04 Dec Ilir Meta priti Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore.
Z. Meta e falenderoi z. Moore për vizitën në Tiranë si dhe për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme që SHBA i jep Shqipërisë në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin e integrimit evropian.
Në këtë drejtim, z. Meta iu përgjigj interesimit të z. Moore për situatën politike në Shqipëri, duke nënvizuar zhgënjimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim me bllokimin artificial e të panevojshëm të prioriteteve të parealizuara që nevojiten për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Z. Jonathan Moore, pasi vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO, shprehu falenderimet e tij për mikpritjen që iu ofrua Sekretares së Shtetit znj. Hilari Klinton në Tiranë, si dhe rikonfirmoi dëshirën e SHBA për një ecuri më të shpejtë të reformave dhe për t’a parë Shqipërinë një ditë në Bashkimin Evropian, atje ku vendi i saj është.
Biseda mes z. Meta dhe z. Moore u përqendrua në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë me fokus zhvillimet e brendshme politike në vend, në përgatitjet për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm si dhe në politikën rajonale të vendit.
Z. Meta rikonfirmoi pozicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për një politikëbërje sa më konstruktive dhe të moderuar, brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të interesave primare të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se sfida kryesore e politikës shqiptare tashmë mbetet evitimi i retorikës konfliktuale dhe realizimi i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente në Qershor 2013.