Intervista, Kryetari I Kuvendit, z. META, “ Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili

Intervista, Kryetari I Kuvendit, z. META, “ Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili

IlirMeta.05.05.2015

Intervista, Kryetari I Kuvendit, z. META, ” Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili

Eni Vasili – Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët edhe sonte në “Studio e hapur”!

Pas një bashkëqeverisjeje gati 2-vjeçare dhe në prag të zgjedhjeve lokale me mua në studio është kryetari i LSI-së dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët!
Ilir Meta – Mirëmbrëma!
Eni Vasili – Faleminderit që e pranuat ftesën e “Studios së hapur”, edhe pse jam e bindur që jeni shumë i ngarkuar, sepse është një periudhë takimesh edhe elektorale.

Ilir Meta – Kënaqësia ime, gjithashtu!
Eni Vasili – Faleminderit që jeni me mua!
Zoti Meta, do të fillojmë menjëherë me pyetjet për të moshumbur asnjë minutë nga koha jonë e transmetimit, pasi pyetjet janë të shumta.

Dua ta filloj me një çështje të aktualitetit. Në fakt, pak minuta më parë ish-kryeministri Berisha, njëkohësisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ka publikuar në faqen e tij të facebook-ut një regjistrim audio, ku dëgjohet Kryeministri Rama në një mbledhje, ndoshta me drejtues të administratës, ku jep urdhra elektoralë.

Ju ftoj juve dhe teleshikuesit që për disa sekonda ta dëgjojmë këtë regjistrim dhe të kemi mundësi ta komentojmë. Është një regjistrim audio, i cili tashmë është publikuar në të gjitha portalet dhe site-t online dhe dua që ta komentojmë.

Ilir Meta – Me kënaqësi të madhe!
Eni Vasili – Faleminderit!
Regjia, ju lutem, më ndihmoni me minutazhin audio që është publikuar nga ish-kryeministri i vendit, zoti Berisha, deputet i PD-së në faqen e tij të facebook-ut!
(Regjistrim.)

Zoti Meta, a keni një koment?
Ilir Meta – Koment për çfarë? Për kaq, apo keni diçka tjetër?

Eni Vasili – Fillimisht kaq. Flitet që keni qenë edhe ju në këtë takim, por është pjesa e dytë e pyetjes. A mund të kemi një koment nga ju për këtë regjistrim dhe atë çfarë ka thënë Kryeministri në këtë takim?

Ilir Meta – Pa hyrë në pervesitetet e Berishës, nuk do të merrem, sepse absolutisht kemi të bëjmë me një banalitet, kemi të bëjmë me një montazh. Berisha në këtë rast nuk ka dhënë pjesën, ku Kryeministri Rama ka bërë të qartë që nuk duhet bërë asnjë aktivitet politik dhe propagandistik në shkolla, me mësuesit etj., por ai e ka përzier sipas interesit të tij. Kjo është çështja e tij. Nëse këtu ka shkelje apo problem, Berisha duhet ta çojë në prokurori.

Eni Vasili – Zoti Meta, problemi supozohet të jetë këtu: Kryeministri u drejtohet drejtorëve dhe nëndrejtorëve, shefave të administratës, administrata është e politizuar. Janë vite impenjimi të BE-së për këtë çështje…

Ilir Meta – Unë prandaj e thashë që kemi të bëjmë me një banalitet, perversitet, sepse nuk ka qenë një takim me drejtorë, por me strukturat e partisë. Natyrisht, në strukturat e partisë, një pjesë e tyre, ka edhe njerëz, të cilët janë vlerësuar, janë edhe drejtorë, por kanë edhe funksione të tjera etj. Nuk ka qenë drejtori i Policisë së Shkodrës, nuk ka qenë drejtori i SHIK-ut të Shkodrës, nuk kanë qenë drejtues, të cilët e kanë të ndaluar të marrin pjesë në aktivitete politike dhe partiake.

