16 Mar Ilir Meta prezanton kandidatin për deputet në Dibër, apel partive për tre ligjet
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë sot në një takim mjaft entuziast të zhvilluar me qindra gra dhe vajza të Lëvizjes së Gruas për Integrim nga Rrethi i Matit. Në fjalën e tij përshëndetëse z. Meta duke i falënderoi të gjithë për punën e deritanishme dhe për angazhimin dhe përkushtimin e tyre deklaroi se LSI do të ketë përfaqësimin e duhur në Parlamentin e ardhshëm nga Qarku i Dibrës. Sipas tij fryma e solidaritetit dhe e bashkëpunimit që është në Mat është një frymë që e karakterizon LSI-në në të gjithë Shqipërinë. “Këtu roli i Matit është i jashtëzakonshëm dhe unë kam besim të plotë sepse ju e keni treguar veten edhe në vitin 2009 në kushte shumë më të vështira.
Tani është radha e Dibrës dhe e Bulqizës ta tregojnë veten në kushte më të mira. Një falënderim i veçantë i shkon Agim Hysës sepse ai nuk është thjesht një individ, nuk është thjesht një kryetar por Agim Hysa është një fenomen. Përfaqëson një fenomen të mrekullueshëm, në thelb socialist i përjetshëm, sepse është një njeri tepër bashkëpunues, tepër solidar, një njeri që gjithçka e bazon tek fryma e bashkëpunimit me shokët, me kolegët, me bashkëpunëtorët Një njeri i cili vë në plan në parë punën e të gjithëve dhe që punon për këtë frymë bashkëpunimi. Një njeri që mbështet me bindje të plotë edhe LGI-në e Matit dhe është kjo frymë që na duhet kudo në të gjithë Shqipërinë për të pasur struktura të qëndrueshme të cila punojnë vazhdimisht për të dëgjuar dhe respektuar mendimin e anëtarëve dhe anëtareve të thjeshta sepse shqetësimit e tyre janë dhe duhet të jenë gjithmonë angazhimi ynë kryesor për t’i dhënë përgjigje dhe për t’i zgjidhur. Ndaj ne si LSI mbështetemi fort tek fryma e bashkëpunimit dhe solidaritetit dhe kjo do të jetë ajo që do të na ndihmojë më shumë për të realizuar një sukses të jashtëzakonshëm më 23 qershor”, tha Lideri i LSI-së.
Z. Meta dhe se ajo që i mungon sot politikës shqiptare është pikërisht fryma e bashkëpunimit edhe brenda forumeve apo brenda strukturave dhe një raport funksional midis drejtuesve dhe anëtarëve. “Ne jemi krenarë për demokracinë që kemi zhvilluar brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, në LSI kushdo mund të kandidojë dhe të shprehë mendimet e tij dhe jo vetëm që nuk rrezikon të përjashtohet por përkundrazi do të jetë gjithmonë i vlerësuar sepse për ne mendimi alternativ nuk është armiqësor por është një përshpejtues i të gjitha reformave dhe angazhimeve që duhet të bëjmë. Kjo në mënyrë që të jemi gjithmonë një forcë politike që sjell pa u lodhur risi dhe energji në politikën e vendit dhe mbi të gjithë që e ndihmon Shqipërinë që të ecë më shpejt drejt zhvillimit dhe integrimit evropian”, vijoi ai.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se LSI është krenare për barazinë gjinore që ka vendosur brenda strukturave të saj. “Ne jemi krenarë që jemi e para forcë politike që ka vendosur vetëm pak muaj më parë, në konventën tonë të tetorit, barazinë gjinore 50% me 50% në të gjitha forumet tona. Kjo është plotësisht e realizueshme këtu në Mat. Madje kjo pjesëmarrje e jashtëzakonshme mund të na çojë dhe të marrim ndonjë vendim për të mbrojtur edhe përfaqësimin e burrave këtu në Mat. Unë besoj shumë tek fuqia e vajzave dhe grave të Matit dhe të gjithë Shqipëria, tek angazhimi dhe përkushtimi i tyre i jashtëzakonshëm. Ne kemi shoqe të mrekullueshme siç është Luti dhe janë shumë të tjera këtu dhe kanë qenë që nga themelimi i LSI-së, që kanë qenë mjaft të qëndrueshme në momente tepër të vështira dhe që kanë treguar vlerat më të mira të gruas matjane. Gratë kanë një avantazh në krahasim me burrat sepse janë më të qëndrueshme dhe janë më të vendosura kur të japin fjalën”, u shpreh ai.
