15 Nov Ilir Meta: Statusi kandidat, bashkëpunim mes palëve është i domosdoshëm
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar ditën e sotme takime me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në Qarkun e Dibrës, konkretisht rrethet Mat dhe Bulqizë. Në këto takime z. Meta i ka bërë dhe një herë thirrje politikës shqiptare që të bashkëpunojë për përmbushjen e detyrimeve për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit.
Sipas tij për të marrë statusin e vendit kandidat është i domosdoshëm bashkëpunimi i palëve. Duke bërë thirrje që së bashku me qytetarët edhe klasa politike shqiptare duhet të punojë me përgjegjshmëri për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Europian, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi nga Mati dhe Bulqiza se interesi i vendit duhet të jetë prioriteti kryesor i të gjithëve.
Ndaj tha ai, dhjetori është një muaj kritik për Shqipërinë. Kjo sepse sipas tij pritet normalisht të merret një vendim nga vendet anëtare të BE-së për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat. “Prandaj jepen mesazhe bashkëpunimi për të mirën e Shqipërisë, se nuk mendoj se nuk ka ndonjë shqiptar që nuk e do vendin e tij dhe ndonjëri duhet të ndërgjegjësohet dhe duhet të punojë më mirë për ta ndihmuar vendin në aspiratat drejt integrimit europian. Zgjedhjet janë tepër të rëndësishme, sepse, pavarësisht se duhet të merret statusi, duhet të plotësohen tre rekomandimet, përsëri sikurse e kam thënë dhe në vende të tjera, bërja e zgjedhjeve sipas standardeve europiane do të jenë shumë të rëndësishme për hapjen e negociatave, për vazhdimin e tyre e kështu me radhë”, tha ndër të tjera z. Meta.