05 Jul Ilir Meta priti Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) z. Ali Ahmeti
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta priti sot në selinë e partisë, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti.
Z. Meta dhe z. Ahmeti biseduan mbi zhvillimet pas-zgjedhore në Shqipëri dhe mbi situatën politike në Maqedoni, me fokus të drejtat e shqiptarëve të vendit fqinj.
Z. Ahmeti e uroi z. Meta për suksesin e arritur nga LSI gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit dhe shprehu bindjen se koalicioni i ri qeverisës do vazhdojë të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
Z. Meta e siguroi z. Ahmeti se vëmendja dhe përkrahja ndaj shqiptarëve të Maqedonisë do të jetë maksimale dhe se më 23 qershor janë hedhur hapa të rëndësishëm për të avancuar më shpejt edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, veçanërisht në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe.
Në këtë kuadër, z. Meta shprehu mbështetjen e plotë për proceset euro-atlantike dhe integruese të Maqedonisë dhe ndau bindjen me z. Ahmeti se zgjidhja sa më e shpejtë e çështjes së emrit të vendit përmes mbështetjes dhe strukturave ndërkombëtare, do të kontribuonte ndjeshëm jo vetëm në mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend, por edhe në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të gjithë rajonit.