Ilir Meta priti Ambasadorin e Norvegjisë z. Jan Braathu

Ilir Meta priti Ambasadorin e Norvegjisë z. Jan Braathu

ilirmeta04022013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Norvegjisë në Tiranë, Rezident në Prishtinë, z. Jan Braathu.

Z. Meta dhe Ambasadori Braathu diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.

Z. Meta, i shprehu Ambasadorit Braathu vlerësimin për vëmendjen e vazhdueshme që Norvegjia i kushton Shqipërisë dhe rajonit, duke theksuar nevojshmërinë për thellimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve.

Në drejtim të zhvillimeve të brendshme, z. Meta theksoi se konflikti i vazhdueshëm politik në vend e ka bllokuar avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe nënvizoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë rolin e saj moderues dhe pozitiv.

Gjithashtu, z. Meta u shpreh se pavarësisht disa zhvillimeve shqetësuese në rajon kohët e fundit, veçanërisht në Luginën e Preshevës, Shqipëria do të vazhdojë linjën e saj konstruktive dhe politikën e fqinjësisë së mirë.

Ambasadori Braathu, shprehu një vlerësim të veçantë për politikën e jashtme dhe rajonale të Shqipërisë, duke vënë në dukje se konstruktiviteti i Tiranës zyrtare ka patur një efekt stabilizues në vite në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, Ambasadori i Norvegjisë u shpreh se investitorët norvegjezë po tregojnë një interes në rritje ndaj potencialeve të Shqipërisë në fushat e energjisë dhe teknologjisë së informacionit, duke theksuar se suksesi i projektit TAP do të hapte rrugën për më tepër investime në vend e rajon.