25 Nov Intervistë për emisionin “DEKALOG” të gazetarit, Roland Qafoku në DRITARE TV.
- Zoti Meta, ka kaluar një muaj nga arrestimi juaj. Si kanë qenë këto ditë që nga 21 tetori e derimë sot? Si e keni përballuar të gjithë këtë situate tuajën?
Nuk ishte një situatë e papritur për mua, i cili jam i pari, që si President i Republikës i jam kundërvënë shndërrimit të Reformës në Drejtësi me 140 vota në një Ramaformë me 69 vota, siç ishte zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm apo betimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te noteri te Lana.
Nuk besoj se e keni harruar edhe mitingun madhështor të 2 Marsit 2020 në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht rezistencës time, kapja e plotë e sistemit të drejtësisë edhe pse u vonua pak në kohë u realizua plotësisht.
Për këtë ndihmoi korruptimi i drejtuesve të opozitës, të cilët dogjën mandatet në shkurt 2019 duke i bërë Ramës dhuratën më të madhe për të kapur gjithë institucionet e pavarura në vend dhe 100% drejtësinë e re.
Po kështu, edhe falja e të gjitha bashkive e me rradhë.
Kjo situatë është pasojë e asaj që e kam quajtur me konsistencë grusht shteti i shtrirë në kohë dhe i realizuar me shkelje Kushtetute, ligjesh, procedurash dhe duke përdorur një skuadër të përzgjedhur prokurorësh dhe gjyqtarësh të nënshtruar totalisht dhe pa asnjë integritet dhe përgjegjshmëri.
Në fund të fundit, arrestime të urdhëruara nga tribuna e Kongresit të PS kanë ndodhur, si ndaj Z. Berisha edhe ndaj meje.
Nga juntat pritet çdo gjë, por është e sigurtë se ato nuk kanë të ardhme.
- Në të gjitha intervistat që unë u kam marrë disa juristëve e cilësojnë mënyrën e arrestimit tuaj të gabuar. Veçohet ai i ish-ministrit të Drejtësisë, Shefqet Muçi që e quajti “arrestim të frikshëm dhe të turpshëm”. Përfaqësues të policisë janë shprehur se ju keni përdorur fjalë fyese dhe të shara në atë moment. A mund të na perifrazoni fjalë për fjalë dialogun që keni patur me policët që ju ndaluan makinën dhe ju prangosën në atë mënyrë?
Si mund të harxhoj kohë unë të perifrazoj “dialogun” me banditë, që i ka parë e gjithë Shqipëria dhe që kishin fytyrën e Edi Ramës, Dumanit dhe Charles McGonigal.
Ata mund të thonë edhe që hyra unë me armatim të rëndë në makinat e tyre dhe gjithë televizionet që sot janë të shtetëzuara ta japin lajm të parë.
E vërteta është ajo që të gjithë kanë parë.
Banditë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, që inskenojnë për 10 minuta një situate terrori për qindra udhëtarë, gjoja duke ndaluar makinat e tjera për të mbërritur te makina ime, për ta hapur me dhunë dhe për të hyrë brenda me automatic dhe armatim të rëndë.
Ata nuk jepnin asnjë shpjegim dhe nuk pranuan të jepnin asnjë dokument ose shkresë zyrtare, vetëm ulërisnin si idiotë.
Unë thjesht u kërkova shkresën e Sorosit të firmosur nga Dumani i Partisë.
Ata nuk më lejuan të telefonoja avokatin dhe vetëm pas 2 orësh në Policinë e Tiranës u njoha me aktet e paligjshme të arrestimit.
- Zoti Meta, ju akuzoheni nga prokurorët e SPAK për tre çështje: për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influences së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni, si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë; për kontratat e konsulencës dhe lobimit në SHBA të Amerikës; dhe pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë, si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019. Lidhur me çështjen CEZ-DIA, në mbrojtjen tuaj ju i hidhni poshtë me kundërfakte tuaja akuzat e SPAK. Gjatë kohës që keni ushtruar funksionet e larta shtetërore si ministër i Ekomomisë, kryetar i Kuvendit dhe President i Republikës përse nuk keni paraqitur në prokurori faktet tuaja në formë denoncimesh?