Kur është ngritur shqetësimi për angazhimin e drejtorëve, pra që një pjesë e tyre nuk shërbejmë me përgjegjshmërinë që duhet, nuk kanë atë angazhim që duhet për të qenë të angazhuar edhe me punët e partisë, qoftë edhe me fushatën, pa dëmtuar punën e tyre si drejtues, natyrisht që është dhënë një mesazh. Këtu nuk shoh ndonjë gjë të keqe.

Eni Vasili – Megjithatë, bëhet fjalë për drejtorët e administratës. A është normale kjo gjë në një shtab elektoral, apo jo?

Ilir Meta – Është shumë normale që në një takim me strukturat e partisë të jepen disa porosi. Çfarë ka këtu diçka të paligjshme?

Eni Vasili – Implikimi i administratës në fushatë elektorale.

Ilir Meta – Nuk ka asnjë implikim të administratës. Nuk mund ta ndaloni dikë që është drejtor, i cili është anëtar i një partie, është në strukturën e një partie, të angazhohet dhe të punojë në fushatë për këtë parti.

Eni Vasili – Me detyra konkrete.
Ilir Meta – Me detyra konkrete, sepse zona është konkrete, ka qendra votimi.

Eni Vasili – Sa kuti do të kenë drejtorët e administratës në përgjegjësinë e tyre personale. Këtu nuk ka asgjë për të komentuar?!

Ilir Meta – Kjo është një histori banale. Po të donte Berisha, aty ishte edhe pjesa ku Kryeministri foli për çështjen e arsimit, por ajo nuk i intereson, sepse aty del shumë qartë një pozicion shumë luajal dhe etik, i cili bën të qartë se nuk duhet të politizohet sistemi arsimor.

Por mësuesit që janë anëtarë apo simpatizantë të LSI-së ose PS-së askush nuk mund t’i ndalojë që jashtë orarit të mësimit të punojnë, të takohen me njerëzit e komunitetit, me qendrën e votimit dhe kudo. Kështu që është një histori Berishe. Është historia e njeriut që asnjëherë nuk e ka angazhuar administratën në fushata zgjedhore!

Eni Vasili – Megjithatë, drejtorëve u kërkohet përgjegjësi për votat?

Ilir Meta – Ata që janë anëtarë të strukturave të partisë, patjetër që kanë detyrat e tyre, siç kanë edhe të tjerë që nuk janë drejtorë.

Eni Vasili – Pse u kërkohet patjetër drejtorëve dhe nëndrejtorëve përgjegjësi dhe jo aktivistëve?

Ilir Meta – Sepse këtu është përzgjedhur vetëm një pjesë. Pra, këtu bëhet fjalë për një takim me strukturat e partive, ku të gjithë kanë detyrat e tyre, edhe ai që është i papunë, edhe ai që është në punë, edhe dikush që është në aktivitet privat, i cili është anëtar partie.

Eni Vasili – Ju keni qenë këtë takim?
Ilir Meta – Po, kam qenë.

Eni Vasili – Keni kontribuar në këtë takim me fjalën tuaj, pra keni folur?

Ilir Meta – Patjetër.
Eni Vasili – Udhëzimet tuaja kanë qenë të njëjta me këto të Kryeministrit?

Ilir Meta – Udhëzimet tona kanë qenë gjithmonë në respekt me ligjin. Pastaj në angazhimin e partisë, patjetër, ne kemi mënyrën tonë të… komunikimit të organizimit. Berisha në qoftë se e shikon që ka ndonjë problem të paligjshëm, ta çojë në prokurori.
Eni Vasili – Pra, nëse nesër ish-Kryeministri Berisha publikon një regjistrim audio tuajin…

Ilir Meta – Të publikojë çfarë të dojë Berisha, jam mësuar me këto punë, nuk më shqetësojnë fare.

Eni Vasili – Të publikojë çfarë të dojë? Ju nuk keni frikë që mund të dalë diçka e ngjashme, apo diçka që mund t’ju implikojë?

