Intervistë e liderit të LSI

Intervistë e liderit të LSI

Intervistë e liderit të LSI z.Ilir Meta dhënë për gazetarin Armand Mero të Zërit të Amerikës

Zoti Meta pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet. Kemi një fushatë ku praktikisht të gjithë forcat politike siç ndodh rëndom bëjnë shumë premtime dhe temat ku janë fokusuar janë gati të njëjta. Pse një votues shqiptar duhet të besonte apo duhet të zgjidhte programin tuaj elektoral dhe jo të dy forcave të mëdha?

Ka disa arsye. Arsyeja e parë është se Lëvizja Socialiste për Integrim është e vetmja forcë politike e cila ka një program të qartë dhe ka një dokument sikurse është Plani për Veprim i cili është shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Votuesit shqiptarë sot nuk kanë mundësi të zgjedhin midis disa programeve por do të thoni ju ka premtime; marrim rastin e punësimit meqë ai është dhe prioriteti ynë kryesor i shpallur prej disa muajsh madje duke theksuar punësim punësim punësim. Ne kemi një program shumë të qartë dhe të detajuar për punësimin për të garantuar hapjen e 100 mijë vendeve të qëndrueshme pune në katër vitet që vijnë. Ndërsa Partia Demokratike premtoi njëherë 300 mijë vende pune pasi ne e publikuam programin tonë për punësimin pastaj e kuptoi që ishte një nonsens dhe u kthye në 160 mijë që përsëri është e paargumentuar pasi kjo do të thotë që Shqipëria të ketë një rritje ekonomike nga 9 deri në 11 % në katër vitet që vijnë. Dhe së dyti nuk kanë pse ta besojnë shqiptarët këtë pasi në dy apo tre muajt e fundit janë mbyllur gati 20 mijë vende pune në Shqipëri vetëm 11 mijë vende pune vetëm në biznesin fason.
Së treti do të zgjedhin LSI-në se kryetari i LSI është i vetmi deri tani që ka kërkuar ballafaqim me të tjerët duke filluar që me z.Berisha për çështjen e programit. Nuk është pranuar asnjë ballafaqim që do të thotë qartë se nuk mund të marrë përsipër askush prej të tjerëve daljen e vendit nga kriza ekonomike  me një program të qartë si LSI punësimin dhe së dyti uljen e kostos së jetesës që është një problem i madh për shtresat me të ardhura më të pakta të popullsisë.

Z.Meta ashtu si dhe në 2005 Lëvizja Socialiste për Integrim hyn në një garë ku marrëdhëniet me PS janë gati armiqësore ngjan gati si një luftë?

Ne nuk kemi asgjë armiqësore përkundrazi jemi shumë miqësor dhe i kemi ftuar për një takim të gjitha palët duke filluar që nga Kryetari i Partisë Socialiste.

Megjithatë kjo ndarje e thellë pavarësisht se në ndryshim nga 2005 sistemi është tjetër mendoni se mund të ndikoje në një përçarje të elektoratit socialist ose në rezultatin e së majtës në këto zgjedhje?

Midis 2005 dhe 2009 janë zgjedhjet vendore të vitit 2007 ku LSI përkrahu pa asnjë rezervë zotin Rama për t’u rizgjedhur kryetari i Bashkisë për herë të tretë përballë një sulmi të paparë të z. Berisha ndaj tij për të marrë dhe Bashkinë e Tiranës përkrahu kandidatët e PS pothuajse në të gjithë qytetet e vendit dhe kjo u bë dhe mbi një marrëveshje e cila nuk qe vetëm për zgjedhjet lokale por fillonte dhe kishte si shtyllë kryesore qëndrimin e përbashkët për një Reformë zgjedhore që garantonte zgjedhjet të ndershme dhe të lira në Shqipëri pasi vetë në dokumentin e marrëveshjes lidershipi i PS ishte distancuar nga Megadushku që kishte bërë vetë në vitin 2005. Ajo që ndodhi pasi u rizgjodh Rama Kryetari i Bashkisë nuk e gjeti më të nevojshme të vazhdonte bashkëpunimin me LSI për të realizuar objektivat e tjera por vajti e zgjodhi koalicionin me Berishën dhe pas tragjedisë së Gërdecit jo vetëm nuk u bashkua me thirrjet tona për largimin e Berishës por bënë ndryshime kushtetuese që fuqizuan kryeministrin Berisha në mënyrë të jashtëzakonshme në kurriz të parlamentarizmit dhe bënë dhe Kodin zgjedhor. Ne jemi të shqetësuar realisht për problemet e standarteve të zgjedhjeve në 28 Qershor janë të shqetësuar edhe vetë përfaqësuesit e PS. Duke lexuar këtë shqetësim ne i kemi ftuar të bashkërendojmë për të mbrojtur këto standarte dhe për të mbrojtur votën e çdo shqiptari dhe opozitari në 28 Qershor. Ilir Meta ka një projekt integrues për gjithë të majtën përfshirë këtu edhe z. Rama. Logjika e përjashtimit nuk mund ti shkojë një Lëvizje Socialiste për Integrim.

Z. Meta pa hyrë në debatin e shifrave dhe sondazheve ajo që mendojnë shumë vëzhgues politikë është se asnjë prej dy forcave të mëdha mund të mos marrë dot e vetme shumicën. Në një rast të tillë LSI mendohet qe do te faktorizohej dhe mund të jetë faktori kyç për shumicën e ardhshme në një situatë të tillë cila do të ishte lëvizja e partisë tuaj?