Të tre çështjet që ngre SPAK-u janë njëra më absurde dhe më e manipuluar se tjetra dhe pjesë e një fletërrufeje të përbashkët, që ka tronditur edhe Baton Haxhiun, kur kishte lexuar deformimet e deklarimeve të tij të dhëna gjatë këtij procesi maskaradë.
Së pari çështja CEZ-DIA është shumë e vjetër, gati 15 vjeçare dhe është hapur e fikur disa herë.
Po kështu ka patur edhe procese gjyqësore ku janë dënuar disa persona.
Kjo çështje jo rastësisht u regjistrua në 2018 nga një kallëzues me probleme të rënda, i cili është dënuar edhe për dhunë nga gjykata.Ky person kishte qenë një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA.
Më pas ky person që prej vitesh nxirret në çdo ekran që financohet nga inceneratorët u përdor nga Damian Gjiknuri më 2014 në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë kundër Kastriot Ismailit dhe kjo e ndihmoi të siguronte punë në shtet e privilegje të tjera.
Ky person vite më pare ka dhënë dëshmi në një process gjyqësor kundë Kastriot Ismailit dhe ka deklaruar nën betim se kur e pyeta Kastriot Ismailin a ishte i lidhur me politikanë shqiptarë ai i kishte thënë se jo, ishte i lidhur me amerikanë.
Dhe në fakt kjo është e vërteta që konfirmohet edhe në deklaratat e shtetasit çek Hejsek në Vjenë në Gjykatën e Arbitrazhit, kapitulli IV kur ai flet për aksionerët e DIA dhe përmend amerikanët e në veçanti shtetasen Rebecca Gaskin, partneren e Kastriot Ismailit në çdo biznes.
Po pse u regjistrua kjo çështje në 2018 nga ky kallëzues?
Sepse kishte nisur përplasja e madhe midis meje si President dhe Edi Ramës për Çështjen e Detit me Greqinë, për të cilën Rama ushtronte presion mbi anëtarët e Komisionit Negociator, që të shkelnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të favorizonin pa të drejtë palën greke.
Po pse u mor përsipër nga Altin Dumani në dhjetor 2019 si çështje?
Sepse ishte kulmi i përplasjeve të mia si President me Ramën dhe McGonigalët për Gjykatën Kushtetuese.
Përpara se të bëhej Manifestimi i 2 Marsit 2020, unë kisha paralajmëruar mitingun më 12 Dhjetor 2019, por e anulova se ndodhi tërmeti në Nëntor. E pra ky ishte momenti kur Partia i jep detyrën Dumanit të niste këtë çështje, që hetohet prej tij prej 5 vitesh dhe që nuk ka asnjë element të ri përveç gënjeshtrave të vjetra e të turpshme të bëra nga njerëz që kishin problem me drejtësinë.
Lidhur me pretendimin më absurd se unë kisha ndërhyrë te ERE (Enti Rregullator i Energjisë) për të favorizuar CEZ-in kundër KESH-it kjo është krejt banale pasi është e provuar se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE), që drejtohej nga unë dhe KESH iu kundërvunë këtij vendimi jo vetëm duke kërkuar rishikimin e tij, por edhe duke iu kundërvënë në të gjitha shkallët e gjykatave.
Kjo përplasje midis Qeverisë dhe ERE solli dorëheqjen e Kryetarit të ERE.
Është e provuar se Kastriot Ismaili i kishte vendosur vetë lidhjet me çekët dhe këtë e ka përmendur edhe bashkëshortja e tij në një intervistë më 16.02.2016, por kjo nuk u intereson spakistëve se u rrëzon alibinë e tyre, që nuk mbahet dot në këmbë.
Ndërsa përsa i takon komunikimeve të mia me drejtësinë për këtë çështje ato nuk kanë munguar edhe më herët. Në janar 2916 unë kam informuar me shkresë zyrtare Prokurorinë e Përgjithshme për një mesazh të shtetases Vojsava Ismaili, e cila më kërkonte takim me një përmbajtje të orientuar, që ia vura në dispozicion Prokurorisë dhe i kërkoja të ndiqte çështjen duke i shpjeguar rrethanat ku ndodhej zonja dhe personat e rrezikshëm që jo vetëm mund të ndikonin që ajo nën presion të bënte deklarata të pavërteta, por edhe mund ta eleminonin më pas, për të më akuzuar mua se gjoja po zhdukja dëshmitarët.