Ilir Meta – Absolutisht unë nuk kam asnjë shqetësim.
Eni Vasili – Vazhdojmë me zgjedhjet dhe të shohim nëse do të kemi zhvillime përgjatë emisionit, zoti Meta, në qoftë se do të kem pyetje të tjera rreth kësaj çështjeje, pasi nuk e di nëse do të publikohet diçka tjetër.
Ilir Meta – Nuk ka për të pasur asnjë zhvillim tronditës, të jeni e qetë, asnjë ngjarje tronditëse.

Eni Vasili – Vazhdojmë me zgjedhjet ku jeni impenjuar fuqishëm. A mund të më thoni, zoti Meta, si kryetar i LSI-së, gjithashtu, por dhe si Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë: Si e parashikoni këtë fushatë? Kanë ndodhur disa incidente dhe ndoshta njëri ka lidhje me zgjedhjet.

Ilir Meta – Çfarë incidenti ka ndodhur?
Eni Vasili – Për shembull incidenti i Durrësit.
Ilir Meta – Si ka ndodhur?
Eni Vasili – Ka pasur një përplasje. E dimë se si është përshkruar, e dimë që
zoti Dako ka mbajtur qëndrimin që ka mbajtur.

Ilir Meta – Ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë. Të dënohen autorët.

Eni Vasili – Ju parashikoni që të ketë tensione?
Ilir Meta – Nuk ka arsye për të pasur tension.
Eni Vasili – Është ky një moment i cili mund të paralajmërojë fushatë, apo jo?

Ilir Meta – Nuk ka asnjë arsye për të pasur tension dhe nuk ka asnjë interes nga ana e maxhorancës për të provokuar tension. Përkundrazi, është interesi maksimal për të garantuar standardet më të larta në zgjedhje.

Po të ishte që maxhoranca kërkonte patjetër të fitonte në këto zgjedhje, gjëja e parë që do të bënte, ka dhe raportin e ODIHR-it për heqjen e paligjshme dhe antikushtetuese të anëtarit të KQZ-së që bëri Berisha përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, gjëja e parë pra, do të kishte ndryshuar balancën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Maxhoranca u tregua mjaft tolerante, sepse e di që votat nuk varen nga KQZ-ja, por nga qytetarët shqiptarë, varen nga ato kutitë atje te qendrat e votimit.

Eni Vasili – Në fakt fushata zyrtarisht fillon më 22 maj, por ajo ka filluar. Ka dhe një debat për këtë çështje, por pyetja për ju sigurisht nuk është kjo. Pyetja është se cilat janë pritshmëritë tuaja nga kjo fushatë elektorale dhe nga këto zgjedhje?

Ilir Meta – Pritshmëritë e mia janë më të mëdha nga produkti që do të sjellë reforma në administratën territoriale sesa nga, po themi, rezultati i zgjedhjeve, sepse unë jam tepër i bindur në rezultatin pozitiv në tërësi të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Por kjo nuk është çështja më e rëndësishme, sepse këto nuk janë zgjedhje politike.

Zgjedhjet politike janë në vitin 2017. Ajo që ne presim është të shohim projekte konkrete nga kandidatët se si do ta shfrytëzojnë këtë hapësirë të re që fitojnë këto bashki, me këto resurse të reja të shtuara, për të bërë disa politika të reja që nuk janë bërë deri tani nga drejtuesit e bashkive, sidomos për sa i takon zhvillimit strategjik të bashkisë, sidomos në drejtim të rritjes së punësimit, ku bashkitë duhet të kenë një rol aktiv dhe jo çdo gjë si deri tani të pritet nga qeveria.

Eni Vasili – Ju thoni në fakt që është një votë për administrimin, por opozita thotë se kjo do të jetë një votë që do të gjykojë 2-vjeçarin e qeverisjes Rama-Meta.
Ilir Meta – Është e drejtë e opozitës.

Eni Vasili – Do të kemi një votë të orientuar politikisht, apo një votë administruese sipas jush?
Ilir Meta – Sipas mendimit tim këto duhet të jenë votime për zgjedhje vendore dhe për zgjidhje vendore, problemet kryesore që ka komuniteti. Opozita kërkon ta trajtojë politikisht, kjo është e drejtë e saj.