Së pari pa asnjë diskutim LSI e ka kaluar shifrën e 30 deputetëve në shkallë kombëtare. Sondazhet që janë bërë sot në Shqipëri  kanë qenë të porositura nga dy njerëz jo nga dy parti të cilët vetëm një qëllim kanë pasur të përbashkët përpjekjen për të demoralizuar qytetarët shqiptarë në mënyrë që të mos votojnë për atë alternativë që do të garantojë ekuilibrat e një qeverisje e cila nuk mund të marrë vendime arbitrare në të ardhmen sikurse ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Po t’i shikosh të gjithë shifrat e tjera janë të gjitha kontradiktore dhe absurde. Në këtë drejtim ne kemi sondazhet tona. Ju e dini që ne bashkëpunojmë me një kompani shumë të njohur amerikane edhe në drejtim të sondazheve jemi shumë të qetë sepse sondazhi i 28 Qershorit po vjen. Të jeni të sigurt se unë nuk uroj të ngrijë koha por uroj të përshpejtohet që 28 Qershori të vijë shqiptarët ta hedhin votën të qetë dhe të sigurt. Që me 29 Qershor të fillojmë punën për të krijuar një Qeveri që zgjidh problemet e shqiptarëve në radhë të parë problemet ekonomike të tyre problemin e punësimit dhe problemin e uljes së kostos së jetesës.

Z.Meta pa dashur t’i hyjmë një analize cilet janë faktorët arsyet shkaqet të një marrëdhënie kaq të acaruar mes PS dhe LSI?

Nuk ka asnjë marrëdhënie të acaruar. Ne i ftojmë. Të jeni t
ë sigurt që nuk është kjo marrëdhënia e Ilir Metës me Partinë Socialiste kjo është me lidershipin aktual. Dhe shpresojmë që edhe ai të reflektojë në ditët që kanë mbetur. Ne jemi të hapur s’kemi asnjë problem.

Atëherë në situatën aktuale që jemi të këtyre marrëdhënie në rast të një aleance të mundshme për krjimin e një Qeverie të ardhshme me Partinë Socialiste në çfarë pikash do të kushtëzohej ky bashkëpunim?

Ky është një bashkëpunim që do të ndodhë ne urojmë që të ndodhë në përmasat e duhura përpara 28 Qershorit dhe mbas 29 Qershorit projekti i Ilir Metës është integrues për të gjithë përfshirë dhe Edi Ramën. Nuk ka projekt përjashtues nga ana e LSI dhe Ilir Metës. E majta me logjikën e përjashtimit me logjikën e basteve që unë o arrij kaq o bëhet qameti nuk fiton asgjë dhe nuk i shërben as Shqipërisë dhe nuk i shërben as atyre që kanë besuar apo sakrifikuar dhe nuk tregon atë përgjegjësi dhe moral që duhet të ketë çdo politikan që është sot në opozitë përballë problemit më të madh që ka vendi që është ky Kryeministër i vetmi në botë që nuk e njeh krizën ekonomike ndërkohë që shqiptarët varfërohen. Njëkohësisht dhe për realizimin e atyre standardeve që na antarësojnë në Bashkimin Europian pasi në NATO hymë se në një farë mënyre na futën të tjerët por ne në Bashkimin Europian nuk mund të hyjmë më me mik.

Ky është një bashkëpunim që varet dhe nga numrat por do të jetë i kushtëzuar në planin programor?

Absolutisht ne kemi një fat të madh që ne jemi e vetmja parti që kemi një program. Më gjeni një program tani të një force tjetër që ka një program që ka disa koncepte të qarta që ka disa formula të qarta që ka disa shifra të sakta. Ne kemi vetëm një program dhe Shqipëria praktikisht ka vetëm një program dhe ky program do të zbatohet se të tjerët s’kanë program.

Duket se ju po flisni në pozitën sikur do të vije Partia Socialiste që do të kërkojë bashkëpunimin dhe do të jeni ju që do të vendosni ta jepni ose jo?

Në rast se ka një program nga pala tjetër do ulemi dhe do të shikojmë të gjithë elementët e përbashkët të këtij programi. Por programi ynë të jeni të sigurt që është programi i vetëm që ekziston sot dhe i vetmi që mund të argumentohet sepse me 197 mijë vende pune që janë përmendur në programin që thuhet se ekziston i Partisë Socialiste Shqipëria duhet ta ketë rritjen ekonomike gati 16 apo 18 % në vit gjë që nuk mund të ndodhë. Në rast se ka ide më të mira ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë dhe ta integrojmë.

Po me variantin e Zotit Rama si Kryeministër?

Shqiptarët do të thonë fjalën e tyre në 28 Qershor. Problemi i tyre kryesor nuk do të jetë se kush do të jetë Kryeministër. Absolutisht të jeni të sigurt. Problemi i tyre është të ikë Kryeministri që është dhe të vijë një Qeveri dhe nje kryeministër  me koncepte integruese që respekton parlamentin që pranon kontrolle nga parlamenti sepse kjo do të thotë të pranosh ti japësh ato hapësira që mungojnë sot demokracisë në Shqipëri dhe në fund të fundit shqiptarët duan një qeverisje të ekuilibruar të balancuar sepse nuk mund ti besojnë fatet tekave të cilitdo qoftë Berisha qoftë Rama apo Meta.

 

0x323030392d30362d3233