07 Mar Ilir Meta: Partia e Lirisë përshëndet qëndrimin e Partisë Popullore Europiane dhe ndan të njëjtat vlerësime serioze për rrëshqitjet e vendit nga binarët e demokracisë dhe të kushtetueshmërisë
Rezoluta e miratuar nga Partia Popullore Europiane, forca kryesore që drejton sot institucionet europiane, shpreh qartë shqetësimet themelore të Partisë së Lirisë dhe të opozitës, duke konfirmuar jo vetëm drejtësinë e qëndrimeve tona politike, por edhe të betejës së përbashkët me qytetarët kundër Narkoshtetit, i cili ka dhunuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ka rrëmbyer Kuvendin, ka kapur në mënyrë mafioze Drejtësinë, ka asgjësuar sistemin e kontrollit, të balancave si dhe llogaridhënien në çdo nivel në të gjithë vendin.
Partia e Lirisë përshëndet qëndrimin e Partisë Popullore Europiane dhe ndan të njëjtat vlerësime serioze për rrëshqitjet e vendit nga binarët e demokracisë dhe të kushtetueshmërisë
Partia e Lirisë i bashkohet thirrjes së forcës kryesore politike në Parlamentin Europian për zbatimin e shpejtë të të drejtave parlamentare dhe kushtetuese të opozitës në Shqipëri, duke përfshirë funksionin e saj themelor për të mbajtur ekzekutivin përgjegjës përmes funksionimit normal të Parlamentit.
Ndajmë të njëjtin qëndrim me PPE se neglizhimi i shtetit të së drejtës, i të drejtave themelore të njeriut dhe lirisë së medias, si dhe korrupsioni i përhapur dhe mungesa e ndarjes së pushteteve, po minojnë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Partia e Lirisë, ashtu siç theksohet edhe në rezolutën e PPE, dënon ashpër veprimet e Qeverisë shqiptare kundër kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, ndërhyrjen e saj të drejtpërdrejtë për t’i mohuar të drejtën kushtetuese për t’u betuar, ndikimin flagrant tek Drejtësia dhe ajo që është më e rënda, burgimin e tij politik, që bien ndesh me vlerat e familjes europiane ku synojmë të aderojmë.
Çështja “Beleri” është një problem thelbësor dhe skandaloz në radhë të parë i vetë mungesës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Çështja “Beleri” është treguesi më flagrant i kapjes dhe i përdorimit kriminal të shtetit dhe sidomos të Drejtësisë nga Kryeministri dhe nga Qeveria, që nga policia, prokuroria, gjykatat dhe çdo element tjetër.
Ndaj e përkrahim vlerësimin e PPE se kjo çështje evidenton qartësisht problemet serioze të zbatimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe refuzimit të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Shprehim gjithashtu të njëjtin qëndrim të evidentuar qartë edhe në këtë Rezolutë mbi domosdoshmërinë e zbatimit sa më parë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe miratimit të Reformës Zgjedhore përmes një dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët për adresimin e këtyre problemeve të evidentuara përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.
Për t’u ndalur tek kjo çështje dua të ritheksoj qëndrimin e Partisë së Lirisë se nuk mund të ketë Reformë zgjedhore nëse:
Nuk garantohet përfaqësimi i opozitës në mënyrë të plotë dhe të drejtë në bashkëdrejtimin e Komisionit dhe në përbërjen e tij;
Nuk analizohet thellë dhe nuk zgjidhet ndëshkimi për shitblerjen e votës, kriminalizimin e procesit zgjedhor dhe shpërdorimin mafioz të fondeve dhe administratës shtetërore nga Qeveria në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe 14 Maj të 2023, të vërtetuara edhe nga raportet e OSBE –ODIHR;
Nuk realizohet një gjithëpërfshirje reale e të gjithë aktorëve politikë;
Nuk eliminohen ndryshimet e njëanshme nga ana e Ramës dhe “Rilindjes” siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020, që shkatërruan Marrëveshjen politike të 5 qershorit 2020 dhe njëkohësisht edhe standardet e zgjedhjeve që ajo prodhoi.