Eni Vasili – Zoti Meta, në fakt janë…
Ilir Meta – Në fakt ky është dhe gabimi, mendoj unë, që bën opozita, sepse praktikisht kërkon politikisht të shqyrtojë bashkitë duke i parë ato jo në funksion të zgjidhjeve të problemit të komunitetit, kompetenca që ka pushteti vendor, por të konfrontimit me qeverinë, ndërkohë që qytetarët nuk janë shumë të interesuar për këtë gjë. Ata janë të interesuar që në Shkodër, Sarandë, Lezhë, Gjirokastër, bashkitë të bashkëpunojnë edhe me qeverinë për të zgjidhur problemet që ka bashkia, që kanë qytetarët.

Eni Vasili – Janë 61 njësi vendore. Keni propozuar kandidatë në 15 prej tyre dhe në disa bashki kryesore të rëndësishme duke krijuar dhe hatërmbetje, në mënyrë të veçantë brenda socialistëve, edhe pse hatërmbetje në hije.
Ilir Meta – Nuk ka hatërmbetje brenda socialistëve për këtë shkak, përkundrazi. Pra, është një dëshpërim nga ata që donin të prodhonin konflikte, sepse hatërmbetje ka dhe brenda socialistëve, atje ku nuk ka propozuar LSI-ja, sepse kanë pretenduar 5 veta, 7 veta. Kjo është normale. Ka dhe te LSI-ja, aty ku propozohet dikush nga LSI-ja, se kanë qenë dhe 4 të tjerë që kanë menduar se ata janë më të mirë. Pra, këto janë procese normale, por mund të them që raportet PS-LSI janë raporte të shkëlqyera.

Eni Vasili – Megjithatë a mund ta quajmë për shembull një socialist të hatërmbetur Blushin kur flet për hasanizimin dhe i referohet kryetarit të bashkisë së Kukësit? Është një kandidat juaji. Besoj mund ta keni ndjekur.

Ilir Meta – Unë nuk kam dëshirë të komentoj mendimet e lira të një deputeti, siç është dhe zoti Blushi, sepse është e drejtë e çdo deputeti të japë mendimet e tij, të jetë edhe kritik. Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një absurditet skandaloz për arsye sepse kam vënë re dhe intensifikimin e sulmeve nga zoti Basha për zotin Halili, duke dashur të denigrojë figurën e tij për shkak të kandidimit të tij në këto zgjedhje, kur e vërteta si për zotin Basha, si për zotin Blushi është një dhe vetëm një, që Hasan Halili ka treguar që është një njeri me shumë karakter, me shumë dinjitet, i cili nuk ka ardhur me LSI-në sepse LSI-ja ishte në pushtet, përkundrazi.

Ai ka ikur nga Partia Demokratike. Partia Demokratike ishte në pushtet dhe ai ka ikur 2 muaj para zgjedhjeve kur nuk dihej se cili do të ishte fati i këtyre zgjedhjeve. Dhe ka ikur për një arsye që të gjithë qytetarët e Kukësit dhe jashtë Kukësit e dinë shumë mirë, sepse nuk pranoi presionet që i bënte Berisha, deputeti i Kukësit…
Eni Vasili – Dakord. Ka të bëjë…

Ilir Meta – Të lutem, këtu do të më presësh, sepse është e drejta juaj të shkoni nga një pyetje në tjetrën. Por unë këtu do të ndaloj shumë, sepse e quaj të pamoralshme që një njeri që bën veten shumë të moralshëm, që rrallë politikanë të caktuar e bëjnë. Pra, e theksoj dhe një herë: 2 muaj përpara se të bëheshin zgjedhjet, kur iu kërkua të merrte pjesë në inaugurimin e ujësjellësit të Kukësit, një investim prej disa miliona eurosh.

