Ilir Meta: Politika duhet të ndërtoj ura bashkëpunimi dhe jo mure ndarëse

Ilir Meta: Politika duhet të ndërtoj ura bashkëpunimi dhe jo mure ndarëse

metatakimibofshaardhmeeuropiane

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me strukturat, anëtarëtdhe simpatizantët e saj në Komunën e Libofshës. Në këtë takim ka qenë i pranishëm Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, si dhe Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, Spartak Braho.

Në fjalën e tij, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke i falënderuar të gjithë të pranishmit për punën e jashtëzakonshme të bërë dëri më tani u shpreh se është e rëndësishëm të punohet për ta forcuar më tej LSI-në pasi sipas tij forcimi i LSI-së e bën politikën shqiptare më të përgjegjshme, e bën politikën shqiptare më të arsyeshme. “Duke ju falënderuar të gjithë juve për punën dhe organizimin tuaj të jashtëzakonshëm, unë dua të shpreh kënaqësinë që jam përsëri këtu në Libofshë së bashku edhe me shumë kolegë të nderuar, z. Luan Rama, Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së. Profesor Edmond Panaritin, ministrin e Punëve të Jashtme, Kryetarin e LSI-së së Fierit, Robert Bitrin. Ne sot kemi nisur takimet pas 100-vjetorit të Pavarësisë dhe me këtë rast dua t’ju uroj të gjithëve juve për 100-vjetorin, t’ju uroj juve edhe për 29 Nëntorin, ditën e çlirimit. Besoj se është e rëndësishëm të punojmë për ta forcuar më tej LSI-në në Libofshë, në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë.

Forcimi i LSI-së e bën politikën shqiptare më të përgjegjshme, e bën politikën shqiptare më të arsyeshme, e bën më normale, e bën më tokësore, e bën më njerëzore. Fryma e konfliktit pa arsye, fryma e bllokimeve për kokëfortësi të njërit apo të tjetrit e pengon Shqipërinë të ecë më shpejt dhe pengon gjithë shqiptarët të jetojnë edhe më mirë. Ndaj LSI gjatë gjithë kësaj kohe është përpjekur të kontribuojë në maksimum për ç’tensionimin e situatës politike në vend, për të shtyrë përpara bashkëpunimin për disa procese të rëndësishme, për të shtyrë para reformat që kërkohen për integrimin evropian.

Prandaj ne e kemi këtë detyra ta forcojmë këtë forcë politike. Dhe ne këtë gjë po bëjmë. Ishim në Patos ku u pranuan edhe 125 anëtarë të rinj të LSI-së. Jemi sot këtu në Libofshë për tu takuar me të gjithë ju dhe për të mbështetur më shumë njëri-tjetrin”, tha z. Meta. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se LSI ka për mision të kontribuojë për një të ardhme evropiane të Shqipërisë edhe të shqiptarëve. “Natyrisht që zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë shumë të rëndësishme sepse pushteti vendoset një herë në katër vite dhe vendoset me votë. Ndaj dhe ne jemi këtu me bindjen se në 2013-n LSI do të jetë akoma më e votuar në të gjithë Shqipërinë dhe jam i bindur edhe në Komunën e Libofshës dhe në të gjithë qarkun e Fierit. LSI është forca e 100 viteve që do të vijnë, forca e së ardhmes dhe jo e së shkuarës.

Ne kemi treguar se e njohim historinë më mirë nga cilido. Nuk kemi frikë t’i japim meritën dhe hakun gjithsecilit, qoftë edhe Enver Hoxhës për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare apo për arritje të tjera.

Megjithatë ne nuk jemi forcë e specializuar për historinë e së kaluarës. Ne jemi forcë e cila ka për mision të kontribuojë për një të ardhme evropiane të Shqipërisë edhe të shqiptarëve. Jemi një forcë që duam t’i krijojmë mundësi të gjithë atyre që e duan politikën për të zgjidhur problemet e tyre dhe nuk e duan politikën si një pengesë për të përmirësuar jetën e tyre.

E duam politikën si një mundësi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe jo si një nxitëse të konfliktit midis qytetarëve, midis shqiptarëve. Jemi një forcë që di të mbrojë interesat e shqiptarëve dhe dinjitetin kombëtar. Jemi një forcë e cila njëkohësisht di të bashkëpunojë me të gjithë. Ne kemi bashkëpunuar me Partinë Socialiste në 2007-n kur ishin zgjedhjet vendore pavarësisht se ata nuk i qëndruar marrëveshjes pasi fituan Bashkinë e Tiranës.

Ne kemi bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe i kemi qëndruar marrëveshjeve që kemi bërë, për shkak të rezultatit të vitit 2009 i cili impononte vetëm këtë bashkëpunim që LSI të kontribuonte për stabilitetin e vendit dhe kemi bërë jo pak punë gjatë këtyre viteve. Liberalizimi i vizave ka qenë një ndër arritjet më të mëdha.

Sot për fat të keq Shqipëria shënon vitin e tretë që nuk merr statusin e vendit kandidat, duhet ta merrte që para tre viteve. Pengesë ka qenë dialogu politik, ka qenë konsensusi, ka qenë vullneti për të miratuar tre ligje”, vijoi ai. Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se është një gabim i madh që për interesa të ngushta vendosen barrikada në një proces që u intereson të gjithë shqiptarëve pa asnjë dallim. “Megjithatë pavarësisht nga të gjitha këto ne prapë jemi të bindur që politika do të detyrohet të shkojë drejt bashkëpunimit dhe kjo do të përcaktohet me votën e qytetarëve shqiptarë të cilët duan një politikë konstruktivë, një politikë që ndërton dhe jo që prish, një politikë që ndërton ura dhe që nuk ndërton mure ndarëse dhe konfliktuale. Këtë politikë sot më shumë se kushdo e përfaqëson Lëvizja Socialiste për Integrim. Shumë prej jush kanë qenë besoj pjesëmarrës edhe në konventën e LSI-së, të tjerët e kanë ndjekur përmes ekranit, e cila tregoi edhe fuqinë e LSI-së, edhe organizimin e saj gjithnjë në rritje, tregoi vendosmërinë e saj për të qenë forcë përcaktuese akoma më shumë në të ardhmen. Zgjedhjet e fundit vendore treguan një rritje të përkrahjes së LSI-së në të gjithë vendin, me 40 mijë votë më shumë, sidomos në Kryeqytet ku LSI u rrit më shumë se sa mesatarja në shkallë vendi”, tha ndër të tjera në fjalën e tij z. Meta.