12 Jul Ilir Meta: Mesazhi i shqiptarëve më 23 qershor, Shqipëria të ecë më shpejt përmes bashkëpunimit dhe punësimit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputetët LSI-së të zgjedhur më 23 qershor në Qarkun e Beratit, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica, si dhe nga i gjithë ekipi i kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Beratit në zgjedhjet e 23 qershorit, ka zhvilluar një takim në qytetin e Beratit, ku ka falënderuar të gjitha strukturat e LSI-së në këtë qytet për rezultatin e jashtëzakonshëm që arriti LSI atje. Z. Meta deklaroi se ishte një fitore mjaft e bukur e gjithë fitorja e LSI-së në të gjithë Shqipërinë, por fitorja më e bukur është ajo e qarkut të Beratit. “Ka qenë një fushatë e gjatë për të gjithë ne, ka qenë një fushatë e gjatë edhe për mua. Një fushatë që ndoshta zgjati për të paktën një vit pa ndërprerje, por falë optimizmit tuaj, falë besimit tuaj te një rezultat spektakolar, ashtu siç ndodhi në qarkun e Beratit, unë sa herë që vija në Berat e filloja fushatën nga e para”, tha ai.
Z. Meta deklaroi se 22 mijë votat që LSI ka marrë në Qarkun e Beratit janë një kontribut i jashtëzakonshëm që qytetarët e të gjithë qarkut të Beratit kanë dhënë, që Berati të ecë më shpejt, Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit, në rrugën e integrimit, në rrugën e punësimit. “Është një besim i madh tek ne si drejtues të LSI-së, tek ju njëkohësisht si drejtues të LSI-së të Beratit për ta administruar këtë besim me përgjegjshmëri maksimale me urtësi me një devocion të përditshëm gjatë këtyre katër viteve në mënyrë, që ne të ecim më shpejt dhe të rritemi pa u ndalur si forcë politike e cila mbështet Beratin, e cila mbështet të gjithë vendin në rrugën e progresit. Jam shumë krenarë që ne si LSI, jo vetëm kemi arritur një numër shumë të konsiderueshëm të deputetëve në qarkun e Beratit dhe në të gjithë vendin, por njëkohësisht ne kemi arritur një rezultat tepër pozitiv të votës popullore me 180 mijë vota në të gjithë vendin, duke dhënë një kontribut tepër të spikatur për këtë fitore kaq bindëse që realizoi koalicioni ynë, ai i Aleancës për Shqipërinë Evropiane.
Sepse kaq mandate mund t’i kishim marrë edhe me 120 mijë vota, por ne jemi krenarë sepse kemi dhënë kontributin maksimal në këtë fitore kaq bindëse të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Jam krenar njëkohësisht për të gjithë fushatën pozitive që bëri LSI-ja kudo në të gjithë vendin në çdo qytet, në çdo komunë në çdo lagje dhe në çdo fshat. Për mesazhin që u përcoll në mënyrë aq të përqendruar dhe korrekte nga të gjithë drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët tanë. Për mesazhin e bashkëpunimit dhe mesazhin e punësimit, sepse Shqipëria do të ecë më shpejt përmes bashkëpunimit dhe përmes punësimit të beratasve dhe të gjithë shqiptarëve”, vijoi z. Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se “Jam krenar për atë rini të jashtëzakonshme që kemi parë në Berat dhe kudo në të gjithë Shqipërinë. Puna që ne kemi bërë që nga themelimi i LSI-së me LRI-në dhe me të rinjtë dhe të rejat ka dhënë rezultate të shkëlqyera në zgjedhjet e 23 qershorit. Jam krenar për punën e shkëlqyer që kemi bërë me gratë dhe nënat e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Mbështetja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme dhe e kudogjendur”.
“Ne jemi një forcë e cila thjesht ka kaluar me sukses sfidën e radhës. Sfida të tjera të rëndësishme na presin dhe ne tani kemi të gjithë eksperiencën e duhur dhe një besim akoma më të madh në vetvete për t’i fituar të gjitha betejat e ardhshme. Ne kemi fituar një qetësi të jashtëzakonshme e cila vjen si rezultat i vizionit tonë për Shqipërinë evropiane, e cila vjen si rezultat i pjekurisë që ne kemi fituar në të gjitha betejat dhe sfidat e deritanishme që kanë qenë të jashtëzakonshme, e cila vjen si rezultat i energjive tona mjaft pozitive për të bërë më të mirën për Beratin dhe për të gjithë Shqipërinë.
Qytetarët shqiptarë kanë votuar në mënyrë të veçantë atë profil mjaft pozitiv, mjaft bashkëpunues që LSI ka shfaqur gjatë viteve të fundit, gjatë muajve të fundit dhe sidomos gjatë gjithë fushatës, sepse Shqipëria do të ecë më shpejt përpara vetëm përmes rrugës së bashkëpunimit dhe vendosjes së interesave të vendit në plan të parë. Dhe LSI ka treguar se kujdeset për vendin ashtu sikurse ka treguar për qytetarët dhe për njerëzit e thjeshtë. Dhe ne do të vazhdojmë të kujdesemi edhe për vendin, do të vazhdojmë të kujdesemi edhe për të gjithë qytetarët e Beratit dhe gjithë Shqipërisë”, deklaroi Lideri i LSI-së.
Duke përfunduar z. Meta premtoi se LSI do t’i ndjekë me rigorozitet absolut të gjitha premtimet që ka bërë në Berat për realizimin e tyre, në mënyrë që të transformojë sa më shpejt të gjithë Qarkun e Beratit.
Do t’i ndjekim me rigorozitet absolut të gjitha premtimet që kemi bërë këtu për realizimin e tyre, në mënyrë që të transformojmë sa më shpejt të gjithë Qarkun e Beratit dhe njëkohësisht unë ju jap fjalën se do të jemi akoma më pranë, do të jemi akoma më të lidhur me njëri – tjetrin dhe pas 23 qershorit gjithmonë kam qenë krenar që edhe unë jam nga Qarku i Beratit siç jeni ju të gjithë, por pas 23 qershorit jam akoma më krenar sepse ne e mbajmë fjalën, sepse ju e mbani fjalën.