Ilir Meta: Rigjallërimi i ekonomisë dhe vendet e reja të punës, thelbi i angazhimit dhe programit

Ilir Meta: Rigjallërimi i ekonomisë dhe vendet e reja të punës, thelbi i angazhimit dhe programit

ilirmeta21062013-2

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zgjodhi që ta përmbyllë fushatën me një vizitë në një fabrikë prodhimi dhe eksportimi këpucësh, konfeksioni, në kompaninë “Doniana SHPK”. Në këtë fabrikë janë të punësuara mbi 1200 gra dhe vajza. Në një prononcim për mediat e pranishmi, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se thelbi programit të LSI-së është rigjallërimi i ekonomisë dhe në veçanti orientimi drejt eksporteve. Sipas tij kjo është rruga më e shkurtër për të hapur vende të reja pune dhe që ato të jenë afatgjata. “Sot në ditën e fundit të fushatës elektorale unë zgjodha që të përfundoja të gjithë këtë fushatë me një vizitë në një nga sipërmarrjet më të suksesshme, që drejtohet nga një zonjë dhe njëkohësisht ku janë të punësuara me qindra gra dhe vajza, në një sipërmarrje e cila është mjaft e suksesshme edhe në drejtim të eksporteve. I gjithë thelbi i angazhimit dhe i programit tonë për të ardhmen është rigjallërimi i ekonomisë, ristrukturimi i saj e në mënyrë të veçantë orientimi drejt eksporteve si rruga më e sigurt për të pasur një ekonomi të shëndetshme, një ekonomi konkurruese që garanton vende të qëndrueshme, të sigurta e afatgjata të punës”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Z. Meta tha se LSI është e vendosur që të mbështesë sipërmarrjen, sidomos ato që punësojnë gra dhe vajza. Lideri i LSI-së dhe se programi i LSI-së do të vendosë themele të sigurta për rritje të qëndrueshme ekonomike. “Prandaj me këtë rast dua të konfirmoj edhe një herë tjetër vendosmërinë tonë për të ecur në programin tonë për të mbështetur sipërmarrjen shqiptare por edhe të huaj, për të mbështetur në mënyrë të veçantë të gjitha gratë dhe vajzat sipërmarrëse në Shqipëri me qëllim që të dyfishohet numri i të gjithë grave dhe vajzave që drejtojnë sot sipërmarrjet në vendin tonë brenda këtyre katër vite dhe njëkohësisht të arrijmë të punësojmë çdo grua, çdo vajzë, gjatë gjithë këtyre katër viteve përmes programit tonë për punësimin, që është në fakt edhe programi që do të zgjidhë shumë probleme sociale të cilat shqetësojnë familjet tona, familjet shqiptare. Njëkohësisht programi ynë do të vendosë themele të sigurta për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike”, tha ndër të tjera në vizitën e zhvilluar në fabrikën e prodhimit dhe të eksportimit të këpucëve, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.