Ilir Meta: Poli i tretë nuk do të lejonte mazhoaranca arrogante

Ilir Meta: Poli i tretë nuk do të lejonte mazhoaranca arrogante

ilirmeta108022013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një intervistë të dhënë për televizionin “Top Channel”, ka deklaruar se ideja e një poli të tretë është një ide e cila nuk do të lejonte që të kishim një mazhorancë arrogante. Sipas tij duhet të ketë një ekuilibër në mazhorancën e ardhshme.“Ideja e një poli të tretë apo të qendrës, në thelbin e saj është ideja e mospasjes së një mazhorance të plotë nga një forcë e vetme për arsye se eksperiencat e kanë treguar që mazhoranca të tilla sillen me një arrogancë dhe për të frenuar këtë sjellje është e rëndësishme të ketë një ekuilibër në çdo mazhorancë të ardhshme, e cila do të jetë edhe baza e një bashkëpunimi më të përgjithshëm edhe në Parlament, edhe në tërësi në të gjithë sistemin e qeverisjes së vendit”, tha z. Meta. Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është shprehur se LSI do të bëjë koalicion për zgjedhjet e ardhshme vetëm me ato forca politike që janë progresiste, konstruktive dhe bashkëpunuese.

“Për ne ekzistenca në qeveri nuk është e lidhur domosdoshmërisht me ekzistencën e LSI-së. Përkundrazi! Sepse LSI është krijuar si forcë opozitare dhe duke u distancuar nga qeverisja e asaj periudhe. Për ne është më e rëndësishme që kjo forcë politike t’i shërbejë stabilitetit të vendit, një klime më konstruktive dhe më pozitive, më bashkëpunuese dhe njëkohësisht t’i shërbejë përshpejtimit të atyre reformave që i japin Shqipërisë më shpejt statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian por, edhe e ndihmojnë për të përmirësuar situatën ekonomike në vend”, ka thënë z. Meta. I pyetur në lidhje nëse e përjashton apo jo ndonjë forcë politike për bashkëpunim në zgjedhje z. Meta është përgjigjur se “Duke qenë partizan i një politike pozitive edhe konstruktive, nuk do të preferoja të shprehesha në mënyrë mohuese se me kë nuk do të bëjmë, por në mënyrë pohuese, që do të bëjmë me të gjitha ato forca, të cilat japin mesazhe progresiste, konstruktive dhe bashkëpunuese”.