Ky ishte rasti i dytë që unë njoftoja institucionet zyrtare të kujdeseshin për sigurinë e saj.
Lidhur me akuzën qesharake se unë kam ndërhyrë për të favorizuar një biznesmen për ndryshimin e një ligji për minierat dua t’ju siguroj se asgjëkundi nuk përmendet emir im si Kryetar Kuvendi apo deputet nga SPAK-u për këtë çështje.
Plus që amendamentet e propozuara sipas vetë SPAK-ut janë propozuar nga deputetja e PS-së, Esmeralda Shkjau dhe kështu janë votuar nga shumica ku LSI kishte 16 deputetë e PS mbi 60 deputetë.
Lexojeni vetë ju lutem këtë pjesë se nuk është shumë e gjatë te dosja dhe nëse e gjeni njëherë të vetme emrin tim të përmendur apo të angazhuar për këtë çështje më thoni si nuk ju vjen turp që akuzoni prokurorët për kamikazë dhe mercenarë.
Lidhur me akuzën tjetër se unë kam ndërhyrë për të favorizuar një biznesmen në fushën e telekomunikacioneve (PLUS) kjo është edhe po kaq absurd pasi dihet se PLUS ishte e vetmja kompani me 19 aksionerë shqiptarë në fushën e telefonisë celulare, që dominohej nga dy kompanitë e huaja.
Këta aksionerë janë ankuar te unë si Kryetar Kuvendi (sepse AKEP-i varej nga Kuvendi) që po diskriminoheshin nga AKEP-i për interes të dy kompanive të huaja dhe se ishin në prag falimentimi.
Ndaj këtë shqetësim unë ia kam përcjellë kreut të AKEP-it me qëllim që kjo kompani shqiptare të mos diskriminohej dhe jo që të favorizohej.
Kjo sjellje ishte tepër etike dhe e përgjegjshme. Ju mund të lexoni pjesën në fjalë në dosje.
- Lidhur me çështjen e lobimit, në mbrojtjen tuaj ju shkruani: Që Fidetzis ishte mashtrues, për këtë u binda që në takimin e dytë në Uashington kur e denoncova te Presidenti i “McKeon Group”. Asnjëherë se kam autorizuar këtë person për të më përfaqësuar pranë “McKeon Group” e kujtdo, direkt apo indirekt. Përse nuk depozituat denoncim në organet e drejtësisë?
Lidhur me çështjen e lobimit dyshimet ndaj meje janë qëllimisht absurde.
Ju thon ipse nuk keni denoncuar avokatin greko-amerikan Fidetzis si mashtrues pranë autoriteteve amerikane?
Në fakt kjo ka ndodhur dhe është e provuar. Vetë Presidenti i McKeon Group i dërgon shkesë Departamentit të Drejtësisë ku i kërkon të rishikohet marrëveshja me LSI pasi në takimin që patëm me Kryetarin e Kuvendit dhe Kreun e LSI, Ilir Meta ai na informoi se Z. Fidetzis nuk ka qenë i autorizuar nga ai dhe Partia e tij për të firmosur marrëveshjen dhe se edhe fushat e bashkëpunimit do të jenë të ndryshme.
A nuk është ky praktikisht denoncim, që i është njoftuar Departamentit të Drejtësisë në SHBA?
Këtë shkresë ia kemi bërë të ditur edhe SPAK-ut dhe GJKKO në të dy seancat.
Nuk ekziston asnjë fakt, asnjë autorizim që unë si Kryetar i LSi të kem autorizuar cilindo shqiptar apo amerikan për të bërë marrëveshje apo pagesa për kompani lobimi në kundërshtim të ligjeve dhe pa vendimmarrjen e Kryesisë së LSI.
Edhe për 15,000 USD që i janë paguar McKeon është vendosur në Kryesi me propozim të një anëtari të Kryesisë dhe deputeti i cili ishte edhe ndërmjetësi i takimit tim me Fidetzis në Greqi dhe po kështu kishte lidhje e miqësi me të.
- Lidhur me çështjen e pastrimit të produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë, si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019 në mbrojtjen tuaj ju shkruani: Nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi, apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time. A është normale që të shpreheni kështu për bashkëshorten që keni kaluar 3 dekada jetë me të? Vetëm tani konstatuat ju shpenzimet mbi normalen?
