Ilir Meta ne Devoll. Koha e premtimeve boshe ka kaluar, Tani është koha që të vëmë të gjithë Shqipërinë në punë

Ilir Meta ne Devoll. Koha e premtimeve boshe ka kaluar, Tani është koha që të vëmë të gjithë Shqipërinë në punë

ilirmeta08062013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim mjaft entuziast me mijëra qytetarë të Rrethit të Devollit. I shoqëruar ekipi i kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Korçës z. Meta prezantoi kryesuesin e kësaj liste, Piro Kapuranin, si dhe kanditatët e LSI-së për Rrethin e Devollit, Petrika Lamen dhe Zamir Demirajn. Në fjalën e tij para qytetarëve devollinj Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se “është kënaqësi e veçantë të jem sot në Devoll, në këtë krahinë të shquar, në këtë krahinë që dallohet si rrallë ndonjë tjetër për njerëzit jashtëzakonisht punëdashës dhe bujarë, në këtë krahinë që lindi një njeri të madh, një shkrimtar të madh si Dritëro Agolli, që i dha emër gjithë Devollit e sidomos shpirtit tuaj punëtor e bujar”.

Z. Meta tha se LSI me programin e saj “Plani për punësim” do të mbështesë të gjithë devollinjë të cilët kërkojnë një përkrahje më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë për të punuar, në mënyrë që të rritet mirëqenia. Duke prezantuar kandidatët në Qarkun e Korçës Lideri i LSI-së tha se LSI po ecën e sigurt drejt fitores së dy mandateve në këtë qark. “Ndaj jemi sot në Devoll që nëpërmjet Planit tonë të Punësimit të shprehim përkrahjen më të madhe për të gjithë devollinjtë si njerëz punëdashës dhe që kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria dhe nga shteti për të rritur më tej mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre, për t’i edukuar akoma më mirë fëmijët e tyre për të ardhmen. Jemi sot këtu për të kërkuar përkrahjen e popullit Devollit për Petrika Lamen dhe Zamir Demirajn, për dy djem dhe intelektualë të shquar të këtij komuniteti dhe njëkohësisht për të gjithë kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Korçës. LSI ecën e sigurt drejt 23 qershorit me bindjen e plotë për një sukses të jashtëzakonshëm në Qarkun e Korçës dhe të në gjithë Shqipërinë”, deklaroi z. Meta.

Sipas Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, LSI do të ketë një sukses të jashtëzakonshëm në të gjithë Shqipërinë pasi sipas tij ka ikur koha e primtimeve boshe dhe ka ardhur koha që përmes Planit të Punësimit të LSI-së Shqipëria të ecë më shpejt drejt zhvillimit, Shqipëri atë ecë më shpejt drejt mirëqenies. “Deputetin e parë do ta nisim nga Kukësi dhe do ta vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë duke qenë të bindur se koha e premtimeve boshe ka kaluar dhe tani është koha që të vëmë të gjithë Shqipërinë në punë. Është koha që përmes Planit të Punësimit të mbështesim edhe shpirtin punëdashës të popullit të Devollit”, vijoi fjalën e tij z. Meta.

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se LSI ka ditur të tregojë se është gjithmonë një forcë e orientuar nga e ardhmja dhe është një forcë e lokomotivë e integrimit të evropian të Shqipërisë. “Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë që me durim dhe me këmbëngulje arriti të mbledhë Kuvendin Shqipërisë në kulmin e fushatës elektorale në mënyrë që të miratoheshin me konsensus tre ligjet të cilat në dhjetor do t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat”, tha ai.

Duke folur për programin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Meta deklaroi se ky program nis me rimëkëmbjen e bujqësisë dhe industrisë agropërpunuese që është një bazë shumë e rëndësishme për hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas tij një çështje tjetër shumë e rëndësishme është edhe punësimi i të rinjve që do të realizohet përmes subvencionimit të të gjithë atyre bizneseve që punësojnë të rinj që nuk e kanë eksperiencën e duhur profesionale. Programi ynë për punësimin nis me rimëkëmbjen e shpejtë të bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese që është një bazë tepër e rëndësishme për të gjithë zhvillimin e Devollit, që është një bazë shumë e rëndësishme për të rritur më tej punësimin dhe mirëqenien e të gjithë komunitetit tuaj. Programi ynë ka të bëjë me hapjen e vendeve të reja të punës në të gjitha bizneset e reja që do të stimulohen përmes politikave nxitëse fiskale, në mënyrë që çdo sipërmarrës, për çdo vend të ri pune, të mbështetet nga qeveria dhe nga shteti përmes një subvencionimi konkret, në mënyrë që çdo i ri dhe çdo e re që kërkon një vend të ri pune dhe që nuk ka një eksperiencë apo formimin e duhur profesional përsëri të mbështetet dhe subvencionohet nga qeveria dhe nga shteti që të nisë i sigurt jetën e tij përmes punës”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta

Sipas Liderit të LSI-së fitorja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” është e sigurt sepse vendi ka nevojë për rrotacion. “Njëkohësisht Devolli ka nevojë për të qenë në qendër të vëmendjes, jo thjesht të një grupi apo të një klani të caktuar, por në qendër të vëmendjes për t’u dhënë mundësi për të punësuar në administratën publike dhe njëkohësisht në sektorin privat të gjithë devollinjve në bazë të meritave dhe të vlerave dhe jo thjesht në bazë të lidhjeve të caktuara, tha z. Meta.

Duke përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ftoi të gjithë qytetarët e Devollit që të mbështesin LSI-së më 23 qershori pasi sipas tij “mbështetja që i jepni LSI-së është një detyrimi ynë ndaj jush, ndaj të gjithë atyre që e përkrahin LSI-në. “LSI është një forcë politike e cila kujdeset për njerëzit dhe do të kujdeset çdo ditë edhe në të ardhmen dhe jo thjesht në prag të fushatave elektorale. Prandaj ju kërkoj të gjithë votat për Lëvizjen Socialiste për Integrim, të gjitha votat për numrin 26, të gjitha votat për Petrika Lamen dhe Zamir Demirajn, të gjitha votat për Piro Kapuranin dhe të gjithë kandidatet dhe kandidatët tanë në Qarkun e Korçës. Ne ecim të sigurt drejt fitores së dy mandateve në Qarkun e Korçës më 23 qershor dhe Devolli do të jetë i përfaqësuar në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore dhe rajonale”, tha ndër të tjera në takimin e zhvilluar në Rrethin Devollit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.