Ilir Meta –…një investim i cili nuk sillte ujë për Kukësin, por ishin vetëm para të shkuara dëm dhe për të cilat ai kishte ngritur disa herë shqetësime edhe te Berisha, edhe tek të gjithë ministrat e asaj kohe, sepse ai projekt ishte i dështuar, ishte një projekt korruptiv, për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar tërë ata përgjegjës në prokurori, dhe nuk pranoi të merrte pjesë në një ceremoni mashtrimi, ku gjoja do të inaugurohej ky ujësjellës si sukses i madh i Partisë Demokratike dhe u tha: “Unë për këtë gjë ndahem me Partinë Demokratike për qytetarët e Kukësit”, dhe këtë gjë e ka bërë dy muaj përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, kur Partia Demokratike ishte në pushtet, kur Sali Berisha ishte Kryeministër, kur deputeti që orkestronte gjithë këtë presion ishte ministri i Brendshëm, që ishte zoti Noka, i cili tani orkestron edhe këto sulme kundër zotit Halili. Do ta marrin përgjigjen në 21 qershor; të jenë të qetë.

Eni Vasili – Zoti Meta, a është normal kalimi i këtyre personazheve që, në fakt, edhe me ndarjen e re territoriale kthehen pothuajse në guvernatorë të qyteteve tona dhe të rajoneve tona…?

Ilir Meta – Unë nuk jam këtu për t’ju thënë a është normale kjo apo është normale ajo.

Eni Vasili –…apo edhe e deputetëve?
Edhe deputeti Shehu, Ylli Shehu…

Ilir Meta – Shikoni, ju lutem, nuk jam duke u marrë as me deputetë. Më folët për një çështje konkrete, ju thashë një argument…

Eni Vasili – Qëndrojmë tek e njëjta çështje.
Ilir Meta – Jo, ju lutem!

Ju thashë një argument konkret që ka rëndësi, që e dëgjojnë qytetarët e Kukësit tani që po e them unë dhe e dinë ata më mirë, dhe do t’ia japin përgjigjen edhe zotit Dasho, edhe cilitdo tjetër në datën 21 qershor, sepse nuk ka pranuar si shumë të tjerë që, kur janë në pushtet, konformohen për hir të ruajtjes së privilegjeve, përkundrazi, ka
dalë kundër Kryeministrit të asaj kohe, Sali Berishës dhe, të dalësh në Kukës, sidomos në atë kohë, nuk ishte gjë e lehtë. Ka dalë kundër ministrit të Brendshëm të asaj kohe…

Eni Vasili – Dakord. Ka akuza dhe…
Ilir Meta – Ju lutem!
Eni Vasili – Nuk e vazhdojmë dot. Ka akuza që thonë se ka qenë një çështje interesash…
Ilir Meta – Të lutem!

Eni Vasili – …dhe jo çështje parimore.
Ilir Meta – Jo, çështje interesi është kjo që donin të inauguronin një ujësjellës që nuk çonte ujë në Kukës, sepse ishte një projekt i gabuar, të cilin ai e kishte kundërshtuar që në fillim dhe përfundimisht tani është miratuar projekti, i cili do të zgjidhë problemin e ujit të pijshëm për Kukësin, ndërkohë që për këtë shpërdorim që është bërë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar dosjen në prokurori dhe ka filluar çështjen.

Pra, kjo është çështja.
Eni Vasili – Po. Megjithatë, fenomeni në vetvete është fenomeni i kalimit të personazheve tipikë të partive të caktuara në parti të kampit tjetër.

Ilir Meta – Personazhet janë të lira. Kemi personazhe që bënin si të majtët më të thekur, tani bëjnë çdo gjë që të humbasë e majta. Kjo është një liri, të cilën duhet ta pranojmë, jemi në demokraci. Pastaj, rastet konkrete do t’i gjykojmë konkretisht.

Eni Vasili – Për shembull, po flisja edhe për zotin Ylli Shehu. A është normale kjo? Kanë vdekur ideologjitë? Kanë vdekur besimet? Ajo që akuzojmë është: në emër të çfarë gjëje kërkojmë vota?