Unë kam qenë tepër korrekt në deklarimet e mia.
Në dosjen e SPAK-ut ka shumë manipulime të qëllimshme edhe për deklarimin e pasurive apo shpenzimeve mjekësore.
Për rastin tim është e vërtetuar se unë kam patur një pakësim llogarie prej 14,000 Euro në 2013 sipas ILDKPI, por SPAK-u qëllimisht ka mashtruar duke falsifikuar dhe vendosur 10,000 Euro. Kjo me qëllimin për të krijuar idenë se shpenzimet e mia mjekësore në Vjenë më 2013 ishin të pajustifikuara edhe pse ato ishin vetëm 7,300 Euro.
Të mos harrojmë se atëherë Euro ishte 1 me 1,5 lekë e jo si sot në kohën e Narkodrejtësisë.
Si ky manipulim e falsifikim ka me dhjetëra.
Por e vërteta është që ish-bashkëshortja ime dhe ish-vjehrra kishin shumë prona dhe numra llogarish për shkak të tyre që buronin kryesisht nga fakti që ishin aksionere në një pallat të ndërtuar në pronën e tyre të ligjshme.
Është e turpshme që SPAK-u thotë se unë jam përgjegjës për pakësimet e llogarive të tyre a thua se unë isha mbajtës i llogarive të tyre.
Për më tepër se kurrë nuk kam refuzuar të bëj deklarimin në ILDKPI, kurrë nuk kam marrë një gjobë, një paralajmërim apo një njoftim.
Pra çdo gjë është vetëm tendencioze dhe armiqësore nga SPAK ndaj personit tim.
Ju siguroj se unë nuk kam bërë asnjë shpenzim mbi normalen. Përkundrazi.
- Çështja juaj hetohet nga tre prokurorët, Altin Dumani, Arben Kraja, Sotir Kllapi. Ju i keni akuzuar ata si të dërguar dhe vegla të Edi Ramës. Si e vërtetoni ju që ata janë vegla të Edi Ramës. Në pyetje të marrë nga ana e tyre, a kanë kryer ata gabime proceduriale që dalin jashtë rregullave? Të tre janë betuar përpara jush kur ishit President. Çfarë domethënie ka kjo për ju?
Të tre prokurorët e kanë në ballë që janë në shërbim të Edi Ramës që nga fillimi e deri tani e sidomos në këtë process maskaradë dhe kriminal kundër meje.
Nuk mbajmë ne përgjegjësi thotë SPAK-u për mënyrën si e bëri arrestimin policia?
Si nuk mbajnë ata përgjegjësi për arrestimin e kryer të urdhrit të SPAK-ut në kundërshtim me vetë përcaktimet e SPAK-ut?
Po për urdhrin e tij që SPAK e ka të bazuar në një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë parë kush mban përgjegjësi?
E gjithë sjellja e tyre në këtë process kundër meje është një shërbim skllavërues ndaj Edi Ramës.
Unë asnjëherë nuk i kam refuzuar ftesat e tyre.
Unë as mund të mendohet se do të arratisesha për shkak të lidhjeve shumë të forta që kam me vendin, për më tepër që hetimi i tyre ka nisur para 5 vitesh.
Unë nuk kam asnjë pozitë të prish apo fsheh ndonjë provë.
Unë nuk jam as Kryeministër, as ministër, as kryetar Kuvendi dhe nuk kam asnjë pozitë shtetërore që të ndërhyj.
Atëherë lind pyetja pse ky urdhër i paligjshëm dhe ky insistim që Ilir Meta të izolohet në mënyrë ekstreme në burg në prag të zgjedhjeve?
A është kjo përvojë europiane? A është kjo përvojë amerikane? Jo.
Është veprimtari kriminale e përbashkët e këtyre tre prokurorëve, Edi Ramës dhe McGonigalëve të tyre sepse ata nuk i përballojnë dot të vërtetat e Ilir Metës, i cili nuk duhet të dalë në ekrane, të cilit nuk duhet t’i dëgjohet zëri dhe i cili duhet ta ketë sa më të pamundur të mobilizojë Partinë e Lirisë në aksionin e saj opozitar.
