Ilir Meta: Rotacioni është bërë i domosdoshëm dhe i paevitueshëm, do ta zgjidhim me votën e 23 qershorit

Ilir Meta: Rotacioni është bërë i domosdoshëm dhe i paevitueshëm, do ta zgjidhim me votën e 23 qershorit

ilirmeta05042013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi sot në qytetin e Fierit një mbledhje me Kryesinë e LSI-së në këtë qytet. Në këtë takim z. Meta ishte i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, si dhe nga Zëvendëskryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili u prezantua edhe si kryesuesi i  fushatës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Fierit për zgjedhjet e 23 qershorit. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka deklaruar nga qyteti i Fierit se rotacioni në vend është bërë i domosdoshëm dhe i paevitueshëm. Sipas tij ky rotacion është i sigurt në zgjedhjet e 23 qershorit. Ai tha se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, një balancë të re pushtetesh për të përballuar problemet sociale të vendit. Z. Meta tha se duke dalë në opozitë LSI-ja ka marrë parasysh pasojat por ky është një vendim i logjikshëm në shërbim të komunitetit.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësoi aleancën me Partinë Socialiste si një bashkëpunim të natyrshëm dhe një aleancë solide. “Vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, ka nevojë për një balancë të re pushtetesh, ka nevojë për një realizëm shumë më të madh për të përballuar problemet e mëdha ekonomike, financiare dhe sociale. Por, angazhimi ynë në këtë marrëveshje të re nuk ka të bëjë thjesht me një perspektivë më të mirë për anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së. Ka të bëjë me garantimin e një të ardhmeje të sigurt evropiane të vendit tonë.

 

Një e ardhme, e cila ka qenë e cenuar nga zvarritja dhe nga stanjacioni që ka përjetuar procesi i integrimit evropian, ku siç vihet re nga dita në ditë një burim i madh i këtij ngërçi ka qenë dhe mbetet përqendrimi i pushteteve në duart e një force politike të vetme. Pra rotacioni është bërë i domosdoshëm, është bërë i paevitueshëm dhe është tashmë një emergjencë të cilën do ta zgjidhim të gjithë së bashku me votën e 23 qershorit”, – tha kreu i LSI-së, z. Meta.

Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend, pas largimit të koalicionit me PD, e cila solli dhe kërkesës e kësaj të fundit për largimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Muho, Meta vlerësoi se veprimi i mazhorancës është jashtë ligjit dhe antikushtetues. Ai u shpreh gjithashtu se veprimet e fundit në KQZ janë të turpshme. Nga qyteti i Fierit Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, preku edhe çështjen e largimeve nga puna të personave të caktuar që nuk kanë asnjë lloj funksioni drejtues vetëm për shkak të përkatësisë së tyre si anëtarë të LSI-së. Duke shprehur keqardhjen dhe duke e konsideruar si të padrejtë këtë lëvizje të Partisë Demokratike z. Meta premtoi se të gjithë ata të cilët po ndeshen me këtë hakmarrje politike do të jenë në vendin e tyre më 24 qershor. “Nuk mund të mos shprehë keqardhjen për largimet e padrejta të nëpunësve apo punonjësve të caktuar pas asnjë lloj funksioni drejtues thjesht në shenjë hakmarrjeje për shkak të përkatësisë së tyre si anëtar apo si simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Megjithatë është detyra ime dhe përgjegjësia ime që t’i siguroj të gjitha ata ë cilët po ndeshen me këto pasoja dhe me këtë hakmarrje primitive politike që më 24 qershor të gjithë do të kthehen atje ku kanë qenë”, tha ndër të tjera në mbledhjen e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim të Fierit, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.