Ilir Meta takon Komisionerin Evropian për Zgjerimin z. Stefan Fule

Ilir Meta takon Komisionerin Evropian për Zgjerimin z. Stefan Fule

ilirmeta-stefanfule26022013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta u prit në Bruksel nga Komisioneri Evropian për Politikën e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, z. Stefan Fule ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, me fokus të veçantë në avancimin sa më të shpejtë të axhendës evropiane të Shqipërisë, mbarëvajtjen e procesit të administrimit të zgjedhjeve dhe në rolin që Shqipëria luan në rajon.

Z. Meta dhe z. Fule ndanë bindjen e përbashkët se axhenda evropiane e Shqipërisë duhet të mbetet prioriteti kryesor i të gjitha forcave politike në vend, duke theksuar rëndësinë e rritjes së angazhimit politik të të gjitha palëve, dhe të realizimit të një proçesi elektoral të drejtë e të ndershëm.

Kreu i LSI z. Meta shprehu angazhimin e LSI për një politike konstruktive dhe bashkëpunuese në vend për të avancuar axhendën e integrimit para dhe pas zgjedhjeve, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në përfundim, z. Meta dhe z. Fule diskutuan mbi situatën në rajon. Z. Meta theksoi se Shqipëria ka luajtur gjithnjë një rol parësor konstruktiv rajonal dhe se politika e jashtme do të vazhdojë të kontribuojë në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.