Ilir Meta pret Kryeministrin e Republikës sė Kosovës z. Hashim Thaçi

Ilir Meta pret Kryeministrin e Republikës sė Kosovës z. Hashim Thaçi

ilirmeta07092013-1

“Është kënaqësi të jem përpara jush së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës që ai po bën sot në Tiranë. Është gjithmonë kënaqësi që të takohem me z. Thaçi për të ndarë vizione dhe angazhime të përbashkëtat cilat ndihmojnë më tej forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, fuqizimin e rolit të shqiptarëve si faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe integrimi në të gjithë rajonin tonë. Njëkohësisht për të diskutuar edhe lidhur me perspektivat e shpejta dhe afatgjata të konkretizimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha nivelet. Sikurse dihet këto ditë do të ketë konstituim të Parlamentit të ri, konstituim ose më saktë votëbesim të qeverisë së re, të Kryeministrit të ri dhe në këtë drejtim unë dua të shpreh vendosmërinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të vijuar kontributin e saj për forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe njëkohësisht për konkretizimin e perspektivës sonë të përbashkët evropiane.

Besojmë shumë në kapacitetin e qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve të Kosovës. Besojmë shumë në energjitë pozitive të shqiptarëve në të dy vendet dhe në të gjithë rajonin tonë dhe besojmë se me këto vizione evropiane dhe me këto përgjegjësi të fituara edhe falë përvojave të deritanishme do të arrijmë të ecim më shpejt drejt përmbushjes së aspiratave të të gjithë Shqiptarëve drejt një stadi të ri të marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, drejt një stadi të ri të marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian, drejt konsolidimit të mëtejshëm të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës por njëkohësisht edhe çuar më përpara të drejtat e shqiptarëve në të gjithë rajonin tonë sepse kudo ku janë shqiptarët punojnë për perspektivën e përbashkët evropiane. Ndaj edhe një herë duke falënderuar z. Thaçi për vizitën dhe mesazhet e tij dua ta siguroj se LSI, si pjesë e rëndësishme e mazhorancës së re, do të bëjë gjithçka në funksion të këtyre qëllimeve të përbashkëta që përmenda edhe më parë.

Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi

Faleminderit shumë i nderuari kryetar Ilir Meta. Për mua është një kënaqësi e veçantë të takohem sot me mikun tim, kryetarin e LSI-së, z. Meta. Tani po mbushen gati 20 vite të bashkëpunimit tonë në kuadër të përgjegjësive që kemi pasur edhe më herët. Prandaj sa herë që takohem me z. Meta takohem me mikun tim, takohem në nivele edhe vëllazërore, mund të them edhe në nivel të miqve apo bashkëluftëtarëve të betejave për çlirimin e Kosovës. Kjo sepse z. Meta ka pasur përgjegjësi institucionale në kohën e luftës dhe i jam shumë mirënjohës për kontributin e tij edhe personal, për angazhimin e tij edhe personal, të pakursyer dhe të jashtëzakonshëm edhe në vitet 98-99, edhe para tyre, në mbështetje të përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Do e theksoj edhe sot roli i z. Meta për lirinë e Kosovës është historik, është i çmueshëm dhe respektohet edhe prej institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. U shpreh mirënjohjen z. Meta.

Nga ana tjetër sot jam këtu edhe për të uruar z. Meta për suksesin historik në zgjedhjet e 23 qershorit që shënoi forca politike, LSI, si forcë integruese evropiane e vullnetit të qytetarëve të Shqipërisë, e vullnetit për ndryshim, e vullnetit dhe përgjegjësive për qeverisje evropiane dhe çmoj shumë kontributin rolin dhe angazhimin e kryetarit të LSI-së, ish-kryeministrit z. Meta, për rolin e tij ekuilibrues në skenën politike të Shqipërisë për vizionin e tij dhe qëllimin e tij për Shqipërinë evropiane, që i ka dhënë fuqi këtij vizioni, fuqi udhëheqëse apo bashkëudhëheqëse.

Për rolin dhe maturinë e jashtëzakonshme që ka treguar LSI-ja në veçanti kryetari i saj, z. Meta dhe gjithë ato angazhime dinamike të skenës politike në Shqipëri për të kaluar tranzicionin demokratik me sukses të plotë. Prandaj unë si Kryeministri i Republikë së Kosovës e uroj z. Meta për sukseset e arritura, i uroj në të njëjtën kohë marrjen e përgjegjësive të reja, për aq sa jemi të informuar, si kryetari i ardhshëm i Parlamentit të Shqipërisë. Ne presim shumë shpejt që z. Meta të vizitojë edhe Republikën e Kosovës. Urimet më të mira, mbështetjen do ta keni të plotë, presim një bashkëpunim shumë të ngushtë, vëllazëror miqësor dhe institucional.

I nderuari z. Meta, iu uroj juve, iu uroj të gjithë zyrtarët e LSI-së, i uroj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së për besimin që kanë ndërtuar ndaj jush personalisht, me vizionin dhe qëllimin tuaj për Shqipërinë evropiane. Shqipëria evropiane është mesazh edhe për Kosovën që do të afrohet më shpejt drejt perspektivës në NATO dhe Bashkimin Evropian. Prandaj do të bashkëpunojmë edhe si qeveri edhe si parlament, por edhe si partnerë.

Z. Ilir Meta

E falënderoj edhe një herë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi për fjalët mjaft pozitive në adresë të LSI-së dhe të rolit të saj konstruktiv në politikën tonë për angazhimi tonë për të forcuar më tej marrëdhëniet me Kosovën dhe besoj absolutisht është një rastësi që z. Thaçi ka zgjedhur datën 6 shtator, por kjo është edhe dita e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Dhe unë me këtë rast meqenëse jemi para kamerave dua të falënderoj të gjithë anëtarët simpatizantët themeluesit e LSI-së për këtë ditë të shënuar, dua t’u uroj të gjithë atyre suksese dhe njëkohësisht dua t’i uroj shumë suksese Kryeministrit Thaçi në përpjekjet e tij për të rritur impaktin e Kosovës si faktor stabiliteti në të gjithë rajonin sidomos përmes dialogut mjaft të guximshëm dhe të vështirë edhe me Serbinë, duke zbatuar porositë e Presidentit Klinton, që ata që bënë luftën duhet të bëjnë edhe paqen. Mendoj që Kosova po ecën në rrugën e sigurt të forcimit të paqes si dhe të jetë baza e suksesit të saj si një vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian. Faleminderit.