mesazhi pozitive.

Shikoni një lloj revanshi dhe triumfalizmi në Partinë Socialiste?

Tek z. Rama shikoj një rritje të përgjegjshmërisë dhe të frymës bashkëpunuese. Besoj se kjo reflektohet edhe në nivele të tjera në Partinë Socialiste.

Gjatë fushatës në bazë ka pasur një tension midis PS-LSI apo jo?

Nuk ka qenë kjo dominonte. Fakti që ky koalicion arriti nj fitore historike,një milion vota, tregon se edhe nëse ka pasur episode, që edhe ka pasur, kanë qenë të karakterit lokal dhe këto nuk mund të zhbënin frymën e përgjithshme të bashkëpunimit dhe të përgjegjësive të përbashkëta. Duhet të shikojmë përpara.

Disa nga analistët thonë që disa prej 180 mijë votave tuaja ju ia keni marrë PD-së ndërkohë që PS nuk ka fituar. Cili është komenti juaj?

Në radhë të parë unë jam i kënaqur për rezultatet që kemi arritur si LSI por edhe si koalicion. Rezultatet kanë dalë edhe më të mira nga parashikimet e mija, të cilat paragjykoheshin prej shumë analistëve dhe qytetarëve si tepër optimiste. Unë e kam theksuar se koalicioni ynë do të jetë mbi 200 mijë vota përpara. Në fakt ka shkuar gati 300 mijë. Kam thënë që në fillim që ne do të fitojmë 80 mandate dhe në fakt shkuan 84 mandate. Besoj se kjo ka qenë rezultat i njohjes së situatës reale në terren. Ndërsa këto historitë që ne i kemi marrë votat PD-së apo këhstu dhe ashtu mua më duken mjaft absurde dhe qesharake. Si shpjegohet që nuk ndodhi e kundërta, që PD përmes presionit që i bënte njerëzve të LSI-së, që ishin në administratë, apo të premtive që nëse do të rrish bëj 30 vota të fisit tënd apo të lagjes tënde, pse nuk morën ata vota, meqë ata ishin në pushtet dhe ne në opozitë. Mendoj se këto janë histori pa lidhje me të vërtetën. Qytetarët shqiptarë votuan për LSI-në sepse e perceptuan, në mënyrë bindëse, si faktor stabiliteti, bashkëpunimi, integrimi, faktor që sjell paqe sociale por edhe që kupton thelbin e problemeve që kanë qytetarët tanë. Unë thashë që në fillim të fushatës që “të tjerët u flasin yjeve në qiell, ne u flasim shqiptarëve në tokë. Prandaj besoj se kemi arritur një rezultat tepër pozitiv, i cili ëhstë një përgjegjësi shumë e madhe për ne. Për ta menaxhuar në mënyrën më pozitive, në mënyrë që të mos kemi zhgënjim nga kjo votë dhe mbështetje dhe të kemi një ripërtëritje të këtij besimi edhe në të ardhmen.

Jeni shprehur sot për një partneritet strategjik dhe afatgjatë me PS-në. Çfarë nënkuptoni me këtë?

Kjo nënkupton angazhimin tonë, edhe në marrëveshjen e Shkodrës, për të realizuar mundësisht brenda 8 viteve anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Janë një set i tërë reformash që duhen përmbushur për të përfituar një kohë të çmuar që kemi humbur duke ecur më shpejt.

Unë kam thënë më parë që ju keni një marrëveshje afatgjatë të tipit Tony Bler-Gordon Brown. A kam qenë i saktë?

Ne kemi një marrëveshje të tipit Rama-Meta. Ne nuk është se kemi diskutuar dhe paravendosur gjëra konkrete. Unë vazhdimisht jam shprehur që gjithçka do të vendoset në respekt të Kushtetutës dhe të rregullave të demokracisë. Demokracia ka disa rregulla edhe midis mazhorancës dhe opozitës por edhe brenda një koalicioni. Kështu që është normale që partia e cila ka marrë besimin më të madh të qytetarëve të marrë edhe përgjegjësinë më të madhe dhe më konkrete që është ajo e Kryeministrit.

Si është kjo marrëveshje Rama-Meta?

Ju përmendët marrëveshjen Bler-Brown. Ajo është një marrëveshje e dy politikanëve brenda një force politike. Kjo është një marrëveshje e dy politikanëve në Shqipëri, përfaqësues të dy forcave politike, kryesore të së majtës.

Cilat janë detajet e kësaj marrëveshje?

Nuk ka detaje të tilla nga ato që ju prisni dhe mendoni apo që dëgjoni. Objektivat janë: e majta të prijë në Shqipëri sepse ka qenë dhe është shumicë, të tregojë qytetari dhe të ndihmojë vendin për tu nisur vrullshëm drejt një perspektive europianiste që nuk ndalet për shkak të ngërçit të konfliktit të antagonizmit i cili ka shoqëruar jetën tonë vazhdimisht në mënyrë sistematike gjatë këtyre 23 viteve. Kërkohen institucione të qëndrueshme përmes frymës së bashkëpunimit dhe të realizojmë qeverisje efikase në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve tanë.

Me kohë është hedhur ideja e një konfederate të një së majtës. A e keni këtë projekt për të afruar strukturat e Partisë Socialiste dhe ato të Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Çdo vend ka traditën e vet dhe njëkohësisht veçantitë e tij. Mendoj se ky koalicion do të funksionojë shumë mirë dhe koha do të provojë që themelet e këtij koalicioni ka qenë të shëndetshme sepse kanë qenë parimore.

Z. Rama tha se deputetët e PS dhe LSI do të funksionojnë si një grup i vetëm parlamentar. Kjo është në kontekstin metaforik apo do të ketë mbledhje të përbashkëta parlamentare apo do të jetë një grup i përbashkët parlamentar?

Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Ne jemi një mazhorancë e vetme e cila merr vendime, mbështet qeverinë dhe axhendën e Kuvendit në përputhje me detyrimet kushtetuese, detyrimet e procesit e integrimit evropian e kështu me radhë.