Ilir Meta – Po, më falni!
Së pari, një herë këtë çështje shqiptarët e zgjidhin me votë për çdo individ, e zgjidhin edhe për çdo forcë politike që bën një zgjedhje të caktuar.
A është morale që zoti Mediu të dalë në televizor dhe të thotë: “Në qoftë se nuk kandidohet Agron Duka, ne do të dalim në 61 bashki me kandidatë të pavarur”? A e keni dëgjuar, apo jo, këtë gjë? Kështu ka thënë: “Sepse na ka premtuar Lulzim Basha dhe na ka mashtruar. Na ka thënë se Agron Duka do të jetë kandidat për kryetar bashkie në Durrës”.

Kur mbledh partinë kryetari, në rastin konkret zoti Mediu, dhe u thotë të gjithëve: “Bëhuni gati, sepse, në rast se ne nuk do të kandidojmë në Durrës, sepse na ka prerë në besë Lulzim Basha, na ka premtuar, na ka mashtruar dhe na ka thënë se në sondazhe del fitues Agron Duka…”, madje u thotë edhe gjëra të tjera, por “kjo gjë nuk ndodh, sepse kandidatët e tjerë kanë bërë këto gjëra e të tjera”, se unë nuk mund të merrem me këto histori, se nuk më takon, dhe kur këta të gjithë bëhen gati për t’i qëndruar kësaj linje, një ditë papritur, pa u dhënë asnjë sqarim, merr një pozicion tjetër. Çdo deputet ka të drejtën e tij të bëjë zgjedhjen e tij. Kështu që të mos i hyjmë kësaj gjëje.

Eni Vasili – Dakord.

Megjithatë, zoti Meta, Ylli Shehu është bërë deputet duke kërkuar vota kundër jush, kurse sot është me ju. A ka një moral qeverisja, politika? Pyetja që ngre publiku sot është pikërisht kjo.

Ilir Meta – Unë mendoj se këtë përgjigje e japin qytetarët me votën e tyre. Përgjigjen edhe për këtë rast besoj se mund ta merrni më 21 qershor.

Eni Vasili – Në rregull. Kemi kohë.

Ilir Meta – Përgjigjen më të mirë do ta merrni në vitin 2017, sepse unë mendoj që përpjekjet për të kaluar në moralizime absurde janë të dështuara. Në politikë çdo veprim që i shërben së ardhmes është i moralshëm. Çdo veprim që i shërben së ardhmes dhe u shërben qytetarëve.

Eni Vasili – E qartë.
Meqenëse jemi te Kukësi dhe të përqendruar edhe për disa sekonda te Kukësi, ka pasur një incident gjatë ditës së djeshme, një përplasje mes disa banorëve protestues dhe policisë. Ju përmendët banorët e Kukësit dhe m’u duk sikur po u drejtoheshit në mënyrë të veçantë. A keni koment për atë ngjarje?

Ilir Meta – Komenti im është që sjellja duhet të ishte më e përmbajtur. Sigurisht, Kukësi ka probleme të rëndësishme sociale. Janë probleme absolutisht të krijuara prej një kohe të gjatë dhe Partia Demokratike nuk ka bërë ndonjë gjë për të zgjidhur problemet e Kukësit, pavarësisht se në të kaluarën i merrte votat me një shumicë të jashtëzakonshme, por absolutisht edhe sjellja e një përfaqësuesi të forcave të rendit ka qenë e papranueshme.

Eni Vasili – Po, e shefit të Krimeve.
Ilir Meta – Edhe ministri i Brendshëm, zoti Tahiri, ka marrë një masë mjaft korrekte. Problemet zgjidhen me dialog dhe me bashkëpunim.

Eni Vasili – “Më shumë shërbim dhe punësim” është slogani juaj në këtë zgjedhje, zoti Meta.

Pra, ju jeni i qartë se në këto dy vjet punësimi dhe shërbimi ndaj qytetarëve nuk ka qenë aty ku duhet?
Ilir Meta – Absolutisht, nuk mund të themi se shërbimi dhe punësimi janë atje ku duhet, përkundrazi, duhet një standard më i lartë në shërbimin ndaj qytetarëve dhe një përkushtim më i madh ndaj tyre.