Z. Meta u shpreh se duhet bërë më shumë për fuqizimin ekonomik dhe shoqëror të gruas në Mat dhe në të gjithë vendin sepse kjo në fakt e përmirëson pozitën e tyre sociale në familje dhe në shoqëri. “Ne jemi krenarë që shumë nga angazhimet tona në Planin për Veprim i kemi mbajtur. Shumë lehtësira u realizuan për sa i takon zhvillimit të biznesit fason ku janë mbi 130 mijë gra dhe vajza në të gjithë Shqipërinë të punësuara. Ne besojmë se është e rëndësishme të stimulohen këto lloj aktivitetesh në zona të tilla ku impakti i tyre do të ishte shumë më i madh se sa në qendrat e mëdha urbane ashtu sikurse stimulimi i grave fermere është mjaft i rëndësishëm për tu dhënë të gjithave një mundësi që të ecim më shpejt, të ndihmojmë familjet e tyre, fëmijët e tyre dhe unë jam i bindur se ne këtë gjë do ta bëjmë më mirë në katër vitet që vijnë, jo se na ka munguar dëshira në këto katër vite por do të jemi shumë më të fuqishëm në Parlamentin e ardhshëm dhe në qeverisjen e ardhshme se sa jemi sot, do të jemi shumë më tepër vendimmarrës dhe do të kemi mundësi të imponojmë politika edhe më të rëndësishme, me impakt të thellë ekonomik e social, edhe në zonat të tilla të thella sikurse është Mati”, tha z. Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se këto vite LSI u konfirmua si forcë e stabilitetit, si forcë e bashkëpunimit, si forcë e integrimit. “Ne jemi krenarë për mbajtjen e premtimit për liberalizimin e vizave, gjë që u arrit në një kohë rekord nga e cila përfituan të gjithë shqiptarët. Ne jemi të keqardhur për stanjacionin që po përjeton procesi i integrimit evropian të vendit, vetëm për shkak të mungesës së bashkëpunimit politik dhe miratimit të tre ligjeve që kërkohen me kohë nga Bashkimi Evropian por edhe nga shqiptarët. Ne nuk kemi në dorë të ndryshojmë dot të tjerët por ne kemi plotësisht në dorë që të vazhdojmë të sillemi me përgjegjshmëri të plotë, të kontribuojmë në mënyrë konstruktive në jetën politike të vendit, të theksojmë gjithnjë e më shumë rëndësinë e bashkëpunimit sepse edhe në një familje po nuk bashkëpunuan pjesëtarët e saj nuk mund të eci përpara. Natyrisht Kështu ndodh edhe ne një komunitet, kështu ndodh edhe me një vend. Ndaj edhe vota e 23 qershorit mendoj se do të jetë një vlerësim i merituar për të gjithë kontributet pozitive që ka sjell Lëvizja Socialiste për Integrim në jetën politike të vendit, do të jetë një kontribut i merituar, një vlerësim i merituar, për angazhimin e LSI-së së Matit, për angazhimin e LGI-së së Matit, për të gjithë ato përpjekje që ju keni bërë për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të ndihmuar komunitetin, dhe ky shpirt solidariteti premton shumë më tepër për katër vitet që vijnë. Ndaj unë jam i bindur që edhe më shumë do të shtohen radhët tuaja dhe të LSI-së dhe vlerësimi do të jetë i jashtëzakonshëm”, tha Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Duke përfunduar z. Meta shprehu dhe një herë mbështetjen për drejtuesin e listës së kandidatëve të LSI-së për Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, duke u shprehur i bindur se rezultati në 23 qershor do të jetë i paparë edhe në Mat por edhe në të gjithë Shqipërinë. “Dua të shpreh kënaqësinë time dhe mbështetjen më të madhe për Përparimin, si drejtues i listës së kandidatëve tanë për Qarkun e Dibrës. Për
parimi është një shok shumë i mirë, të cilin e kam pasur shok në shkollë, pavarësisht se ai duket më i ri se unë se i ka hyrë politikës vonë. Unë i uroj atij me gjithë shpirt suksese, e siguroj që bastin për të konkurruar me Matin e ka të humbur por i urojmë që t’i afrohet sa më shumë Matit. Ai e di që unë jam krejtësisht i paanshëm sepse unë jam dhëndër në Dibër nuk jam në Mat por e vërteta është kjo që LSI-ja e Matit nuk është krijuar në një ditë apo në një muaj, këtu ka më shumë se tetë vite që punohet, që është derdhur një angazhim, një djersë dhe një sakrificë e jashtëzakonshme . Natyrisht presim të korra të mbara më 23 qershor.
Mundi i juaj dhe i të gjithë neve do të shpërblehet. Ne pa asnjë diskutim do të kemi deputetin tonë të LSI-së nga Qarku i Dibrës. Dibra dhe Mati do të kenë një përfaqësim shumë të ndjeshëm në qeverisjen e ardhshme sepse për ne politika është përfaqësim në bazë të meritave dhe të kontributeve. Dua të shpreh besimin tim se rezultati në 23 qershor do të jetë i paparë sepse unë këtë e ndjej jo vetëm këtu në Mat por kudo në të gjithë Shqipërinë, sepse të gjithë e kanë të qartë se LSI është një forcë e të sotmes por mbi të gjitha është një forcë e të ardhmes, se vetëm në bazë të filozofisë së LSI, të filozofisë së bashkëpunimit dhe të integrimit Shqipëria mund të eci më shpejt përpara në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit evropian. Ne kemi besim të plotë në mënyrë të veçantë tek gratë dhe vajzat e gjithë Shqipërisë, në veçanti tek ju gratë, nënat dhe vajzat e Matit, sepse mbështetja juaj për ne do të thotë shumë dhe ne këtë mbështetje do tua kthejmë me një përkrahje shumë të madhe dhe konkrete në katër vitet që vijnë. Rrofshin gratë, vajzat dhe nënat e Matit”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar me gratë dhe vajzat e Matit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.