12 Jul Ilir Meta priti Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar z. Nicholas Cannon
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri z. Nicholas Cannon.
Ambasadori Cannon e uroi z. Meta për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat konfirmuan pritshmëritë e larta që kanë shqiptarët për adresimin e shpejtë të sfidave madhore të vendit. Në këtë kuadër, Ambasadori Cannon vuri theksin tek vazhdimësia e punës në çështje prioritare bilaterale si lufta kundër krimit e korrupsionit, drejtësia, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi ekonomik.
Z. Meta pasi e falenderoi Ambasadorin për mbështetjen e veçantë që Britania e Madhe i jep Shqipërisë, dhe u shpreh se mbështetja në rritje ndaj LSI-së tregoi dëshirën e qytetarëve shqiptarë për të nxitur një ndryshim që vjen përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes.
Duke diskutuar mbi hapat që priten të ndërmerren, Z. Meta theksoi se për LSI është e rëndësishme që të sigurohet suksesi i menjëhershëm i prioriteteve të Qeverisë së re, duke treguar transparencë maksimale për të rritur besimin e shqiptarëve në mirë-funksionimin e shtetit.
Z. Meta dhe Ambasadori Cannon ndanë bindjen se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe duhet forcuar në mënyrë konkrete në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë bilateral, dhe veçanërisht në drejtim të procesit të integrimit evropian të vendit, i cili mbetet prioriteti kryesor për të gjithë shqiptarët.