Pa dyshim që duhet bërë shumë më tepër për punësimin dhe, për herë të parë, me reformën e re administrativo-territoriale bashkitë marrin një mundësi të rëndësishme për të kontribuar dhe për të bërë politika edhe për punësim, sepse krijohet një hapësirë shumë e madhe dhe do të kenë shumë më tepër resurse sesa deri tani, ku fragmentimi e bënte të pamundur të bëhej një politikë punësimi, një nxitje investimi në një zonë të caktuar.

Eni Vasili – Dakord. Ndoshta do të flasim sërish pastaj për punësimin si një nga tezat kryesore të qeverisjes “Rama” dhe nëse ju jeni të kënaqur me të do të thellohemi pak më tej, por qëndrojmë te zgjedhjet.

Eni Vasili – ….ishte i nevojshëm, pasi shifrat e zgjedhjeve të fundit janë favorizuese për koalicione të mëdha, pra, është një lloj frike kjo. Të paktën, analistët, komentatorët, thonë se një koalicion kaq i madh i duhet për të maksimizuar çdo votë.

Ilir Meta – Nuk ekziston asnjë lloj frike. Absolutisht! Të jeni e sigurt që koalicioni ynë nuk është i shtuar, për shkak të faktit se jemi në një garë mjaft rivalizuese, ku çdo votë ka rëndësinë e vet. Por në demokraci, edhe kur ndihesh shumë më i fortë se rivali, gjithmonë është vlerë kur tregon respekt maksimal edhe ndaj një vote të vetme, aq më tepër ndaj forcave të ndryshme politike, të cilat shpeshherë, nuk kanë edhe ndonjë vlerë shumë të madhe elektorale, por kanë një domethënie shumë të madhe.

Janë parti, që përfaqësojnë shtresa të caktuara, që përfaqësojnë minoritete dhe grupime të caktuara dhe, do të thosha, se është shprehje e një filozofie gjithëpërfshirëse shumë më tepër sesa e një nevoje jetike për të fituar zgjedhjet. Absolutisht, ne jemi shumë të qetë në këtë drejtim.

Eni Vasili – Bamir Topi, Nard Ndoka brenda këtij koalicioni, që duken aleanca jo natyrale…
Ilir Meta – Është një gjë shumë pozitive. Pastaj të mos harrojmë këto janë zgjedhje vendore, janë zgjedhje lokale. Kudo bashkëpunohet në nivel vendor, pa kufij ideologjik. Problemet e komunitetit nuk janë probleme kaq politike, sa i politizojnë.

Eni Vasili – Shpeshherë, zoti Rama ka bërë shaka komike për zotin Ndoka apo “shaka të tjera politike”, çka do të thotë akuza për Bamir Topin dhe kjo aleancë si duket po hap një aleancë jo natyrale dhe rikthehemi gjithmonë tek i njëjti diskutim.

Ilir Meta – Çdo aleancë në zgjedhjet e pushtetit vendor është më se natyrale, do të thosha.

Eni Vasili – Pse dhatë pëlqimin tuaj për Erion Veliajn në Tiranë, zoti Meta? A kishte emra të tjerë që mbështeste bazën socialiste?

Ilir Meta – Unë nuk mund të flas në emër të bazës socialiste. Ky është një proces i Partisë Socialiste. Ne kemi qenë të hapur për çdo kandidat me vlera
të Partisë Socialiste.

Zoti Veliaj ishte një prej tyre. Ka qenë një ministër shumë i suksesshëm, në vlerësimin tim, në shumë drejtime. Ka hedhur themele të rëndësishme për herë të parë të një politike, e cila synon të orientojë të rinjtë drejt tregut të punës, ndryshe nga deri tani, duke sjellë mjaft elemente të reja, që kanë të bëjnë me edukimin në formimin profesional.