Mënyra banditeske e arrestimit tim është jo shfaqja, por thelbi i gjithë këtij procesi kriminal të bazuar në pengmarrje dëshmitarësh, falsifikime, intimidime dhe gënjeshtra të pacipa.
Lidhur me betimin e tyre, ai ka qenë formal pasi tani është e qartë se betimi i tyre i vërtetë ka qenë para Ëngjëll Agaçit, i cili ishte personi kryesor që kontrollonte përzgjedhjen e tyre në përputhje vetëm me besnikërinë ndaj “Rilindjes”.
Ata të tre nuk kanë asnjë lidhje me Kushtetutën, me ligjin, me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me procesin e rregullt ligjor.
Ata janë sjellë si banditë, si manipulues dhe ankohen se nuk mund të ecin të lirë si qytetarët e tjerë.
Është e sigurtë se kjo mungesë lirie u vjen ngaqë janë bërë palë me disa banda kundër të tjerave, ashtu sikurse janë bërë palë me Edi Ramën kundër opozitës dhe pluralizimit politik.
Të konsiderosh inceneratorin që nuk ekziston si krim intelektual është një përpjekje e turpshme për të amnistuar një grabitje pa maska, në mes të ditës, që e shohin të gjithë dhe e paguajnë të gjithë.
Apo të deklarosh se afërmendsh gjykatat vendosin çfarë kërkojmë ne tregon një mendësi policeske që nuk ka lidhje me shtetin e së drejtës dhe provon se gjykatat janë vetëm notere të SPAK-ut dhe Ramës.
- Zoti Meta, në këto 34 vjet karrierë tuaj në politikë, ju keni qenë një nga bashkëpunëtorët, miqtë dhe nga njerëzit që keni ndarë shumë gjëra bashkë me Edi Ramën. E keni mbështetur në krye të Bashkisë dhe në zgjedhjen si kryeministër. Tani që ju gjendeni në këtë situatë dhe ai kryeministër, ku e shikoni gabimin tuaj në këtë marrëdhënie kaq të gjatë?
Nuk besoj se jam këtu për shkak të gabimeve të mia, por për shkak të bindjeve të mia, në radhë të parë patriotike e së dyti demokratike.
Unë jam krenar që kam bërë çdo gjë për të parandaluar instalimin e kësaj junte në pushtet.
Jam krenar që kam denoncuar në kohë çdo shkelje të Kushtetutës për të kapur për fyti me 69 vota Prokurorinë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe SPAK-un, si produkt i tij.
Po kështu që denoncova kapjen e Gjykatës Kushtetuese (Mitingu i 2 Marsit 2020), që merr vendime të turpshme dhe antikushtetuese të cilat do rrëzohen të tëra në Gjykatat Europiane.
Jam krenar që dola kundër projektit për shkëmbimin e kufijve me qëllim gjymtimin dhe shkatërrimin e shtetit të Kosovës me duart e vetë shqiptarëve.
Ku është sot superkandidati i Ramës për Ministër i Jashtëm i Shqipërisë nga Kosova, që unë me të drejtë nuk e dekretova se ishte shprehur publikisht pro ndryshimit të kufijve?
Asgjëkundi nuk është ai në Shqipëri se Ramës i duhej atëherë sa për të hedhur nja dy firma (një për shkëmbimin e kufijve dhe tjetrën për Detin). Se ai është mësuar t’i nxjerrë gështenjat me duart e të tjerëve.
Jam krenar që kam mbrojtur pluralizmin politik në çdo moment dhe dekretova zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit që treguan botërisht se kush ishte dhe është opozita e vërtetë.
Jam krenar që dola zyrtarisht hapur kundër shpalljes “non grata” të Z. Berisha përmes një fletërrufeje të shkruar nga Rama dhe McGonigali dhe të firmosur për fat të keq nga Sekretari i Shtetit të një aleati të pazëvendësueshëm, jo për shkak të fuqisë, por si burim frymëzimi për lirinë dhe demokracinë.
Kjo “non gratë” u shpall ndërkohë që procesi ankimues i opozitës për zgjedhjet vazhdonte.
Ndërkohë unë e kisha lajmëruar indirekt Z. Berisha që në shkurt (përmes kolegut tuaj Çim Peka) se ai do të shpallej “non grata” pas zgjedhjeve dhe se Basha kishte rënë dakord me këtë.
