17 Feb Ilir Meta priti Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Ettore Sequi
Ilir Meta priti Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Ettore Sequi
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Ettore Sequi me rastin e progres-raportit dhe rekomandimit të Komisionit Evropian për miratimin e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE.
Z. Meta e falenderoi Ambasadorin Sequi për punën e madhe të realizuar nga Delegacioni i BE-së në Tiranë si dhe për rolin e rëndësishëm të Komisionit Evropian në rekomandimin e tij për dhënien e statusit të vendit kandidat. Z. Meta shprehu një vlerësim të veçantë edhe për kontributin personal të z. Sequi dhe ekipit të tij në Tiranë në mbështetje të avancimit të axhendës evropiane të Shqipërisë.
Z. Meta u shpreh se pavarësisht se kjo arritje e Shqipërisë ishte e vonuar ky është një moment pozitiv për integrimin evropian të Shqipërisë dhe se e gjithë energjia gjatë javëve në vazhdim duhet përqendruar në plotësimin e kërkesave të mbetura në mënyrë që vendet anëtare të miratojnë statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti.
Ambasadori Sequi shprehu kënaqësinë e tij për rekomandimin pozitiv nga ana e Komisionit Evropian duke theksuar se çështjet e mbetura duhet të adresohen me urgjencë maksimale për të mundësuar konfirmimin e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti.
Në këtë drejtim z. Sequi shprehu një vlerësim të veçantë për rolin e z. Meta dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në nxitjen e bashkëpunimit politik mes palëve si dhe për përqendrimin në prioritetet e Bashkimit Evropian duke shtuar njëkohësisht se ky rol mbetet i rëndësishëm gjatë javëve dhe muajve në vazhdim.
Në përfundim të takimit z. Meta dhe z. Sequi dhanë një prononcim për shtyp:
Kryetari i LSI-së Ilir Meta: Ishte kënaqësi e veçantë për mua të prisja sot ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë z. Ettore Sequi që të shkëmbenim disa mendime më tej lidhur me Progres-Raportin e fundit ndaj vendit tonë dhe në mënyrë të veçantë lidhur me ecurinë e mëtejshme të rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për statusin kandidat për vendin tonë i cili natyrisht që është një proces që do të vazhdojë dhe pavarësisht nga arritjet pozitive të përmendura edhe në Progres- Raport lidhur me zhvillimet e vitit të fundit progres i realizuar në bazë të një bashkëpunimi dhe të një konsensusi që duhet të vazhdojë. Kemi ende disa çështje të tjera në mënyrë të veçantë të theksuara janë tre prej tyre përmbushja e të cilave do të çojë më tej këtë projekt të rëndësishëm të përbashkët të Shqipërisë dhe të Bashkimit Europian për marrjen përfundimtare të statusit të vendit kandidat por edhe më tej për hapjen e negociatave dhe për të vazhduar procesin e anëtarësimit të vendit në këtë union gjë që është dhe objektivi kryesor i gjithë shqiptarëve edhe i gjithë forcave politike këtu e natyrisht në mënyrë të veçantë edhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha forcat politike në Parlament dhe jashtë Parlamentit me të gjitha aktorët e tjerë të rëndësishëm në këtë proces ku shoqëria civile dhe media kanë një rol të veçantë për të luajtur dhe në të ardhmen. Natyrisht në do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë edhe me delegacionin e Bashkimit Europian këtu me të gjithë përfaqësuesit e vendeve partnere të Bashkimit Europian edhe më të gjitha strukturat në Bruksel që nga Komisioni Europian Parlamenti Europian pasi të gjithë së bashku kemi një objektiv të përbashkët që Shqipëria të bëhet sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian dhe njëkohësisht që Shqipëria të jetë sa më shpejt pjesë e këtij projekti të përbashkët.
Ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi: Jam tërësisht dakord me fjalët që tha z. Meta. Përmbushja e reformave të nevojshme në mënyrë që Këshilli Europian ta pranojë rekomandimin që ka bërë Komisioni Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është e mundshme. Është e domosdoshme që të punohet më tej duke u bazuar te këto arritje të cilat janë bërë tashmë të njohura në raportin e progresit të Komisionit Europian. Këto arritje kanë qenë të mundura nëpërmjet dialogut dhe frymës së kompromisit. Ky është interesi më i mirë i Shqipërisë për sa i përket rrugëtimit të saj për projektin e integrimit në Bashkimin Europian.
Unë e kam falënderuar z. Meta për rolin që ai ka luajtur në këtë proces por po ashtu edhe për rolin që do të vazhdojë të luajë për këtë proces për të arritur këtë qëllim. Tani është tepër e domosdoshme që të fillohet me miratimin dhe më pas edhe me zbatimin atyre reformave që janë tepër të rëndësishme në mënyrë që në muajin dhjetor të kemi mundësi që t’i japim shteteve anëtare argumente bindëse. Kjo është e mundur është diçka që bëhet arrihet por që për këtë edhe njëherë kërkohet vullneti angazhimi fryma e kompromisit dhe dialogu.
0x323031322d31302d3135 JudiZ20121012100331_12101205.jpg 12:21)