Ilir Meta: Të fillojë menjëherë reforma zgjedhore

Ilir Meta: Të fillojë menjëherë reforma zgjedhore

Ilir Meta: Të fillojë menjëherë reforma zgjedhore bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it

Kryetari i LSI-së priti sot një delegacion ekspertësh të OSBE-ODIHR-it të kryesuar nga shefi i Misionit të Vëzhguesve për zgjedhjet vendore të 8-majit Jonathan Stonestreet

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti ditën e sotme një delegacion ekspertësh të OSBE-ODIHR-it të kryesuar nga shefi i Misionit të Vëzhguesve për zgjedhjet vendore të 8-majit Jonathan Stonestreet. Në këtë takim u shkëmbyen mendime lidhur me të ardhmen e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Në një prononcim për mediet menjëherë pas takimit kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se i ka shprehur z. Stonestreet angazhimin e LSI-së për të kontribuar në fillimin e menjëhershëm të reformës zgjedhore bazuar mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR-it si për zgjedhjet e fundit parlamentare të qershorit 2009 ashtu edhe për zgjedhjet vendore të 8 majit të këtij viti. “Ne besojmë se janë të gjitha mundësitë për të ecur shpejt përpara në një proces transparent në një proces gjithëpërfshirës jo vetëm të partive parlamentare por edhe të partive jo parlamentare të shoqërisë civile e të ekspertëve pasi është shumë e rëndësishme për të rritur më tej besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe tek vota e tyre për të realizuar një standard më të lartë transparence të reformës zgjedhore” tha ndër të tjera kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.

Konferenca e plotë për shtyp

Ishte një kënaqësi që takova delegacionin e ODIHR-it të drejtuar nga z. Stonestreet. Gjatë takimit ne shkëmbyem mendime lidhur me të ardhmen e proceseve zgjedhore në vendin tonë. Ne e kemi falënderuar z. Stonestreet për raportin me shume integritet dhe profesional të hartuar nga ekipi i vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit dhe njëkohësisht kemi shprehur angazhimin tonë për të kontribuar në fillimin e menjëhershëm të reformës zgjedhore bazuar mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR-it si për zgjedhjet e fundit parlamentare të qershorit 2009 ashtu edhe për zgjedhjet vendore të 8 majit të këtij viti. Ne besojmë se janë të gjitha mundësitë për të ecur shpejt përpara në një proces transparent në një proces gjithëpërfshirës jo vetëm të partive parlamentare por edhe të partive jo parlamentare të shoqërisë civile e të ekspertëve pasi është shumë e rëndësishme për të rritur më tej besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe tek vota e tyre për të realizuar një standard më të lartë transparence të reformës zgjedhore.

Z. Meta pak më parë ju keni deklaruar për nevojën e një Pakti Kombëtar për integrimin në Bashkimin Evropian ndërkohë që dy ministrat e Jashtëm italian dhe grek këtë gjë kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme. A shikoni ju shpresë tek klasa politike për arritjen e këtij pakti?

Dua të përshëndes vizitën e fundit të ministrave të Jashtëm të Italisë dhe Greqisë që tregon një vëmendje të veçantë jo vetëm të këtyre dy vendeve por të të  gjithë Bashkimit Evropian ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë. Mendoj se mendimet e shprehura prej tyre në fundi të fundit janë një tjetër apel që i bëhet klasës politike në vend për të lënë mënjanë retorikën dhe për të treguar me vepra dhe jo me fjalë vullnetin për të realizuar këto reforma të cilat do t’i jepnin Shqipërisë në pak javë statusin e vendit kandidat dhe njëkohësisht që do të çonin përpara edhe reformën zgjedhore e cila do të saktësonte çdo problem i cili mund të ketë qenë i debatueshëm deri tani. Jam i bindur se ekziston mundësia që këto reforma që këto mesazhe të forta e konkrete të jepen në ditët që vijnë dhe për këtë duhet një angazhim konkret. Askush nuk duhet të përpiqet që me fjalë të shprehet pro integrimi por praktikisht të përpiqet me vepra për të dëmtuar dhe zvarritur këtë proces i cili në fund të fundit nuk është një proces në interes të qeverisë por ky është një proces në interes të të gjithë qytetarëve shqiptare ashtu sikurse ishte edhe arritja e atyre reformave që mundësuan heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët.
 
A keni ju propozime konkrete për reformën zgjedhore?

Ne kemi shumë propozime të cila edhe më parë janë bërë dhe përsëri do t’i bëjmë në komisionet apo tryezat përkatëse por e para do të thosha është që të gjithë do të ulen në një tryezë pa asnjë paragjykim dhe së dyti kjo reformë elektorale duhet të jetë gjithëpërfshirëse duhet të jetë transparente dhe duhet të jetë e bazuar mbi disa principe të shëndetshme demokratike që rrisin besimin e qytetarëve tek rëndësia e votës së tyre për të ardhmen e tyre.

 

0x323031312d30392d3133 Meta-Jonathan Stonestreet.jpg 17:51)