Jam krenar që i jam kundërvënë shpopullimit që në vitin 2016 dhe që sot Partia e Lirisë ka një program shumë të qartë me 5 Prioritetet kundër këtij projekti të Sorosit, që kërkon të zhbëjë kombin, shoqërinë dhe familjen shqiptare.
Jam besimplotë se kjo përpjekje e pabesë dhe kriminale për të nxjerrë me dhunë dhe mjete parapolitike nga politika Ilir Metën do të dështojë.
Historia e 30 viteve që kanë kaluar nuk do rishkruhet sipas delireve të Edi Ramës dhe e ardhmja do e ndëshkojë siç e meriton bashkë me mercenarët që përdor sot.
E ardhmja u takon shqiptarëve dhe patriotëve.
- Ju jeni Presidenti i katërt në historinë e Shqipërisë që jeni arrestur pas lënies së detyrës pas Haxhi Lleshit, Ramiz Alisë dhe Sali Berishës. A ka ndonjë domethenie të veçantë kjo për ju?
Këto statistika nuk kanë domethënie për mua. Unë jam Presidenti i parë i rrëmbyer në mënyrë banditeske pa asnjë letër e procedurë formale, siç e keni parë të gjithë dhe jam një nga ata 30 studentë e pedagogë që me në krye Azem Hajdarin, përfaqësuam Lëvizjen Studentore në atë natë të paharrueshme kur Ramiz Alia u detyrua të pranonte pluralizmin politik.
Atë natë kur hipëm në autobus nuk ishim të sigurtë se ku po shkonim dhe se ku mund të përfundonim.
Kështu që unë u përkas guximtarëve, ëndërrimtarëve dhe durimtarëve.
Rikthimi i pluralizimit politik plotësisht funksional është i pashmangshëm dhe i afërt.
Në mënyrë konsistente unë kam treguar qartë se nuk jam një politikan që shkon andej nga fryn era e momentit, por shkon andej nga është e drejta, e vërteta, e ardhmja dhe interesi më i mirë kombëtar.
- Disa here keni përdorur akuza edhe për gazetarë të veçantë që i cilësoni “gazetërë të Dumanit”. A keni ju prova që e vërtetoni se ka gazetarë që punojnë për kreun e SPAK?
Ato dhe ata janë gazetarë që e kanë të shkruar në ballë që janë të Dumanit dhe shpërndajnë dezinformacione për llogari të tij dhe duan të glorifikojnë një mediokër që kurrë nuk bën dot një konferencë shtypi me gazetar të pavarur se afërmendsh në dy fjali do të këpusë tre gafa.
- Në këtë situate, që jeni ju por i izoluar është edhe kryetari i PD, Sali Berisha, si mund të zhvillohen zgjedhjet dhe si mund të pretendohet në këtë situatë opozita mund të fitojë? A do kandidoni ju personalisht në zgjedhje?
Është shumë e qartë që edhe Z. Berisha është në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme i arrestuar në shtëpi, edhe Z. Salianji, nënkryetar i Grupit Parlamentar të PD në qeli, edhe unë i rrëmbyer në qeli në mënyrë që të izolohet maksimalisht lidershipi i opozitës për llogari të Ramës, por edhe partiçkave që ai ka krijuar si pseudoopozitare, të cilave u ka rezervuar gjithë banaqet e televizioneve për të bërë opozitën e opozitës dhe glorifikuar SPAK-un, koburen e Edi Ramës kundër opozitës dhe pluralizmit politik.
Kjo situatë kërkon një përshkallëzim më të fuqishëm të forcave opozitare dhe ndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar të pakorruptuar nga Edi Rama për të rritur trysninë ndaj një Narkoregjimi që përbën kërcënim edhe për sigurinë e Europës, por edhe të SHBA, siç është rasti i korruptimit të zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, i cili është në burg.
Ndaj të gjithë duhet të marrim pjesë në protestën e opozitës më 26 Nëntor dhe të shprehin zemërimin e tyre për braktisjen e qytetarëve nga Qeveria, që e tregon më së miri edhe projektbuxheti për 2025, për fëmijët që vriten në oborr të shkollave dhe arsimin e braktisur, për qytetarët e pafajshëm që vriten në mes të Shkodrës sepse bandat kanë blerë zgjedhjet dhe vetë Qeverinë.