Absolutisht, ka bërë përpjekje të mëdha për të rritur fondin për punësimin, që është shumëfishuar në motivim të sipërmarrjeve, të cilat hapin vende të reja pune, sepse biznesi duhet nxitur, jo thjesht të fitojmë shumë, por ajo që është më e rëndësishme të investojmë shumë dhe të hapen shumë vende të reja pune. Ky është një interes i gjithë shoqërisë dhe i qeverisë, në mënyrë të veçantë, dhe absolutisht është njeri me energji dhe i përkushtuar…
Eni Vasili – Çfarë mendoni për garën e Tiranës, midis Veliajt dhe doktorit Kosova?

Ilir Meta – Tirana është një garë e hapur. Janë shumë kandidatë në garë. Pa dyshim, që është zoti Veliaj, është zoti Kosova, më pas kemi kandidatë të pavarur, zotin Bojaxhi, zotin Arben Tafaj, zotin Sazan Guri…
Eni Vasili – Tirana është bërë superqendër, tashmë, apo jo? Me këtë ndarje territoriale është bërë pothuajse gjysma e vendit.

Ilir Meta – Ndoshta mund të ketë edhe të tjera. Ky zgjerim ka qenë i domosdoshëm, sepse Tirana si bashki e vjetër i kishte venat tërësisht të ngushtuara. Kishte nevojë për tjetër hapësirë, për tjetër frymëmarrje.
Eni Vasili – A jeni gati për menaxhimin e këtyre supersipërfaqeve, zoti Meta?
Ilir Meta – Po, patjetër.

Eni Vasili – A janë gati menaxherët e kandiduar?
Ilir Meta – Unë them që edhe zgjedhja që është bërë është bërë në funksion të kësaj supersfide, le ta quajmë, dhe besoj se zoti Veliaj është njeriu i duhur në kohën e duhur për ta përballuar këtë sfidë. Natyrisht, jo i vetëm, sepse askush nuk mund ta përballojë një sfidë të tillë i vetëm, por me filozofinë që përfaqëson koalicioni ynë, jam i sigurt që ai do ta arrijë këtë gjë.
Eni Vasili – Ju kemi parë shpesh në Shkodër. Pse ky interes për Shkodrën, ndërsa kandidatja vjen nga Partia Socialiste?
Ilir Meta – Ka qenë insistimi im që marrëveshja Aleanca për Shqipërinë Europiane të firmosë në Shkodër, sepse ne mund ta firmosnim në Tiranë. Ishte shumë e thjeshtë edhe përpara datës kur e kemi firmosur, por unë insistova që ta firmosnim në Shkodër për të dhënë një mesazh të rëndësishëm jo thjesht për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë, sepse gjithmonë ka pasur një politikë të zotit Berisha për të stimuluar një ndarje krahinore në Shqipëri, dhe, kjo ka qenë e dëmshme dhe mbetet e dëmshme çdo nxitje e tillë dhe ushqim i çdo paragjykimi të tillë. Kështu që kjo përputhet me vlerat që ka Shkodra, sipas meje, në historinë e vendit tonë dhe me traditat e veçanta që ka Shkodra, për sa i takon edhe të majtës. Nuk e kam fjalën këtu për periudhën e sistemit komunist…

Eni Vasili – Pra, ka të bëjë me qytetin, jo me kandidaten?
Ilir Meta – Ka të bëjë me të gjithë historinë e Shkodrës dhe jo vetëm me qytetin, se bashkia nuk përfshin vetëm qytetin, dhe natyrisht ka të bëjë edhe me kandidaten, sepse mendoj se është gjetur kandidatja më përfaqësuese jo e të majtës, në këtë rast, do të thosha, e Aleancës për Shqipërinë Europiane, për bashkinë e re të Shkodrës; është një kandidate e jashtëzakonshme, me vlera të jashtëzakonshme. Është mjaft energjike, mjaft e re, por edhe shumë e suksesshme në jetën e saj. Në mos gaboj ka rreth 800 të punësuar në aktivitetin e saj.