Jam besimplotë se opozita do përshkallëzojë reagimin e saj dhe do luftojë për Fitoren me çdo çmim.
- Çfarë bisedash keni bërë gjatë kësaj kohe me tre fëmijët tuaj dhe me prindërit tuaj?
Bisedat tona janë të natyrës familjare dhe shëndetësore më shumë. Dua t’ju siguroj se parametrat shëndetësore janë më të mira se kur isha jashtë, kjo falë edhe një regjimi shumë të rregullt dhe një stërvitjeje rigoroze tre herë në ditë edhe pse në kushte të vështira.
- A keni ju pritshmëri me zgjedhjen e Donald Trump President i SHBA se do ndryshojë kursi i qëndrimeve ndaj qeverisë shqiptare dhe zotit Rama?
Fitorja e Presidentit Trump është shumë positive pasi duhej një ndryshim në SHBA dhe këtë e tregoi edhe vota popullore.
Agjendat kundër familjes ishin një problem i madh atje dhe akomë më shumë këtu ku rëndësia e familjes është edhe më jetike.
Sorosifikimi i drejtësisë atje ishte një problem i madh dhe viktimë e tij ishte edhe vetë Presidenti Trump, i cili sidoqoftë u lejua të kandidonte dhe fitonte sepse amerikanët i vlerësuan si politike sulmet e drejtësisë ndaj tij.
Ndërsa këtu sorosifikimi i drejtësisë afërmendsh është në vend të parë në botë, pasi edhe indekset e drejtësisë janë provuar se janë më keq se në Vietnamin njëpartiak.
Ndaj dhe rezolutat e CDI dhe PPE tregojnë se koha kur Rama i blinte të gjithë ndërkombëtarët dhe heshtjen e tyre ka mbaruar.
Por vendimtare mbetet qëndresa e brendshme e vetë shqiptarëve kundër regjimit, si edhe organizimi i shqiptarëve në Europë, SHBA e kudo për të protestuar dhe për t’u mobilizuar për zgjedhjet e ardhshme.
- Në këto ditë të vështira për ju, cilët nga bashkëpunëtorët e vjetër ju ka mbështetur më shumë? A ka nga ata që ju kanë kthyer krahët?
Jam shumë i kënaqur me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të mi kryesorë në drejtimin e Partisë së Lirisë, sidomos të Sekretarit të Përgjithshëm, Z. Tedi Blushi me të cilin jam në komunikim të përditshëm, por edhe të Zëvendëspresidentes Xhixho e shumë të tjerëve që punojnë për të afirmuar 5 Prioritetet tona e sidomos arsimin që mori goditje të rëndë këto ditë nga vrasja e një 14-vjeçari e deri te buxheti për arsimin që është edhe më sterrë se vitin e shkuar.
Vlerësoj shumë punën e përditshme të Prof. Petraq Milos në analizimin e buxhetit dhe përgatitjen e amendamenteve, pro edhe praninë e tij të përhershme në konferenca shtypi duke çmontuar mashtrimet e Qeverisë për situatën ekonomike dhe sociale.
Po kështu puna më diasporën ka marrë një ritëm të ri dhe vlerësoj angazhimin e Dr. Besnik Jakaj dhe ekipit për diasporën që ka rol deciziv.
Lista është shumë e gjatë e të gjithë kolegët po punojnë me përkshim edhe pse ka shumë investim nga regjimi për të kufizuar prezencën dhe paraqitjen mediatike të Partisë së Lirisë, aktiviteteve të saj dhe drejtuesve të saj.
- Ju keni lajmëruar protesta përpara godinës së SPAK. Çfarë kërkoni të arrini me këto protesta? A mund të ndikojë kjo për të rënduar pozitën tuaj juridike? Cili është mesazhi juaj?
SPAK është koburja kryesore që po përdoret kriminalisht nga Edi Rama kundër opozitës dhe zgjedhjeve të lira e konkurruese.
Në këto protesta jo vetëm do jepen prova të manipulimeve kriminale të SPAK-ut kundër Presidentit të Partisë së Lirisë vetëm për ta mbajtur në burg me çdo çmim, por më kryesorja do denoncohen të gjitha aferat kriminale “intelektuale” prej qindra milion eurosh, që SPAK nuk i sheh dot se është i kapur nga Rama.